Eko Higjiena

Kadare – “komunisti i fundit”

/ 5 minuta lexim
KKVITI

Nga Blerina Rogova – Gaxha – Në pamje modest e i zakonshëm, në qasje origjinal e i thellë, Ismail Kadare që për shumicën e atyre që flasin e lexojnë shqip është shkrimtari më i madh që sot e ka bota shqiptare, në Prishtinë e çoi një hap tutje konceptin e tij evropian për shqiptarët si komb. Ai tha se dilema nëse shqiptarët duhet të jenë pjesë e Evropës ose jo, as që duhet të ekzistojë, sepse ata gjithmonë kanë qenë pjesë e saj. Por, edhe kjo ishte boll që të çarteshin disa, që Kadarenë akoma e cilësojnë komunist.

Një ditë pasi çifti Kadare e trandi skenën e politizuar kosovare me “pak” kulturë e art, pati edhe (këlyshë) kosovarë që nuk lanë pa zhbiruar ku gjetën e ku nuk gjetën një fakt dhe një dëshmi ku Kadareja i shqiptarëve i zbritur në tokën e kosovarëve, të kish thënë njëherë e dikur se vërtet ishte komunist. Ani pse këtë ‘de fakto’ e kish gjetur në një poezi dashurie, ku autori në një listë numërimi poetik fuste edhe faktin e të qenit komunist. Zbuluesi i saj ‘anonim’ dukej se kish harruar që në mos për kurrgjë tjetër, e gjithë letërsia dhe poezia si e tillë, funksionon mbi “ligjin” fiksional. Nuk besoj që autori të jetë kaq i padijshëm sa të mos e dijë këtë, e aq më pak nëse këtë e ka thënë me dijeni.

Sidoqoftë, ky mund të jetë një personazh më shumë nga ata të cilët me “qykë” e me zor duan të bindin se “Kadare është një shkrimtar i madh, por një njeri i poshtër”. Kështu qarkulloi në rrjetin e shpirtit të kosovarëve të dijshëm e të padijshëm të FB-së.

Sipas çdo gjase, puna e përkatësisë së autorit ndaj një kohe dhe ndaj një ideologjie, ka mbetur në duart e taborreve të ndara të lexuesve, të cilëve zor se mund t’u besojë kush. Edhe ata që e çmojnë dhe e nënçmojmë njëkohësisht veprën dhe angazhimin e tij intelektual. Larg qoftë që ta presin me thikë e t’u lënë vragë rivalët e tij “të pabesë”.

Mobi Casa

Sipas të gjitha gjasave të tjera, mund të jetë efekt i një egocentrizmi adoleshent ose i një droje të papërvojë prej fillestari. Në pamje modest e i thjeshtë, në qasje origjinal e i thellë, Ismail Kadare, që për shumicën e atyre që flasin e lexojnë shqip është shkrimtari më i madh që sot e ka bota shqiptare, në Prishtinë e çoi një hap tutje konceptin e tij evropian për shqiptarët si komb. Kadare tha se dilema nëse shqiptarët duhet të jenë pjesë e Evropës ose jo, as që duhet të ekzistojë, sepse ata gjithmonë kanë qenë pjesë e saj. Përkatësia evropiane e shqiptarëve si komb nuk është privilegj, por është fat i tyre. Ata janë pjesë e Evropës, sepse u ngjajnë evropianëve, madje edhe në ashpërsinë që kanë.

Kadare do ta ketë thënë diku se ëndrra e Serbisë për Kosovën djep të saj është “përrallë për të përkundur budallenjtë”, siç do ta ketë thënë po ashtu se çmendia është karakteristikë e Ballkanit, edhe pse pa klishe e ndarje bardhezi, por të çmendurit ballkanikë janë kudo, edhe në Kosovë.

Kadare do të fliste kur të fliste për kombin e shqiptarëve e të kosovarëve, paradoksin e shkuljes dhe përzënies së një shteti nga kontinenti i vet, aty ku gjeografikisht s’mund që s’mund ta shkulësh dot. Kadare do të fliste kur të fliste në Kosovë me fjalën tipike të fjalorit të tij, për absurditetin makabër, dhe dilemën nëse një popull duhet apo nuk duhet të jetë në Evropë. Kadare do të fliste kur të fliste në Kosovë edhe për dramën kosovare të para katërmbëdhjetë vitesh. Kadare do të fliste e do t’u thoshte kosovarëve se kombi shqiptar është triumfuesi që i ka kapërcyer zhdukjes, dhe triumfuesi më i madh që i ka shpëtuar edhe zhdukjes nga vetvetja. Sulmi më i rrezikshëm do të thoshte ai është shpesh nga vetvetja, dhe kishte të drejtë.

Kosovarët “dyshues” mbi gjithçka e “triumfues” ndaj vetvetes, mund të kenë harruar gjëra që i kanë mësuar përgjatë kësaj rruge. Në këtë linjë mbase, ai dhe njëkohësisht ne, e ndjejmë një “lehje në grup”, të disa njerëzve që ujin në vend se për ta pirë, ka kohë që janë duke e lëpirë! Ky do të ketë qenë “rreziku nga vetvetja”, por që kombi shqiptar do ta ketë kapërcyer, duke ngadhënjyer edhe mbi zhdukjen krejtësisht të mundshme nëpër kohë. I pamë dhe i lamë gjithë këta njerëz duke e bërë zanatin e tyre, dhe duke mos pasur as kohë të merreshim me ta, sepse na kish marrë malli për Kadarenë.