UBT

Ka ndërruar jetë Sabit Agushi – një shok e mik i ditëve të vështira

/ 5 minuta lexim
ARKATANA

Gjilan – Thonë: “Miku i mirë, shihet në ditët e vështira”. Sabit Agushi, qytetar nga Zhegra, kur erdhi momenti i fundit i luftës (1999) të largohet nga fshati, ai nuk e harroi familjen Maloku që e pati fqinj të afërm të tij. Ai e bëri këtë vepër të madhe, e cila nuk harrohet asnjëherë nga familja në fjalë.

Sabiti, ato ditë të pas luftës pati rrëfyer autorit të këtyre radhëve këto fjalë: “Po, kjo është e vërtetë. Ishte 29 marsi i vitit 1999. Datë që nuk harrohet lehtë. Krejt banorët e Zhegrës i kaploi droja. Nuk i zinte vendi vend. Dilnim dhe hynim nga shtëpia pa folur asnjë fjalë në mes vete. Vinin lajme jo të mira. Si erdhën çetnikët serbë, pa një pa dy, ata mezi pritnin hakmarrje ndaj popullatës shqiptare. Filluan të enden lirshëm nëpër fshat. Ishin njerëz të huaj dhe me mjekra e sy të këqij. Ishin të armatosur gjer në dhëmb. Ato ditë të luftës i vranë në fshat: Milazimin, Qazimin, Qamilen, Shyqeri Tahirin. Kur dëgjuam për këto vrasje, mbetëm pa gjak e pa frymë. Dita, por edhe nata na dukej e gjatë një vjet. S’dinim çka të bëjmë. Luftë është. E në luftë pësojnë njerëzit. Sa u ktheva në mbrëmje nga fusha me tufën e deleve, mu te ura e fshatit, barbarët serbë ma kishin zënë rrugën. Aty ishin edhe serbët vendorë. Më provokuan me fjalë. U afruan afër meje dhe s’di si më shikonin. Ishte një gjendje tejet e rëndë. Pa bërë fjalë, unë ju drejtova: “A doni ndonjë qengj apo dele?”. Këtë e bëra nga frika që mos të pësoj keq. “Jo”, nuk guxoja t’ju them. Njëri i tha tjetrit: “Do ta qëlloj në plis të bardhë”! U afrova afër. E ndjeja veten si të “vdekur” para këtij shkau. O, zot, s’di si jam kthyer në shtëpi. Kur erdha pa frymë në shtëpi, djemve u rrëfeva ngjarjen e sotit.

U strukëm në shtëpi me dy djemtë: Xhevatin e Xhelalin. Nuk dilnim nga dhoma. Vajzat e mia frikoheshin shumë. E kaluam një natë të gjatë e të rëndë. Natë me krisma automatikësh. Kur u zgjova në mëngjes, më shkoi mendja te fqinji im, Behxhet Maloku. Ai me gruan e tij Shahen, djemtë Selverin, gruaja e tij Vahitja me fëmijët Ardiani (12), Vaxhiden (10), Arditën (8), Valonin (5) dhe Editën (3) vjeçare nuk kishin lëvizur fare nga shtëpia. Ishin stukur brenda dhe ishin mbetur pa gjak jete. Ata nuk kishin traktor. Naseri, djali i Behxhetit, lotonte dhe ndrynte në vete dhimbjen për familjen se çka do të ndodhë?!
Nuk prita të më thotë asnjë fjalë dhe të gjithë anëtarët e familjes së Behxhetit i mora në traktorin tim. Ikëm kah sytë- këmbët. Ne ikëm kah Kisha, Grykës së Vërnicës. Arritëm te Kalaja. Nuk ishim vetëm ne, kolona e njerëzve ishte e gjatë. Kur u larguam nga shtëpia, paramilitarët na thanë për të mos u kthyer më në fshat. Marrim lajme se gjysma e banorëve të Zhegrës janë strehuar në Goden, Remnik, Stubëll e Gjylekreshtë.

E filluam jetën në mal. Jetë nën qiellin e hapur. Jetë e rëndë. Këtu kaluam disa ditë. Nga frika, ne gjithnjë largoheshim për t’iu afruar kufirit për Maqedoni. Kaluam kufirin dhe u vendosëm në Llojan. Familjarët e këtij fshati na pritën mirë. Zoti i nderoftë! Po, zemër mirë ishin. O, Zot, na afruan bukë, strehim brenda dhe gjithçka tjetër. Ishim të stresuar tejmase. Na jepnin “gajret” se do të vijnë ditë të mira për të gjithë shqiptarët. Pas 78 ditëve qëndrimi jashta vendlindjes, Zhegrës, u kthyem në shtëpitë tona.

Mobi Casa

Më 15 qershor (1999) u ktheva, por çka të shtoj, kur të gjitha shtëpitë tona i kishin djegur. Shtëpitë ishin plaçkitur gjer në fund. Nuk kishin lënë asnjë send. Fshatit i vinte era tym e shkrumb. Akoma shihnim shtëpia duke u djegur. Kjo gjendja më ka brengosur shumë në jetë. Kur isha para lufte në fshat, i pata 100 krerë dele.

Pasi u ktheva, i gjeta vetëm 55 sosh. Por, s’ka fitore pa gjak e pa pësuar humbje. U gëzova që u ktheva me të gjithë mirë. U gëzuan edhe fshatarët e mi. U gëzua edhe Behxheti, fqinji im, të cilin e barta tërë kohën me familjen time. Por, djali i madh i Behxhetit, Selveri nuk u kthye më në Zhegër. Ai, si i larguar nga lufta u gjend në Amerikë. Atje edhe sot jeton.

Zhegra që kishte pësuar rëndë gjatë luftës, sot frymon megjithatë. U dogjën afro 410 shtëpi. U vranë disa qytetarë e u plaçkit tërë ekonomia familjare, por liria e ardhur është fitorja më e madhe, mbi të gjitha, ka shtuar Sabit Agushi nga Zhegra. Ja ky “personazh i një kohe dhe i kësaj kohe, nga sot mungon. Ai sot ka vdekur. Një vdekje e dhimbshme, por krenare. Varrimi i të ndjerit bëhet në fshatin e lindjes, në Zhegër./tefik selimi/rajonipress/