Kapja e Mal(h)iqit nga Rama apo për çfarë do ta këshillojë Mal(h)iqi Ramën?
Nga Salih Bytyqi – Nëse Rama e ka marrë si këshilltar Mal(h)iqin për t’i treguar se cilit person nga Beogradi duhet t’ia japë çelësin e Shqipërisë (pa marrë parasysh se çfarë çelësi), sigurisht që ka gjetur njeriun e duhur. Ndërsa sa i përket këshillimit për ndonjë çështje rajonale, për aq sa e njoh unë këtë të fundit, jam paksa skeptik që mund t’i shërbejë në këtë drejtim…
Po të shikohet e kaluara e afërt e zhvillimit të ngjarjeve në skenën politike të Shqipërisë, ajo e kohës së e tranzicionit, nuk është e vështirë të hetohet një tendencë e përbashkët që i karakterizon të dy taborët politikë. Si PD-ja ashtu edhe PS-ja, dy partitë kryesore të Shqipërisë, sikur janë në garë se cila prej tyre do t’i kapë më parë ish-intelektualët shqiptarë projugosllavë në Kosovë e Maqedoni. Vetëm shihni si priten e përcillen në Tiranë këta intelektualë dhe çfarë respekti u bëhet atyre atje?!
Në përpjekjen që kësaj t’i jepet një përgjigje e duhur, se përse ndodh kjo gjë, s’do mend që do të gjenden arsyetime të ndryshme. Derisa ata në Tiranë këtë mund ta arsyetojnë për këtë ose atë arsye, unë këtë vrap pas këtyre intelektualëve, që bëjnë këto dy parti (jo vetëm partitë, por edhe shoqëria civile), e shoh si manifestim të inferioritetit që e kanë në ndërdije udhëheqësit e tyre ndaj ish-Jugosllavisë, po aq edhe si ngopje me vetveten/ shpifje e vetvetes.
Cilit prej nesh nuk i ka rënë të dëgjojë shprehje nga njerëz të të gjitha shtresave nga ajo anë se ne në ish-Jugosllavi ,,ishim mirë”, “i kishim të gjitha”, “ishim të lirë” e ,,konstatime” të tjera të kësaj natyre për atë kohë. Vetëm sa nuk thuhet drejtpërdrejt se gabimi, për të mos thënë e keqja, ishin ata që kërkonin të drejta kombëtare me demonstratat e vitit 1968, 1981 si dhe pjesa tjetër “armiqësore” ndaj atij shteti artificial dhe sistemit të tij?!
Pikërisht kjo ka rezultuar me një rendje të ethshme për të përvetësuar sa më shumë nga inteligjenca e asaj kohe që ndaj kërkesave të demonstruesve për liri dhe barazi kombëtare kishte mbajtur qëndrim armiqësor ose të paktën asnjanës me inferioritetin e vetë.
Dhe tani është pak e habitshme se pse është kaq i madh ky interesim edhe pas kaq vitesh. Në mos për t’i krijuar lidhjet që kanë këta të fundit me njerëzit ku kanë jetuar dhe punuar (në Beograd, Shkup), për çfarë tjetër?!
Në vazhdim do të rrëfej një histori me Mal(h)iqin
Si student (në vitet 1985-’86-‘87) kam pasur rastin të rri jo pak me Shkëlzen Maliqin. Po edhe me shokët e tij. Bisedonim për jetën e përditshme, fenë, politikën, artin etj. Më pëlqente një lloj liberalizmi në mendimet e tij dhe të grupit të tij, që më krijonte përshtypjen se e shquante mendimin dhe qëndrimin e tij. Mirëpo, nuk u desh të kalonte shumë kohë dhe u vërtetua se ky kishte qenë një iluzion i imi. Ajo që do të tregoj më poshtë, ishte ndër shkaqet kryesore që unë të mos e kisha më konsideratën për këtë njeri, për liberalizmin e tij, edhe pse kurrë në jetën time nuk kam pasur ndonjë mosmarrëveshje apo ngatërresë me të.
Megjithëse kisha përjetuar përjashtimin nga shkolla (1981) dhe pastaj edhe burgosjen (1982), me peripeci të shumta, me 1983 arrita të regjistrohem në Universitetin e Prishtinës. Gjatë kësaj kohe përgatitesha për provime, por edhe lexoja çfarë të më binte në dorë. Ato vite filloi botimi i kolonës së librave nga filozofia, të cilat i lexoja me shumë vullnet. Më dukej si një pastrim i shpirtit nga filozofia dogmatike e kohës. Ndër to ishte edhe libri i filozofit ekzistencialist francez, Zhan Pol Sartrit “Çështje të metodës” (pjesa hyrëse e kryeveprës së Sartrit “Kritika e mendjes dialektike”). Më bëri përshtypje të jashtëzakonshëm ky libër. Pasi e lexova, shkrova diçka rreth tij dhe ia dërgova për botim Shkëlzen Maliqit, i cili, atëbotë, ishte redaktor në revistën “Fjala”. Nuk shkoi shumë kohë dhe më 1 maj 1985 ai shkrim u botua në atë revistë. Aq i madh ishte gëzimi im, sa të tillë, ma merr mendja, nuk mund të provojë sot, edhe nëse një ditë (ruana zot), Ministria e Arsimit apo ajo e Kulturës e boton kompletin e veprave të mia (në botim luksoz!)!
Pas një polemike që kisha pasur në gazetën “Rilindja” një vit më parë, ky ishte shkrimi im i dytë i publikuar në media.
Me ngut shkova në Bibliotekën Kombëtare, ku punonte Shkëlzeni, ta falënderoja për këtë gjë.
E takova dhe e falënderova, por Shkëlzeni m’u përgjigj me gjakftohtësi se ai nuk e kishte botuar.
U bëra kureshtar të mësoja se kush ma kishte botuar shkrimin, pasi që dikë tjetër nuk e njihja aty dhe e pyeta për këtë gjë!
-Vehbi Kikaj, -m’u përgjigj.
Poetin për fëmijë, Vehbi Kikaj, e njihja vetëm si emër, kurrë nuk e kisha parë.
-Por, shtoi ai në vazhdim, kam vërejtje në shkrimin tënd sepse ti, gjatë hartimit të tij, nuk e ke pasur parasysh veprën e Titos dhe doktrinën e socializmit burimor jugosllav.
Kur dëgjova këto fjalë të dalin nga goja e Maliqit, u trondita. Në kohën kur unë kërkoja shtigje jashtë enverizmit shqiptar dhe titizmit jugosllav, ai sikur po bënte përpjekje të më kthente prapa, te filozofia socialiste vetëqeverisëse, si pasojë e së cilës ishin mbushur burgjet e Kosovës dhe të ish-Jugosllavisë me të rinj shqiptarë. Sigurisht që Shkëlzeni nuk e dinte se unë isha njëri prej atyre që i kishte përjetuar burgjet e asaj kohe, njëri prej atyre që e kishte provuar në kurrizin e tij dajakun e inspektorëve të socializmit burimor jugosllav dhe të veprës së Titos!
Në vitin 1981, më kishin përjashtuar nga shkolla e mesme sepse pyetjes që më kishin bërë drejtori i shkollës (Hasan Sharku) dhe komandanti i policisë në Rahovec (Rexhep Oruqi), në kohën kur më kishin veçuar edhe mua si njërin prej atyre që ishin kundër pushtetit të asaj kohe, si të pakënaqur prej tij se a besoja që Lidhja e Komunistëve të Jugosllavisë do ta ndryshojë situatën, unë isha përgjigjur shkurt “Jo”! Një vit më pas, pasi kishin rrethuar shtëpinë time, më patën arrestuar me arsyetimin se kisha lexuar libra të ndaluara dhe kisha shkruar vjersha me përmbajtje armiqësore në fletore!
Hetimet atëbotë i udhëhoqi inspektori Daut Morina nga Bellacërka e Rahovecit. Por, kryeshefit të atëhershëm të Policisë së Prizrenit, Vesel Krasniqit (më kanë thënë se është baballëku i deputetit Behar Selimit, edhe ky atëkohë polic!!!), iu duk se inspektori i tij nuk do ta kryente detyrën me besnikëri, ndaj edhe ai i erdhi në përforcim. Të dy së bashku, më ranë aq fort derisa më pëlciti gjaku në pjesën e shpinës, mbi veshka.
Pak a shumë ky isha unë, kur Maliqi më kritikonte që nuk isha thelluar mjaftueshëm në filozofinë e socializmit vetëqeverisës jugosllav!
Diç rreth shkrimit tim
Kur e lexoj tani këtë shkrim timin, “Sartri kundër dogmatizmit”, nuk mund të krenohem me të, por tema e tij për kohën ishte interesante. Sepse dogmatizmi në shoqëritë e ideologjizuara ishte ai që bënte politikën dhe ekonominë. Çdo hap i politikës dhe i ekonomisë mbështetej në dogma. Ishte ky dogmatizëm nga i cili u desh të derdhej gjak që të liroheshin prej tij shtetet në të cilat sundonte. Së paku për këtë jemi të një mendimi, pasi sot këtij dogmatizmi askush nuk do t’ia përmendë as emrin.
Por, më konkretisht rreth temës me të cilën preokupohesha, po i shkëpus disa mendime nga fundi i tij, të cilat sigurisht që nuk i kanë pëlqyer “filozofit” tonë të socializmit vetëqeverisës:
“Një kapitull me rëndësi në filozofinë marksiste është edhe teoria mbi shuarjen e Shtetit. Por, në qoftë se marksizmi flet për shuarjen e Shtetit në të ardhmen, përkundrazi, Dogmatiku e forcon Shtetin. Madje Dogmatiku më parë do ta mendonte shuarjen e popullit sesa shuarjen e Shtetit” (Sali I. Bytyçi “Sartri kundër dogmatizmit”, revista “Fjala”, 1 maj 1985, f. 13).
Me fjalën “Dogmatik” kisha parasysh udhëheqësit komunistë të cilët njëherësh ishin edhe ideologë të filozofisë marksiste. E të tillë kishte jo vetëm në ish-Jugosllavi, por në të gjitha vendet ku zotëronte kjo ideologji. Kështu ishte për mua, por për Maliqin dhe sivëllezërit e tij mendimi vetëqeverisës jugosllav ishte dialektika e dialektikave, ishte çelësi i të gjitha zgjidhjeve të shoqërisë dhe të çdo gjëje!
Tani më duket e palogjikshme që ish-gardianët e filozofisë marksiste (disa u thonë filozofë, por nuk mendoj se janë të tillë) e sidomos të dogmatizmit të kësaj filozofie, të përzgjidhen për këshilltarë të udhëheqësve të lartë politikë dhe shtetërorë, të cilët zotohen se do të instalojnë një nivel më të lartë qytetarie dhe demokracie.
Për këtë është zotuar Edi Rama me kursin e tij politik dhe ka ardhur në pozitë.
Tani, duke përzgjedhur për këshilltar mbrojtësit e dikurshëm të dogmatizmit, del nga ajo që njerëzit kanë shpresuar tek ai dhe kanë pritur prej tij.
Fundi fundit, Ramës, për hajr i qoftë Mali(h)qi.
Dhe nëse ende ka nevojë, mos të harrojë sa ka edhe mal(h)iqër të tjerë ky vend!


