«U munova tanë jetën me e ba kët ven’ Shypni, po zor të koka, bre!» – Idriz Seferi
Nga Demush Mehmeti – Idriz Seferi dhe pesha e gjykimit mbi luftën, gabimet dhe historinë . Pas shpalljes së aktgjykimit nga shkalla e parë e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj katër krerëve të UÇK-së, si dhe duke përcjellë reagimin e popullatës, protestat kundër këtij aktgjykimi, deklaratat e të gjithë eksponentëve, pro e kontra, jo vetëm të atyre që lidhen me vendimin e Gjykatës, por edhe me gjithë luftën e UÇK-së, rrjedhat politike që nga paralufta, po t’i dëgjosh e lexosh me kujdes këto deklarata, do të çuditesh se sa kontroversë dalin njerëzit dhe sa kontroverse duken ngjarjet.
Por nuk duhet harruar se kurrë, ama bash kurrë, ngjarjet dhe veprimet nuk u zhvilluan, nuk po zhvillohen e as nuk do të zhvillohen në mënyrë lineare. Vetë momentet, mundësitë dhe dëshirat në të gjitha kohët janë kontroverse. Duhet kuptuar dhe pranuar se nuk ka qenë dhe nuk do të jetë e mundur që gjërat të realizohen me veprime njëqind për qind të sakta, pa devijime e pa asnjë gabim, veçanërisht në rrethana lufte.
Liderët e gjykuar në shkallë të parë kanë pasur për detyrë të angazhohen që gabimet të ishin sa më të vogla dhe të mos toleroheshin. Secili le ta dëgjojë veten, le t’i shohë veprimet dhe prononcimet e veta, sa kanë mundur të jenë të sakta e të pandryshueshme përballë ngjarjeve dhe njerëzve. Çdoherë dalin vështirësi dhe rrethana që zhvillohen përtej angazhimit, dashjes dhe arsyes sonë dhe jo në përputhje të plotë me pritjet tona. Bukur e ka përmbledhur këtë dilemë tribuni popullor, Idriz Seferi, kur në shtratin e vdekjes tha:
«U munova tanë jetën me e ba kët ven’ Shypni, po zor të koka, bre!»
Pikërisht nga ky fakt m’u kujtua dhe e mora këtë thënie të Idriz Seferit. Jo rrallë, më ka rënë të dëgjoj lloj-lloj fjalësh përçmuese për këtë burrë e trim të madh atdhetar: se gjoja ka blerë armë prej atyre (serbëve), se ka bashkëpunuar me ta e të tjera të ngjashme, pa i peshuar rrethanat e kohës, pa u përpjekur të kuptohet në çfarë kohe dhe në çfarë kushtesh ka vepruar ai, bashkëpunëtorët dhe bashkëluftëtarët e tij. Unë, si pasardhës i njërit prej ushtarëve dëshmorë të Luftës së Kaçanikut, luftë e udhëhequr nga Idriz Seferi, i ndikuar nga disa thashetheme, nuk jam ndier aq krenar për paraardhësin tim, edhe pse i njëjti ishte vrarë në vijën e frontit, në përballje të drejtpërdrejtë me armikun. Kjo, pa dyshim, është ndikuar edhe nga rrjedha e mëvonshme e ngjarjeve.
Për të njëjtin dëshmor kam dëgjuar fjalë përçmuese, madje aq përbuzëse e naive. Kam dëgjuar nga vetë djali i tij, vëllai i gjyshit tim, se, në mësymje drejt istikameve të armikut, ishte goditur me një plumb vdekjeprurës mu në grykë. Për këtë veprim më ka rënë të dëgjoj edhe këtë shprehje: «Budalla i malokve, shka ka lypë me u çu në këmbë, pse me ia ka kthy pushkën turkut!» etj.
Rruga dhe luftërat për një qëllim të madh kombëtar nuk kanë qenë asnjëherë të lehta. Ato kanë qenë të mbushura me rrethana, sakrifica, gabime, dilema, kthesa e keqinterpretime, të cilat vetëm koha mund t’i peshojë më drejt. Dhe ndoshta ky është edhe mësimi më i madh: të mos i gjykojmë njerëzit e së kaluarës vetëm me syrin e momenteve. Është e ditur dhe vertetuar katërcipërisht se të pagabueshëm ishin dhe janë vetëm ata që nuk bënë e as nuk bëjnë asgjë për të mirën individuale, familjare, e aq më pak për atë më madhështoren: luftën për lirinë kombëtare!
Mendimi im se çka ka mbetur të bëhet e të thuhet pas aktgjykimit të Gjykatës? Liderët e gjykuar në Hagë ishin dhe janë burra e atdhetarë, pa dyshim me peshë shumë të madhe për vetë fatin tonë, që dhanë gjithë çka mundën në momentin dhe kohën kur kërkohej dhe kur vepruan. Nga ajo që thuhet dhe nga pasojat që dihen, gjatë këtyre angazhimeve mund të ketë pasur edhe veprime jo të duhura, por edhe të pakontrollueshme për rrethanat dhe nivelin organizativ të kohës, hiq glorifikimet e mundshme të mëvonshme!
Gabimet duhet të shikohen dhe verifikohen me shumë kujdes, në mënyrë që të mos bëhet një me ata që kanë merituar ndëshkimin dhe me ata që kanë pësuar padrejtësisht. Lufta ka vrasje e gjak; gabimet dhe pasojat duhet të korrigjohen aty ku mund të korrigjohen, me shumë kujdes. Është e pamundur të eliminohen të gjitha pasojat. Kjo duhet kuptuar. Por as nuk mund të thuhet se këto pasoja nuk kanë ndodhur.
Jemi popull i lashtë, me histori e me tradita. Edhe në problemet apo konfliktet individuale të njerëzve, kur ka ardhur deri te vrasja, ku dashja dhe kryesi kanë qenë të drejtpërdrejtë, janë gjetur forca dhe rrugë për tejkalimin e kësaj të keqeje. Në rastin kur kishte luftë dhe kishte veprime jo adekuate, viktima, sado individ, nuk ishte domosdoshmërisht viktimë e një angazhimi krejt të qëllimshëm dhe individual, por ishte pasojë edhe e frymës së krijuar nga disa momente të keqkuptuara dhe nga vetë niveli i organizimit dhe kontrollit. Gabimet duhet të kuptohen e të tejkalohen. Duhet të ecet përpara. Njerëzve dhe familjeve që kanë pësuar padrejtësisht duhet t’u lihet vendi meritor dhe të mos keqpërdoren për larje hesapesh politike, apo për interesa individuale, grupore e klanore!
Gabimet e ndodhura gjatë luftës së UÇK-së, sado që Serbia me aleatët e saj tentojnë t’i përdorin, nuk mund ta arsyetojnë luftën e tyre pushtuese dhe krimet e kryera në Kosovë: vrasjet, dhunimet, varrezat masive, transportimin e kufomave nga një vend në tjetrin me qëllim të mbulimit të gjurmëve, si dhe djegien e shtëpive dhe dëmtimin e grabitjen e pasurisë së popullatës.
Me plot të drejtë, me plot besim, presim që vendimi i Gjykatës së Apelit të sjellë një Akgjykim lirues për katër liderët. Pa pretenduar se ka viktima të rendit të parë apo të dytë, por as nuk mund të krijohet një barazim moral e historik ndërmjet një lufte që shqiptarët e kanë parë si luftë çlirimtare dhe luftës së Serbisë në Kosovë, të cilën historia dhe dokumentimi i krimeve e lidhin me fushatën e dhunës dhe spastrimit të popullsisë shqiptare.


