Fundamenti

KA kërkon rishqyrtim të kritereve për regjistrim në institucionet parashkollore

/ 3 minuta lexim

Gjilan – Komiteti i Arsimit është njoftuar në takimin e fundit, të kryesuar nga Arben Mehmeti, me sukseset, sfidat dhe problemet në arsim, ndërkohë që ka kërkuar shqyrtimin e kritereve për regjistrimin e fëmijëve në institucionet parashkollore. Drejtori i Arsimit, Nazmi Musa ka vënë në dukje fenomenin e largimit të nxënësve nga shkollat, pastaj grevat e mësimdhënësve, që janë e drejtë e tyre, por që në të njëjtën kohë cenojnë të drejtat e fëmijëve, problemin e kurseve private, ku mësimdhënësit nuk kanë të drejtë t`i marrin nxënësit e tyre, mos raportimin e mungesave të mësimdhënësve nga drejtorët e shkollave, disa probleme me sistemimin e kuadrove në gjimnaz dhe çështje të tjera të lidhen me sektorin e arsimit.

Fehmi Sylejmani (VV) ka shprehur shqetësime ndaj dukurisë së largimit të nxënësve nga shkollat, duke thënë se migrimi jashtë vendit po rrezikon edhe shkollat.

Sipas tij, numri i atyre që tashmë i kanë lënë bankat shkollore ka arritur në 250 ose edhe më shumë.

Sa u përket mungesave të mësimdhënësve, ai ka thënë se drejtorët e shkollave nuk duhet t`i fshehin ato, ndërkaq për mungesat e nxënësve të shkollimit fillor, sipas tij, përgjegjës duhet të jenë prindërit.

Leonora Bunjaku-Morina (PDK) ka thënë se gjimnazi ka nënshkruar një marrëveshje për të mos pranuar kuadro të jashtme gjatë pesë viteve të ardhshme, për t`i dhënë përparësi për sistemin kuadrit të brendshëm, shkaku i reformës, që rrezikon t`i lë pa vende pune një numër të mësimdhënësve.

Nazmi Musa, drejtor i Arsimit, thotë se punësimi në shkolla nuk është përgjegjësi e drejtorëve, por e DKA-së. Marrëveshja që ka bërë gjimnazi, nuk është obliguese për mua, madje as e ligjshme, thotë Musa.

RCCOLA

Rashit Sahiti (LDK) thotë se kjo situatë është pasojë e reformës në arsim dhe problemi sa i përket tepricës teknologjike do të jetë edhe më i ashpër në shtatorin që vjen.
Arben Mehmeti, kryesues i Komitetit të Arsimit, thotë se menaxhimi i shkollave, pranimi i kuadrit dhe sistemimi i tij, është përgjegjësi e Drejtorisë së Arsimit, e cila duhet ta bëjë këtë sistemim aty ku ka mundësi.

Kurse sa i përket regjistrimit të fëmijëve në çerdhe, Mehmeti thotë se duhet të ketë kritere dhe kjo çështje të mos lihet në duart e drejtoreshave, që të vendosin si duan ato, sepse nuk janë institucione private.

Vërejtje te mënyra e pranimit të fëmijëve në institucionet parashkollore ka pasur edhe Ajtene Shahiqi (AAK), duke thënë se nuk mundet që një familje t`i pranohet njëri fëmijë, ndërsa tjetri jo, sepse kjo nuk është zgjidhje për një grua që punon.

Leonora Bunjaku thotë se në çerdhe pranohen fëmijë të nënave që nuk janë të punësuara, ndërkaq nuk merren të atyre që punojnë. Shukrije Rapuca thotë (PDK) se kriteret bazë duhet të jenë unike.

Komiteti i Arsimit vendosi t`i vizitojë çerdhet, për t`u njoftuar me punën dhe problemet që kanë këto institucione. Edhe Nazmi Musa, drejtor komunal për Arsim, është pajtuar që kriteret të rishikohen./rajonipress/