UBT

Kambanat e alarmit

/ 5 minuta lexim

Nga Agron Bajrami – Si ta shpëtojmë shkollën, që ajo të mund të na shpëtojë të gjithë neve

Gjithçka nis me shkollën!

Aty fitohen njohuritë bazike për jetën, raportet në shoqëri, perspektivat mbi të ardhmen. Aty hidhen themelet e edukatës së përgjithshme, ndërtohet karakteri dhe personaliteti individual, krijohet pamja ndaj botës që na rrethon dhe raporti ynë me të.

Aty zgjerohet rrethi shoqëror, krijohen miqësitë që zgjasin tërë jetën, zhvillohet sensi i përgjegjësisë ndaj tjetrit dhe shoqërisë, përcaktohen lojalitetet, animozitetet, sensi për artin dhe kulturën, vlerat dhe standardet.
Aty njeriu mëson jo vetëm lëndët bazike të gjuhës, matematikës, gjeografisë e historisë, por edhe diskursin e komunikimit njerëzor, deri edhe moralin, etikën dhe estetikën.

Në shkollë, pra, njeriu nis të bëhet ai që do të mbetet tërë jetën. Shumë nga karakteristikat e përfituara në atë moshë njeriut i mbeten të pandryshuara deri në vdekje.
Prandaj, gjithçka nis me shkollën!

* * *
Nëse misionin e përshkruar më lart do ta përdorim si kut matës për të vlerësuar shkollën në Kosovë, do të na duhet të konkludojmë se po përballemi me dështimin e këtij institucioni bazik shoqëror.

Jo vetëm për shkak të defekteve në sistemin arsimor, keqmenaxhimit të vazhdueshëm dhe mangësive profesionale të kuadrit të saj, por edhe për shkak se e tërë shoqëria, të gjithë ne, po i mbyllim sytë para së vërtetës së dhimbshme për sistemin tonë të arsimit fillor.

Po i mbyllim sytë përpara fakteve: fëmijët më shumë mësojnë nga programet televizive dhe shëtitjet e përditshme nëpër internet, se sa në orët e mësimit.

Sepse, në shkollat ku një klasë i ka 40 deri edhe 50 nxënës, nuk mund të mësohet! Në shkollat ku mësuesja nuk i ka në dispozicion më shumë se 1 minutë për një orë mësimi t’ia kushtojë një nxënësi (që i bie rreth 5 minuta në ditë për nxënës, 25 minuta në javë, pak më shumë se 4 orë në muaj, apo rreth 50 orë për tërë vitin) zor se mund të shfrytëzohet kapaciteti ekzistues i nxënësit, e lëre më të ngrihet ai kapacitet.

Mobi Casa

Dhe, derisa përllogaritja e orëve më lart mund të jetë ekzagjerim me qëllim ilustrimi, e vërteta mbetet se shkollat në Kosovë në shumicën e rasteve nuk po e ofrojnë atë për çka dhe janë hapur!

Dhe për këtë nuk bartin përgjegjësi as mësuesit e as nxënësit, sepse kjo ka të bëjë me shtetin dhe përkujdesjen që kanë institucionet e tij për shkollën si themelin e gjithçkaje në shoqëri!

Gjithçka nis nga shkolla, që në rastin tonë do të thotë se degradimi shoqëror nis aty.

* * *

Ndikimi që ka shkolla në njeriun është mbase më së miri i ilustrueshëm përmes gabimeve drejtshkrimore që njerëzit i bëjnë që prej shkollës fillore deri në moshën e shtyrë. Që do të thotë se gjërat që mësohen në shkollë, qoftë edhe ato që janë gabim, mbeten me ne gjatë, shumë gjatë!
Për shembull, në gazetë kemi pasur gazetarë që në shkollë nuk ua kanë mësuar drejt ku duhet vendosur shkronjën ë dhe ku jo, dhe këtë defekt nuk kanë mundur ta riparojnë as në fakultet as në punë. Si rrjedhojë ata edhe sot shkruajnë me gabime bazike drejtshkrimore.

Në anën tjetër, derisa politika nuk interesohet për kualitetin e shkollimit, krejt ndryshe qëndron puna kur flasim për menaxhimin në shkolla: prej përzgjedhjes së drejtorëve e deri tek mësimdhënësit, politika i përzien gishtat e vet të ndytë për të punësuar të afërmit, bashkëpartiakët apo njerëz nga rrethi i ngushtë i interesit. Partitë i përdorin shkollat si mjet për të punësuar militantët, ndërsa niveli profesional i mësimdhënësve bie.
Politizimi i shkollës ka nisur moti, por vitet e fundit është zbatuar deri në maksimum, duke i bërë disa shkolla të duken më shumë si degë partish politike, se sa tempuj të mësimdhënies për gjeneratat që duhet të vijnë!
Sigurisht, gjithçka nis prej shkollës, përfshirë politizimin e sektorit publik dhe administratës!

* * *

Ku mund të jetë shpëtimi?
Në fakt, shkolla është shpëtimi i gjithë shoqërisë. Shkolla dhe arsimi janë shtyllat mbi të cilat ndërtohet një shoqëri progresive, që synon të ngrihet mbi vulgaritetet e së kaluarës, dhe të ndërtojë një të ardhme të iluminuar.
Por, që shkolla të jetë në gjendje të na e nxjerrë vendin dhe shoqërinë nga balta e injorancës dhe e padijes, për të na e dhënë një mundësi të fundit që të ndërtojmë një shtet demokratik dhe një shoqëri të hapur, atëherë së pari na duhet ne ta shpëtojmë shkollën. Ta shpëtojmë nga politika, mosdija dhe mospërgjegjësia.

Kambanat e alarmit ka kohë që po bien për shkollën e Kosovës. Dhe pyetja tani nuk është nëse po i dëgjojmë ato, por nëse do të bëjmë diçka që t’i ndalim kambanat dhe ta shpëtojmë shkollën. Dhe ta shpëtojmë veten. Duke i shpëtuar fëmijët tanë.
© KOHA Ditore