Kadriu shtron iftar për Bashkësinë Islame

Gjilan – Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës – Dega në Gjilan Rexhep Kadriu, në shenjë respekti për muajin e shenjtë të Ramazanit, sot ka shtruar iftar për Bashkësinë Islame në Gjilan.
Kadriu, anëtarë të AAK-së në Gjilan si dhe kryesia e Bashkësisë Islame në Gjilan, pritën iftarin së bashku, ku njëherit edhe folën për strategjitë e bashkëpunimit të tyre në të ardhmen.
Kryetari i AAK-së në Gjilan Rexhep Kadriu, falënderoi kryesinë e Bashkësisë Islame në Gjilan për pranimin e ftesës dhe njëherit premtoi mbështetje për kërkesat që BI ka tani dhe do ti ketë në të ardhmen.
Njëherit, kryetari Kadriu, konfirmoi bashkëpunimin e ndërsjellë si dhe foli edhe për planet strategjike të tij, të cilat padyshim se do të përfshijnë edhe Bashkësinë Islame në Gjilan.
Ndërsa, kryetari i Bashkësisë Islame në Gjilan dhe njëherit imami i Xhamisë së Madhe Sylejman Osmani, falënderoi kryetarin Kadriu për pritjen si dhe i shprehu edhe publikisht falënderimin e veçantë për urimet e marra nga ai, për nder të muajit të shenjtë të Ramazanit.
Ai tha se ky gjest, i cili e ka dalluar kryetarin Kadriu nga të gjithë të tjerët, është për tu vlerësuar, prandaj është shprehur mirënjohës për një përkujdes të tillë, ndërsa shtoi se njëjtë siç është premtuar mbështetje nga kryetari Kadriu, edhe Bashkësia Islame do të ofrojë përkrahjen e tyre./rajonipress/