Fundamenti

Karakteri social i prostitucionit

/ 12 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Rahim Azemi – Veprimtarinë sociopatologjike a prostitucionin, historianë, sociologë, antropologë, psikologë e studiues të tjerë, edhe gjatë trajtimeve rrethanore, e konsiderojnë si “zejen më të vjetër”. Prostitucioni, krahas zhvillimit të shoqërisë, zakonisht merr forma të ndryshme, ndonëse ato janë mjaft justifikuese e konfuze, por zhvillohen në mënyrë kontinuitive. Qëndrimi i shoqërisë ndaj prostitucionit ka ndryshuar varësisht rrethanave kohore dhe hapësinore, nga kritika ndaj tij, indiferenca deri te pranimi.

Rrënjët gnoseologjike të prostitucionit si fenomen sociopatologjik datojnë qysh herët në historinë shoqërore. Sipas shumë studiuesve historianë, sociologë, antropologë, psikologë me të drejtë këtë veprimtari sociopatologjike e shohin si “zejen më të vjetër”. Por formën më të specifikuar e merr qysh në fazën e heterizmit dhe në tempujt religjioz. Vajzat e pamartuara nuk kishin kufizim në marrëdhëniet seksuale dhe shfrytëzonin mundësit për të fituar para. Në tempujt religjioz prostitutat e moshuara i ushtronin vajzat e reja se si duhet zhvilluar ky zanat. Paratë e fituara destinoheshin në llogaritë e tempullit …

Për prostitucionin ka bërë fjalë edhe historiani i vjetër grek Herodoti. Ky theksonte qartë: “çdo grua gjatë jetës duhet t’ i nënshtrohet një herë një mashkullit të panjohur”. Sipas disa të dhënave edhe Keopsi për të ndërtuar piramidën kishte urdhëruar vajzën të shkonte në bordele dhe të kërkonte para nga klientët. Gradualisht, krahas zhvillimit të shoqërisë, prostitucioni merr forma të ndryshme, ndonëse ato janë mjaft justifikuese e konfuze, por zhvillohen në mënyrë kontinuitive. Qëndrimi i shoqërisë ndaj prostitucionit ka ndryshuar varësisht rrethanave kohore dhe hapësinore. Ka pasur vende të cilat e kanë kritikuar prostitucionin, disa e kanë pranuar dhe e kanë toleruar zhvillimin e tij. Ka pasur edhe indiferencë ndaj kësaj veprimtarie. Por gjithnjë prostitucioni ka funksionuar thuajse në gjitha epokat historike shoqërore.

Në historinë shoqërore me prostitucion janë marr edhe personalitete të njohura që nga koha antike, romake e deri në kohën bashkëkohore. Janë të njohura rastet e prostitutave të perandorëve Claudie dhe Justiniani, gratë e të cilëve (Mesalina dhe Teodora) zhvillonin prostitucion nëpër bordelet e njohura të kohës, me oborrtarë të shumtë etj. Në kohën bashkëkohore me të madhe zhvillohen shtëpitë publike. Edhe personalitet politike të kohëve të ndryshme për interesa personale apo për përfitime politike i kanë tjetërsuar femrat, duke i dërguar nëpër vende të ndryshme te personalitet me ndikim në skenën politike.

Ç`eshtë prostitucioni?

Deri më sot është shkruar dhe komentuar mjaft etimologjia e prostitucionit. Analistët kanë dhënë shpjegime të ndryshme rreth definicionit të prostitucionit. Kryerja e akteve seksuale me para ka kuptimin themelor të prostitucionit. Femrat të cilat shesin trupin e tyre me para quhen prostituta. Kur trupi i femrës shndërrohet në mjet për shitblerje apo kur mashkulli paguan femrën për shërbimet dhe kënaqësitë e tij seksuale, ka të bëjë me prostitucionin.
Antropologu social Fernando Henriquesi, në veprën e tij “ Historia e prostitucionit”, i jep një pasqyrë të qartë shkencore problematikës së prostitucionit në shoqëri. Prostitucioni është shitblerje e trupit të femrës në aktivitetin seksual. Kur femra e jep trupin e vet me një numër të pacaktuar individësh për ndonjë interes material me qëllim përfitimi të mjeteve për jetesë. Kryesisht ky veprim i gjinisë mashkullore është eksploatim seksual i gjinisë femërore.

Për zhvillimin e prostitucionit kërkohet plotësimi i disa kritereve( vetive) funksionale. Bie fjala, në radhë të parë, akti i shitjes së trupit nga femra, s’ dyti, duhet të gjendet blerësi dhe s’ treti, indiferenca emocionale e shitësit dhe blerësit. Po e themi këtë, sepse në aktin e kryerjes së marrëdhënieve seksuale nuk kemi të bëjmë me motivin e dashurisë apo emocionin e dashurisë. Thjesht ky aktivitet kryhet për interesa të përfitimeve materiale.

Prostitucioni në shoqërinë shqiptare

Ndonëse me intensitet më të ulët, edhe shoqëria shqiptare nuk ka mundur t’ i ikën këtij fenomeni gjatë historisë. Sipas disa të dhënave, elementet e prostitucionit shfaqën rreth vitit 1910 në qytetin Shkodër. Më 1920 është zgjeruar rrjeti edhe në qytetet tjera të Shqipërisë. Shtëpitë e para publike, supozohet të jenë shfaqur më 1922, të cilat kanë funksionuar thuajse deri më 1942. Pas Luftës së Dytë botërore, fenomeni i prostitucionit në shoqërinë shqiptare nuk ka qenë temë diskutimi, sepse familjet shqiptare ishin pothuajse tradicionale, familje të mbyllura ku sundonte kanuni e zakoni. Mbi të gjitha ishte ligji që ndalonte këtë veprimtari. Pas viteve 1990, ndodhën ndryshime të mëdha në sistemin shoqëror, atëherë prostitucioni “lulëzoi” krejt i pakontrolluar…

Në Kosovë, ky fenomen, pas viteve 1990, e sidomos pas luftës së fundit, është përhapur me të madhe. Prostitucioni si element i etikës negative i shfaqur në shoqërinë tonë meriton një analizë më të thuktë shkencore sociologjike, psikologjike, antropologjike etj. Përveç anës kriminale, shoqëria kosovare po kalon edhe nëpër një krizë morale. Derisa para luftës në Kosovë bosët sillnin vajza nga shtetet tjera fqinje, të cilat ushtronin funksionin e prostitutave, pas luftës filluan të rekrutojnë vajzat shqiptare.

2
Puna në motelet e natës
Nga kureshtja për të nxjerrë në dritë elemente sociopatologjike të shoqërisë sonë, i kemi hyrë hulumtimit të këtij fenomeni. Edhe pse i vetëdijshëm se ky hulumtim në fazën fillestare është i vështirë, kemi parashtruar para vetit detyrë obliguese që gradualisht të përcjellim fenomenin e tillë, ku tjetër pos nëpër lokalet e natës me muzikë të gjallë. Hulumtimit i kanë paraprirë metodat shkencore sociologjike, vëzhgimi me pjesëmarrje, intervista jo e strukturuar, eksperimenti natyral. Zbatimet e procedura metodologjike shërbyen për nxjerrjen e disa rezultateve relevante, të cilat kanë vlerë analitike shkencore sociologjike dhe psikologjike. Në regjionin ku është bërë hulumtimi, i cili ka zgjatë disa muaj, janë vizituar 16 lokale, qoftë të mëdha apo të vogla, në qytete të ndryshme. Të dhënat e grumbulluara po i përmbledhim sipas një statistike të qartë.

Siç u tha, në terren janë vëzhguar 16 motele. Janë bërë 54 vizita. Numri i femrave të cilat punojnë në këto lokale sillet rreth 172 veta, prej moshës 17 vjeçare deri në 50. Në rrjetin e hulumtimit kanë marrë pjesë 79 femra të kategorive të ndryshme sociale. Ndërsa, nga informacione edhe rrethanore janë konstatuar karakteristika përcjellëse për tërë grupin e femrave prej 172 vetash. Kështu, shkalla e arsimimit del e këtillë: pa shkollë fillore janë evidentuar 23 veta, me shkollë fillore 78, shkollë të mesme 54 dhe me shkollë të lartë e fakultete 17 gjithsej. Statusi i tyre familjar: Femra të martuara 38, të divorcuara 26 dhe të pamartuara 108.

Natyra e punës nëpër këto lokale të natës ka marrë sekuenca të ndryshme. Disa punojnë si kamariere, disa janë valltare ( që e përbëjnë numrin më të madh) disa janë këngëtare, disa prej tyre sillën nëpër tavolina ku bisedojnë me gjahtarë, por edhe me njerëzit që dëfrehen duke dëgjuar muzikë.

Hyrja në rrjetën e prostitucionit

Hidromorava

Fati i njeriut shumë herë mund të degradohet. Ai lëkundet mes dy brigjeve shkëmbore. E rëndësishme është që njeriu në këto situata të dijë ta kuptojë të tashmen për të krijuar lumturinë në të ardhmen. Por jo gjithmonë njeriu ecën drejt binarëve të duhur jetësor për të arritur deri te fatbardhësia. Prandaj, zgjedhja e rrugëve është e ndryshme. Me të drejtë psikologu Shprangeri dallon personalitete të ndryshme njerëzish të cilët determinojnë interesat e tyre subjektive pa i vlerësuar rrethanat objektive.

Kështu ndodh me shumë femra të cilat kanë interesa pasiononte për fitim, prandaj nuk zgjedhin mjete për të realizuar qëllimin. Hyrja në rrjetin e prostitucionit, mbështetur në rrethanat hulumtuese në terren, është e diktuar nga shumë faktorë. Marrëdhëniet e çrregulluara familjare, braktisja e shkollimit, kushtet ekonomike, divorci, ndikimi i rrethit social, papunësia, etja për fitim etj. – janë faktorët më relevantë që ndikojnë në këtë proces. 3

Te vajzat e mitura rezulton fakti që ato hyjnë në këtë veprimtari për shumë arsye. Edukimi i gabuar që shkakton një normë të rrejshme morale, konfliktet e përhershme familjare, rimartesa e njërit nga prindërit, dështimi në dashurinë e parë etj.

Rrëfimet e gjinisë femërore të cilat zhvillojnë prostitucion, zbulojnë motivet e tyre, pse janë infiltruar në këtë “zanat” si veprimtari e shëmtuar e shoqërisë. Sipas tyre janë dy faktorë thelbësorë që ndikojnë në ushtrimin e kësaj veprimtarie. Motivi shtytës dhe tërheqës. Këtë po e ilustrojmë me dy rrëfime. Rrëfimi i parë, karakterizohet me motivin shtytës, sepse bosët i detyrojnë femrat me dhunë të ushtrojnë këtë profesion.

Një bisedë shpërfaqëse me njërën nga to:
“Unë, për shkak të dhunës psikike dhe fizike jam detyruar të braktis profesionin tim, të kaloj në rrjedhën e prostitucionit për përfitim material.
Po kush fiton?
Bosi im!
Po ju çka fitoni?
Unë marrë njëpërqindje, sepse jetoj nën urdhrat e tij….
Rrëfimi i dytë me bukurinë që ka stolisur pamjen e jashtme. Rrezatonte me ata sy të kaltër, hundë të drejtë, flokë bionde me shtatin e skalitur si ta kishte gdhend mjeshtri më i famshëm i skulpturës…Pyetjes tonë, pse? Ajo iu përgjigj thjesht: Lakmia materiale më ka përplas në këtë rrugë.

Kategoria e vajzave të pamartuara më tepër i nënshtrohen veprimtarisë së prostitucionit. Edhe femrat të cilat janë të divorcuara kalojnë në prostitucion për shkak të ngarkesës familjare. Ato mbajnë fëmijët e tyre përmes një rruge të tillë, sepse nuk gjejnë zgjidhje tjetër. Prandaj, konstatimi i tyre shpeshherë shfaq dhembje: Sikur shoqëria të na siguronte një punë sa për mbijetesë nuk do ta ushtronim këtë profesion…

Disa nga to, me të cilat kemi kontaktuar, nuk lëshohen në rrjetën e prostitucionit. Mund të bëjnë çdo punë tjetër, të lodhshme, t’i fitojnë paratë vetëm me djersë sa për ta mbajtur familjen e tyre. Duket se janë kursimtare. Ato mendojnë dhe punojnë për ekonominë familjare, për pasjen edhe pse e pakët, po mbi të gjitha, kursejnë për shkollimin e fëmijëve të tyre.

Sjellja e pronarëve ndaj gjinisë femërore
Edhe nga ky rrafsh kemi elemente që drejtpërdrejti ndikojnë në hyrjen femrave në rrjetin e prostitucionit. Shumë pronarë lidhën me klientë të cilët rregullisht i frekuentojnë lokalet e tyre.

Vajzat detyrohen të lidhen me pronarin dhe ai është urëlidhës me personat të cilët joshen seksualisht. Çmimi caktohet sipas marrëveshjes dhe bukurisë së femrës. Paratë ndahen në mes të pronarit dhe femrës. Ata posedojnë dhoma të veçanta për aktet seksuale apo lidhjen e transferojnë nëpër hotelet tjera.

Në shumë raste vajzat përbuzen nga pronarët. Nuk ua paguajnë mëditjet. Marrin pjesë nga monedhat e përbashkëta që njerëzit i dërgojnë për ndonjë këngë që e kërkojnë. Kërkojnë nga to të sillen me njerëzit jo natyrshëm. Vallëzimi nëpër tavolina, përvetësimi i njerëzve nga joshja etj. Pronari i një moteli për tri javë pune, tetë vajzave të cilat kanë punuar deri në ora katër të mëngjesit nuk ua ka paguar mëditjet fare. Mirëpo, ka pronarë të ndërgjegjshëm. Ata sillen mirë me gjininë femërore. U paguajnë mëditjet me rregull. Kërkojnë nga to të sillën mirë ndaj gjithkujt që hyn në lokal.

Si mund të dalim nga kjo situatë?
Fushëveprimi i prostitucionit është i përhapur edhe në shoqërinë tonë, por jo në atë masë sa në vendet tjera. Kjo veprimtari është e ndaluar me ligj. Është nevoja që ta vëmë nën kontroll situatën që të mos marrë kahe rritjeje. Institucionet relevante të cilat janë të akredituara për mbikëqyrje dhe kontrollime, duhet pasur kujdes se si i qasen problemit, në mënyrë që lehtësisht të arrijnë te evidentimi i problemit, të cilin do duhej ta trajtojnë me të gjitha specifikat e shfaqjes së tij.
Hulumtimi i problemeve shoqërore, sikur edhe prostitucioni, nuk mund të bëhet nga kushdo, por nga personat me përgatitje profesionale të institucioneve të caktuara me ligj. Pas evidentimit të problemeve të këtilla, do duhej ndjekur hapi tjetër: femrave “të zanatit të vjetër” t’iu ndihmohet ekonomikisht nga shteti. Kështu, ua heqim një gajle, bile gajlen më të madhe, për të mos rënë pre e atyre që e kanë në gjak kapadaillëkun.
***
Conditio sine cua non është vetëdijesimi i gjinisë femërore. Mënyra e fitimit të pasurisë përmes kësaj rruge është imorale. Kjo ndikon në zhveshjen e vlerave shpirtërore dhe morale.

Prostitucioni si degë e sëmurë shoqërore duhet të luftohet me të gjitha format e mundshme. Për të arritur deri te rezultatet e duhura është imediate kyçja e njerëzve profesionalë. Ata janë të përgatitur profesionalisht për hulumtimin e rasteve të tilla. Njerëzit të cilët kanë kryer kurse, nuk kanë aftësi metodologjike hulumtuese efektive për zbulimin e rasteve të ndjeshme siç është prostitucioni.

Kujdes: Mjeku shëron të sëmurin, ndërsa sociologu shëron shoqërinë./rajonipress/