RCCOLA

Jetojnë me 16 euro në muaj

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Edhe më tej rreth 10 për qind e popullatës në Kosovë jetojnë me ndihma sociale të cilat i marrin në formë të asistencës sociale nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS).

Gjatë këtij viti, sipas të dhënave të Ministrisë në skemën sociale të Ministrisë janë 31 mijë e 580 familje kosovare me 134 mijë e 544 banorë. Për të gjithë këta, Ministria ka paraparë që të shpenzojë gjatë gjithë vitit 27.2 milionë euro, e nëse e bëjmë një kalkulim del se brenda muajit mesatarja e një përfituesi është 16.8 euro.

Behxhet Gaxhiqi, këshilltar politik në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, (MPMS), tha se nevojat e njerëzve dhe familjeve, në kushtet e tanishme në Kosovë, janë të shumta dhe të llojllojshme, por, sipas tij, MPMS-ja i merr parasysh, i trajton dhe mbështet financiarisht vetëm ato familje që i plotësojnë kushtet dhe kriteret që parashihen me aktet ligjore dhe nënligjore që rregullojnë Skemën e Ndihmës Sociale (SNS).

Sipas tij, në bazë të ligjit ekzistojnë dy kategori të familjeve të varfra, që kanë të drejtën e përfitimit të ndihmave sociale. “Të drejtën në ndihmë sociale në kategorinë e parë, e realizon familja në të cilën të gjithë anëtarët e familjes janë të varur (të paaftë për punë), dhe asnjëri prej tyre nuk është i punësuar, si dhe familja me një anëtar të aftë për punë: a) me të paktën një fëmijë nën moshën pesë vjeç, dhe b) që kanë në përkujdesje të përhershme një jetim nën moshën 15 vjeç”, tha ai.

Sipas tij, për të realizuar të drejtën për ndihmë sociale, duhet që të gjithë anëtarët e familjes të jenë shtetas të Republikës së Kosovës dhe t’i plotësojnë kushtet për kategorizim në njërën prej kategorive të përcaktuara me ligj.

Fundamenti

Ai tha se të gjitha familjet që konsiderojnë se i plotësojnë këto kushte dhe kritere ligjore, parashtrojnë kërkesë për ndihmë sociale në Qendrat për Punë Sociale (QPS), në komunën përkatëse ku jeton dhe banon parashtruesi i kërkesës.

Gaxhiqi tha se numri më i madh i shfrytëzuesve të ndihmave sociale është në komunën-regjionin e Mitrovicës, pastaj Prishtina, e kështu me radhë.
Më tej, ai tha se shfrytëzues të ndihmës sociale mund të jenë edhe shtetasit e huaj të cilët kanë leje qëndrimi në Kosovë, personat në cilësinë e azilkërkuesit, personat në cilësinë e refugjatit dhe personat të cilët gëzojnë mbrojtje të përkohshme plotësuese.

Sipas Gaxhiqit, dy-tri vitet e fundit, buxheti vjetor për (SNS), ka qenë 28 milionë euro, ndërsa këtë vit është 27.2 milionë euro. Megjithatë, ai tha se kërkesat për ndihmë sociale dallojnë nga viti në vit.

“Numri i kërkesave të reja për ndihmë sociale, në nivel vendi, varion nga muaji në muaj. Gjatë sezonit të dimrit numri i kërkesave është më i madh, afërsisht 1400 kërkesa, ndërsa gjatë verës është më i vogël, diku afërsisht 800 kërkesa. Mirëpo prej tyre, aprovohen diku prej 400-600 kërkesa për ndihmë sociale”, tha ai./zeri/