Eko Higjiena

Jehona e zërit tuaj

/ 7 minuta lexim
Hidromorava

Nga Albin Kurti – Në ditën e paraparë për ratifikimin e marrëveshjes Thaçi-Daçiq në Kuvendin e Republikës së Kosovës, deputetët dhe populli kurrsesi nuk duhet të heshtin. Nuk duhet të heshtësh as ti që je edhe popull në kuptimin përmbajtësor të fjalës por edhe deputet në kuptimin joformal të fjalës. Përfaqësuesit e vërtetë të popullit nuk janë ata që zënë karriget mbi të por ata që i qëndrojnë pranë atij dhe i dalin zot kur është më së vështiri.

I dashuri veprimtar,

Në fakt, nuk do të duhej të heshtnim asnjë ditë. Sepse, për çdo ditë po dëmtohet rregullimi i brendshëm i Kosovës, për çdo ditë po zvogëlohet territori i Kosovës, për çdo ditë po vidhet Kosova si buxhet e si pasuri publike.

Të gjithë e dimë se Kosova është shpallur e pavarur, porse edhe më mirë se kaq e dimë se kjo pavarësi nuk është as e plotë dhe as plotësisht e vërtetë. Shtetit të dobët të Kosovës i duhen shtuar sovraniteti dhe integriteti territorial, zhvillimi ekonomik e sundimi i ligjit. Mirëpo, të gjitha këto Qeveria e Kosovës po i kërkon aty ku nuk gjenden dot: në dialogun politik me Daçiqin në Bruksel. Nga dialogu e marrëveshjet me Serbinë po fitojmë veçse gjymtim të mëtejmë të vendit tonë.

Nëse ratifikohet marrëveshja Thaçi-Daçiq atëherë i jipet vula vendore normalizimit të Serbisë brenda Kosovës. I këtillë është pra normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi: Serbia brenda Kosovës me miratimin e Prishtinës ndërkohë që Kosova jashtë Serbisë nuk do ta ketë miratimin e Beogradit. Me fjalë të tjera, Kosova nuk po bëhet si Bosnja sepse do të jetë edhe më keq se Bosnja.

I dashuri veprimtar,

Është e domosdoshme që ta shprehësh qëndrimin tënd, ta bësh publike atë që ta thotë mendja e ta do zemra. Kombi e shoqëria, në njërën anë, dhe privatja e privatizimi në anën tjetër, nuk shkojnë bashkë. Qëndrimi privat nuk është qëndrim. Vetëm qëndrimi publik është qëndrim.

Të gjitha të arriturat që i ka populli ynë janë bërë duke ju falenderuar sakrificave e vetëmohimit të bijëve e bijave më të mirë të tij, veprimtarëve të çështjes kombëtare. Ata dolën nga populli, dhe, duke iu rikthyer përherë atij, nuk u ndanë kurrë prej tij. Por, as populli nuk u nda prej veprimtarëve të tij: i strehoi nga armiqtë e u dha bukë, i mbështeti materialisht e u dha kurajo. Në luftën e popullit, vetë populli është logjistika, kurse ju veprimtarët mbanit frontin e betejës. Betejat ishin të armatosura e të paarmatosura, në paqe e në luftë, legale e ilegale, në liri e në burg – çdo kohë e çdo situatë, çdo vend e çdo etapë, i kishte veprimtarët e vet: ju kishte juve.

ARKATANA

Të gjitha të arriturat që i ka populli ynë janë bërë me flamurin e kuq e shkabën e zezë dykrenare në mes, në emër të kombit e për hir të bashkimit kombëtar. Prej Sami Frashërit te Fan Noli e te Ukshin Hoti, prej Avdyl Frashërit te Hasan Prishtina e te Adem Jashari, prej Dedë Gjo Lulit te Mulla Idriz Gjilani, prej Gjon Sereçit te Rexhep Mala e Nuhi Berisha, prej Fazli Grajçevcit te Zija Shemsiu, prej Kadri Zekës, Jusuf e Bardhosh Gërvallës te Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, ideja e ideali i bashkimit kombëtar konkretizohej si vullnet dhe frymë, si e drejtë dhe nevojë e popullit tonë.

Secili hap e merrte kuptimin nga hapi që vinte pas tij duke mundësuar kështu ecjen. Edhe shteti i Kosovës që kur u shpall i pavarur ka kuptim e sukses vetëm përderisa është në shërbim e funksion të kombit shqiptar e bashkimit të tij. Lëvizja kombëtare avancon me potencialitetin e jo aktualitetin e saj. Jo rastësisht, njëri brez i veprimtarëve inspirohet nga brezi paraprak dhe ecet tutje në rrugën e gjatë e të vështirë por gjithsesi të drejtë për liri e barazi, për zhvillim e drejtësi. Nxënësit bëheshin mësues dhe bashkoheshin edhe me nxënësit edhe me mësuesit e tyre. Shkolla politike kombëtare përherë ishte edhe më e rëndësishme sesa shkolla zyrtare e arsimit dhe edukimit.

I dashuri veprimtar,

Sot jemi në një gjendje shumë të rëndë. Mbase jemi në gjendjen më të rëndë jo vetëm prej shpalljes së pavarësisë por që prej çlirimit të Kosovës. Ish veprimtarë janë duke vepruar me nxitim e me zell në kahjen e kundërt me orientimin kombëtar. Qeveria kryesohet nga njeriu i cili mbahet në pushtet duke lëshuar pe për shtetin e duke mos e zënë në gojë kombin e shoqërinë. Ai kontrollon shumicën e medieve dhe humbjet në Bruksel orvatet t’i portretizojë si fitore në Prishtinë, kurse pasurimin e rrethit të tij si zhvillim ekonomik të Kosovës.

Rrënja e fjalës veprimtar është veprimi. Populli duhet t’iu shohë e dëgjojë juve. Ai është mësuar t’iu shohë e dëgjojë juve. Ai është i brengosur pse nuk po ju dëgjon e nuk po ju sheh. Atë që është e vërtetë, e drejtë dhe e mirë, ai është mësuar ta dëgjojë prej jush dhe duhet ta dëgjojë prej jush. Andaj, flisni e veproni. Ju lutem, flisni.

Ne aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! kemi mësuar e jemi frymëzuar aq shumë prej jush. Rëndësinë e organizimit politik dhe vlerën e bashkësisë shoqërore që krijon organizimi e kemi mësuar prej jush. Guximin e vendosmërinë, punën e aksionin, seriozitetin e sinqeritetin, besnikërinë e atdhedashurinë, të gjitha këto e shumë të tjera i kemi mësuar prej jush.

Në ditën kur do të sjellet për ratifikim në Kuvendin e Kosovës marrëveshja me Serbinë ne do ta kundërshtojmë atë brenda sallës me deputetët tanë e jashtë ndërtesës me aktivistët tanë. U kemi bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të bashkohemi në këtë demonstratë. Por, në veçanti, u bëjmë thirrje të gjithë juve veprimtarë të çështjes kombëtare dhe të burgosur politikë, të gjithë juve pjesëmarrës në demonstrata e ish anëtarë të organizatave ilegale e gjysëmlegale, të ’64-tës e të ‘68-s, të ’75-tës e të 81-shit, të ‘89/’90-tës e të ‘97/’98-tës, si dhe të gjithë luftëtarëve të lirisë, që ta ngrisin zërin e ta rezistojnë këtë marrëveshje, ratifikimin e saj dhe zbatimin e saj. Kjo marrëveshje me Serbinë nuk ka të bëjë me juve, me atë që ju mishëroni e simbolizoni. Kjo marrëveshje me Serbinë shkel dhe fyen kontributin dhe aktivitetin e secilit prej nesh dhe të gjithë neve.

Thirrja jonë sot është veçse jehona e vetë zërit tuaj që ju po e dëgjoni sërish tani.