Jashtë teatrit, aktorët gjilanas nuk po aktrojnë!

Nga Avni Rudaku – Aktorët janë kategori e veçantë shoqërore dhe profesionale, të cilët që nga paslufta asnjëherë nuk u bënë pjesë e rëndësishme e politikave serioze që përmirësojnë kushtet e punës dhe rrisin motivimin për aktivitetin krijues dhe artistik. Pardje dhe dje (e enjte dhe e premte) ata po organizoheshin dhe po bënin një protestë, pa zhurmë, pa bërtima.
Aktorët dhe punëtorët e Teatrit të Qytetit, për disa prej nesh edhe ishte e pabesueshme që po protestonin, sepse megjithëse ishin në këto kushte të rënda që moti, ata e ato nuk kishin protestuar. Mbajmë në mend se si patën protestuar aktorët e Teatrit të Gjakovës, në mesin e tyre edhe aktori me përvojë të gjatë teatrore dhe filmike, Hadi Shehu, dhe protesta e tyre ndonëse nuk u mor aq seriozisht nga autoritetet komunale dhe qeveritare, ajo shënoi një dhembje të thellë te publiku, shoqëria civile dhe gazetarët.
Të gjitha kategoritë shoqërore duhet trajtuar njësoj në empati dhe kujdes, por të shohësh në rrugë aktorët dhe punonjësit e teatrit, shoqërohet edhe me disa ndjesi të tjera emotive te publiku, sepse aktorët janë edhe yje sociale, audienca identifikohet me rolet e tyre, imition karakteret që kanë parë teksa i ndërtojnë aktorët e teatrit apo të filmit e kështu me radhë.
Në politikat sociale dhe në qasjet e udhëheqësve, qasja ndaj të gjithëve duhet të jetë njësoj, pa anashkaluar asnjërën shtresë shoqërore, mirëpo, audienca nuk e ka këtë qasje të ngjashme për të gjithë. Ja po e ilustrojmë me një shembull konkret. Nëse dalin në protestë punëtorët e një fabrike pas privatizimit, të gjithë natyrisht do të solidarizohemi me ta, por kur shohim aktorët e teatrit e të filmit në protestë, te ne zgjohen edhe emocione shtesë: na kujtohen filmat që i kemi parë, shfaqjet në të cilat kanë luajtur, karakteret e tyre.
Ndërsa kur i shohim punëtorët e një fabrike, na dhimbsen, i mbështesim verbalisht, me peticion apo i bashkëngjitemi në protestë, por kur është fjala për artistët, popullata, e veçanërisht brezi i ri, identifikohet me ta, bëhet njësh me pakënaqësitë e tyre dhe teksa i njeh më parë edhe me përvojën e shikuesit apo të spektatorit, frustrimin dhe kërkesat e artistëve i përjeton edhe më thellë.
Pra, ne patëm rastin të shohim manifestimin e shprehjes së zemërimit të punëtorëve të teatrit në Gjilan, të cilët nuk po na kërkonin aq shumë: thjeshtë, po kërkonin të mos vonoheshin pagat nga subvencionet e alokuara nga komuna dhe disa kontrata gjashtëmuajshe që i kanë bërë me drejtorin e përgjithshëm të Teatrit të Qytetit.
Aktorët dhe punëtorët teatrorë, nuk po kërkonin rritjen e pagave ekzistuese, as edhe sigurimin shëndetësor, por të merrnin pagat që ishin vonuar për një kohë të gjatë; që nuk i kishin marrë disa edhe nga viti i kaluar, disa vetëm në muajin prill dhe akoma nuk kanë marrë pagë të tjera. Aktorët ndonëse nuk mund të mbijetojnë nga aktrimi, këto subvencione të paktën u sigurojnë një mënyrë jetese për të kaluar pragun minimal të mbijetesës dhe për të rrënuar dinjitetshëm.
Aktorët pa moshë dhe pa pension
Togfjalëshin “aktorë të vjetër” nuk preferojmë ta përdorim sa herë që të mundemi, sepse cilësori “të vjetër” presupozon një send të papërdorshëm, jofunksional dhe që duhet gjuajtur diku jashtë, ngase nuk na hynë në punë. Nuk preferojmë këtë atribut, sepse konsiderojmë se nëse ka ndonjë kategori profesionale që nuk ka moshë kalendarike, janë pikërisht aktorët. Aktorët i duhen skenës, dramës e komedisë, filmit e zhanreve të tjera teatrore dhe kinematografike, pavarësisht moshës. Ata luajnë jetën dhe jeta përbëhet nga të gjitha moshat!
Nuk preferojmë as togfjalëshin “aktorë të moshuar”, sepse kjo nënkupton se aktorët përsëri kanë moshë dhe dalin në pension, e që në fakt, aktorët mbesin aktorë edhe pas pensionimit të zakonshëm të moshës ligjore e gjenerale, sepse ndodh që pas moshës së pensionit të të tjerëve, të arrijnë kulmin e rolit në skenë. Sidoqoftë, po flasim për gjuhë nocionesh, se gjithmonë do të kemi refuzim filozofik dhe estetik, për të qenë sa më të kujdesshëm.
Tani po flasim për dy kategori të aktorëve që protestuan: aktorët që janë në moshë të re kalendarike (disa që kanë kryer para pak vitesh Fakultetin e Arteve – dega aktrim, regji etj.) dhe aktorët që janë në moshë më të shtyer dhe me përvojë shumë të gjatë në skenën e teatrit e të filmit. Punëtorët teknikë dhe administrativë janë po ashtu një kategori e rëndësishme e teatrit, pa të cilët shfaqja nuk ka mundësi në asnjë mënyrë të realizohet, por edhe pa ta, teatri duhet të mbyllet menjëhershëm.
Të gjithë punonjësit teatrorë po kërkonin që vonesa e pagave të ndalet! Mos të harrojmë: aktorët nuk janë thjeshtë shërbyes civilë, sepse puna e tyre hynë edhe në rendin dhe sistemin e vlerave shoqërore dhe kulturore të një shoqërie; regjistron momentin emancipues dhe rilindës; madje vetë zbritjen në civilizim dhe edukim! Një qytet pa teatër nuk quhet sociologjikisht qytet, por edhe një popull pa teatër, është popull, por shihet pa shije civilizuese nga të gjithë!
Shkaqet e vonesave të pagave
Ka shumë arsye që aktorëve u vonohen pagat, se si punëtorët teknikë kanë paga më të larta se aktorët e rinj, e të tjera aspektesh që kanë të bëjnë me Teatrin e Qytetit të Gjilanit. Disa nga arsyet le t’i radhisim dhe t’i shpjegojmë lehtësisht:
1. NDRYSHIMI I LIGJIT MBI TEATROT. Në vitin 2005, parashihej me nene specifike edhe financimi, ku në Kreun III, neni 16, thuhej: “Teatri Kombëtar i Kosovës, teatrot profesioniste të qyteteve dhe teatrot e qyteteve janë institucione buxhetore ose gjysmë-buxhetore, që krijohen ose transformohen në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe në zbatim të këtij ligji.”(f.4) Rrjedhimisht, Teatri i Gjilanit njihej si Teatri Profesionist i Qytetit, duke iu njohur statusi më i lartë publik, menjëherë pas Teatrit Kombëtar të Prishtinës. Me këtë Ligj paraprak para aprovimit të Ligjit të ri, parashihej drejtpërdrejtë mbështetja financiare nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport (MKRS). Me nenin 17, thuhej bukvalisht: “Mjetet për punën e teatrove publike sigurohen nga: a. Buxheti i MKRS; b. Buxheti i qytetit, përkatësisht i komunës; c. Të hyrat vetanake, të realizuara nga veprimtaria e teatrove; d. testamenti, sponsorët, dhuratat dhe të hyrat tjera.”
Nga kjo shihet se Teatri i Qytetit të Gjilanit mbështetej së pari nga Ministria përkatëse, më pas nga komuna (subvencionet e tanishme), pastaj të hyrat vetanake (sipas një tabele të të dhënave të komunës, këto të hyrat sillen rreth 14 apo 15 mijë euro) dhe sponzorët e të hyrat e tjera. Kur bëjmë fjalë për sponzorët, ka një motivim të ulët të financimit të artit në përgjithësi, qoftë nga politikat e dobëta të mosinsistimit për themelimin e një Ligji mbi sponzorimin e artit, qoftë nga konteksti historik i formimit të elitave tregtare dhe ekonomike në rrethana jo aq artistokrate dhe të edukimit kulturore e estetik, qoftë nga humbja e besimit në donacionet që kanë dhënë për shumë aktivitete, qoftë nga financimi më tepër i ngjarjeve politike për shkak të klientelizmit dhe të kthimit të donacionit në marrjen e tenderëve e të ngjashme.
Sidoqoftë, me Ligjin e vjetër, teatrot e qytetit e kanë pasur një përcaktim më konkret, më direkt dhe më të kornizuar në mbështetjen financiare nga Qeveria, përkatësisht MKRS-ja, komuna e kështu me radhë. Edhe sot MKRS-ja ndanë ndonjë para për teatër, madje ka raste kur drejtorët e teatrove, apo edhe anëtarët e Këshillit Drejtues, konkurrojnë në projektet kulturore-artistike të vitit në MKRS dhe po që se fitojnë, konkurrojnë me projektin e tyre, ndajnë role për vete dhe bien thellësisht në konflikt interesi, pasi që nuk kanë të drejtë edhe të jenë drejtorë të përgjithshëm, apo anëtarë të Këshillit Drejtues, e në të njëjtën kohë të jenë aktorë në atë shfaqje.
Me Ligjin aktual në fuqi mbi teatrot, thuhet: “Drejtori i përgjithshëm, udhëheqësi artistik dhe anëtarët e Këshillit drejtues të teatrit nuk kanë të drejtë që gjatë mandatit të tyre të merren me punë krijuese të kontraktuara në teatrin ku punojnë.”(f.10). Pavarësisht kësaj dhe vakuumit juridik në interpretime, që të mos zgjerohemi, po argumentojmë se edhe sot ka ndonjë prurje financiare të MKRS-së për teatrot e qyteteve, por janë të hyra shumë të vogla, parciale, stacionare dhe sporadike.
Prandaj, një prej shkaqeve të mbështetjes më të dobët financiare për teatrot e qyteteve, nuk është se ka ndonjë pengesë serioze nga ligji për të ndaluar ndihmën financiare për teatrot e qyteteve, por ekziston mekanizmi i shpërndarjes dhe zhvendosjes së përgjegjësisë nga komuna apo Ministria. Këtu pësojnë vetëm aktorët dhe punonjësit e tjerë të teatrove.
Prandaj, po e themi se ligji këtu merret si alibi, por edhe si mekanizëm mbrojtës kur te kritikohet Ministria për mospërkrahje financiare të teatrove të qytetit, përkatësisht edhe të ndihmës ndaj Teatrit të Qytetit në Gjilan. Po ashtu, disa punëtorë teknikë dhe administrativë këtu janë si shërbyes civilë sepse kryejnë punë në kuadër të përgjithshëm të drejtorisë për kulturë, rini dhe sport, e cila sipas një tabele kishte afër 35 punëtorë në totalitet, ndërsa aktorët paguhen me subvencione, që nënkupton gjithmonë kanë edhe pasiguri në marrjen e të ardhurave mujore! Madje, teksa paguhen me subvencione, shpesh kryetari i komunës tejlavdërohet që po tregohet aq i mirë me aktorët!!!
2. Me Ligjin e fundit mbi teatrot, është një nen ku thuhet: “Mjetet financiare për punën e teatrove publike sigurohen nga buxheti i Qeverisë së Republikës së Kosovës.” (f.9). Mirëpo, sherri mbetet te neni tjetër pasardhës, i cili përgjegjësinë financiare ia delegon komunave.”Mjetet për punën e teatrove publike kombëtare i siguron Ministria, ndërsa mjetet financiare për punën e teatrove të qyteteve i siguron komuna përkatëse.” (f.10) Pra, jo rastësisht atëbotë, kanë shprehur revoltën një grup artistësh për këtë ligj, por edhe vetë ne personalisht kemi shkruar artikuj për dëmet që sjellë ky formulim ligjor si shfajësim qeveritar. Edhe njëherë të jemi të qartë, ligji është vetëm si mbulesë arsyeshmërie, sepse ligji nuk e përkufizon si krim të organizuar nëse i ndihmon teatrove të qytetit!!!
3. Aktorët e teatrit, por as stafi administrativ dhe teknik, nuk janë marrë seriozisht nga udhëheqësit e komunave. Zakonisht në fillim të mandateve kanë gëzuar respektin e drejtuesve të qyteteve, sepse u është dashur për ta shfrytëzuar popullaritetin e aktorëve në masat e gjera popullore dhe qytetare, dhe posa i kanë mbushur disa muaj në pushtet qeverisës, i kanë lënë anash, janë sjellur me arrogancë, me indiferencë; herë janë lajkatuar, herë kanë dhënë premtime për mbështetje, herë u kanë dhënë ndonjë pagë sa për të shtyer pakënaqësinë që të mos del në pah.
Mirëpo, asnjëherë nuk është provuar të bëhen politika serioze të financimit të qëndrueshëm dhe sistematik, pa ankthet e aktorëve se a do t’u dalin pagat në bankomatet e tyre për secilin muaj. Bile, një aktor e kam dëgjuar se pati shprehur një battue që pasqyron edhe këtë gjendje: “Dita e mirë nuk shihet në mëngjes, por në bankomat!” Kjo shpreh më së miri sfidën ekzistenciale dhe pasigurinë e të ardhurave financiare të aktorëve. Ngjashëm u ka ndodhur disa herë aktorëve, të cilët kur kanë shkuar në ditët e para të muajit, s’kanë pasur çfarë të shohin: s’ka pare! S’ka subvencione! S’ka pagë!
Fatkeqësia mbetet se aktorët kanë qenë pjesë e politikave të shkëputura të financimit dhe në vend se të shihej si obligim ligjor financimi e tyre, ata në fakt janë trajtuar si target-lëmoshe. Dikush e ka thënë: si raste sociale! Mirëpo, rastet sociale bëhen obligime ligjore për t’i paguar! Kur merret statusi me asistencë sociale për një familje, nuk ka një muaj t’i jepet paga, një muaj jo! Kështu u ka ndodhur aktorëve të teatrit. Herë i kanë marrur pagat, e herë jo!
4. Shpenzimet jo të arsyeshme të komunës dhe menaxhimi i dobët financiar. Shihni pasqyrat financiare të raporteve të Zyrës së Auditorit Gjeneral (ZAP), e shihni që ka menaxhim shumë të dobët financiar dhe ZAP u ka tërhequr vërejtjen zyrtarëve komunalë se kjo ndikon në devijimet buxhetore, mungesën e kontrollit, rritjen e keqpërdorimit, mbulueshmërinë e dobët të financimit të projekteve, në rënien e subvencioneve, e si rrjedhim, edhe ngecje dhe vështirësi në financimin sistematik të punonjësve teatrorë. Komuna e Gjilanit, imagjinoni, ka shpenzuar para shtesë për ekskursionet e shërbyesve civilë, shkuarjen në Shqipëri, e të tilla shpenzimesh të panevojshme, në një kohë kur komuna është e lëndueshme financiarisht. Aq më shumë, kur tash kemi protestën e punëtorëve të teatrit, ne e shohim se gjithnjë e më shumë kemi të drejtë kur i adresojmë këto kritika ndaj politikave të qeverisjes aktuale në komunë mbi shpenzimet e kota. P.sh., le t’iu vonohen pagat shërbyesve civilë, të cilët kanë kontratë të rregullt, po ua sigurojmë se shumica prej tyre, e shihni se si dalin në protesta masive!
Ata edhe kanë kontratat e tyre të rregullta – po u dashka t’i dërgojmë “edhe n’deti” – me përjashtim të disa shërbyesve civilë që janë me kontrata në vepër e disa janë praktikantë, e disa prej tyre janë edhe të mbipunësuar për të përmbushur detyrimet dhe borxhet e militantëve partiakë, të cilët i kanë ndihmuar pushtetit në kohë zgjedhjesh dhe beneficionet kthehen pas marrjes së drejtimit qeverisës! Pse të shpenzohen para shtesë për ekskursionin e shërbyesve civilë, militantëve të partisë dhe të kategorive të tjera si pensionistë, në një kohë kur komuna nuk ka t’ua jap pagat as njëzetë aktorëve të teatrit (numër maksimal i ansamblit rezident sipas Ligjit për teatrot e qyteteve, ndërsa për Teatrin Kombëtar në Prishtinë, ky numër shkon deri në 30 aktorë), e në anën tjetër të shpenzojnë për diçka si luks, si relaksim pas punëve të shërbyesve civilë në administratën publike dhe në sektorë të tjerë (kjo u bë për fushatë latente elektorale)!!!
Duhet të theksojmë se nuk jemi kundër argëtimit, e veçmas punonjësit që merren me punë teknike-administrative janë punëtorët me stresin më të lartë të punëve për shkak të kërkesave të mëdha dhe emergjente, por kjo do të bëhej në kushte të tjera të buxhetit të komunës së Gjilanit! Shumë e kuptueshme: komuna me paret e shpenzimeve për këto ekskursione, do të mund t’i paguante disa paga të aktorëve, madje edhe për disa muaj!
Ndërsa 11 milionë e më shumë i shkojnë buxhetit të komunës vetëm për paga dhe mëditje! Pse nuk i vonohet po ashtu paga drejtorit të përgjithshëm nëse i vonohet punëtorëve të teatrit?! Me ligjin mbi teatrot, në nenin 5, rregullohet numri i aktorëve rezidentë. “Teatri i qytetit mund të ketë ansamblin rezident prej së paku dhjetë (10) dhe me së shumti njëzet (20) aktorëve.”(f.4) Vetë fakti që Ligji përcakton ansamblin rezident të aktorëve, duhet t’i bëhet zgjidhja, sepse thyhet edhe ligji! Pra, pagesa ndaj aktorëve është detyrim ligjor, pavarësisht a vjen nga subvencionet apo nga cilat kolona buxhetore! Madje, me Ligjin e ri, edhe anëtarët e Këshillit Drejtues, duhet të kompensohen. “Anëtarët e Këshillit drejtues kompensohen për punën e tyre. Forma dhe shuma e pagesës caktohet sipas legjislacionit në fuqi.”(f.6) Ndërsa ne e dimë se Këshilli Drejtues nuk e ka kryer rolin si dhe sa duhet në përputhje me detyrat e përcaktuara, nuk është funksionalizuar si duhet dhe në kohë të paraparë, mirëpo, po themi se si mund të bëhet një ligj që ka kosto financiare, ndërsa nuk realizohet kostoja! Madje, sipas informacioneve, kanë qenë dy përfaqësues të komunës, ndërsa duhet vetëm një përfaqësues në këtë Këshill.
Një aktor më tha se dy prej tyre kanë vlerësuar se duhet dhënë dorëheqje dhe që është poashtu është shenjë e mosfunksionimit të këtij Këshilli. Po ashtu, Teatri i Qytetit, ka mbetur pa udhëheqës artistik për një kohë të gjatë pas largimit nga detyra të ish-udhëheqësit, ndonëse mungesa e tij nuk vërehet sepse është sjellur me arrogancë të pashoqe dhe më drejtor se drejtori, por Ligji e parasheh një post të tillë!
5. Drejtori i përgjithshëm i Teatrit të Qytetit, mbetet aktor i mirë dhe mik i mirësjellshëm (më ka ra disa herë të takohem me të, njëherë më pati lëshuar sallën e teatrit për përurimin e librit tim, dhe në vazhdimësi ka sjellje shumë të mira ndërpersonale, madje së fundi shkova të siguroja ndonjë biletë dhe me kënaqësi m’i dhuroi dhe gjithmonë i mbetem mirënjohës), por dorën në zemër, nuk e ka shpirtin e drejtuesit të suksesshëm.
Janë disa tipa me aftësi të larta organizative dhe ky post ndoshta në të ardhmen duhet të diskutohet të jetë jo detyrimisht aktor, por me shkollim cilësor të menaxherit të zhdërvjelltë! Ai do të duhej që t’i adresonte dhe t’i bënte presione edhe më të mëdha komunës dhe ministrisë, për buxhetin e mangët të teatrit, për pakënaqësitë e punëtorëve teatrorë, aktorëve dhe aktoreve, e të tjera obligimesh që dalin prej tij, sepse drejtori parashihet që “të kërkon, aplikon dhe negocion për marrjen e donacioneve (shih faqe 7, detyrat e drejtorit të përgjithshëm sipas Ligjit mbi teatrot)”.
E dimë që nuk është punë e lehtë, por pozita e tillë drejtuese natyrisht se është bërë pikërisht që nuk është udhëheqje komode! E dimë që është tepër vështirë të gjinden fonde sidomos sot, në këtë kohë të mosbesimit të madh të donatorëve, në këtë kohë të krizës së madhe ekonomike brenda vendit dhe jashtë vendit etj. etj. Drejtori duhet të thellojë bashkëpunimin vendor dhe ndërkombëtar dhe në këtë fushë po ashtu drejtori nuk ka arritur ta bëjë asgjë. Këshilli Drejtues në këso situatash, duhet ta mendojë edhe shkarkimin, apo edhe vetë drejtori ta kërkonte dorëheqjen, të paktën si akt moral, apo ta kushtëzojë pagesën e punonjësve teatrorë me dorëheqjen e tij! Me këtë ligj, drejtori i përgjithshëm i teatrit po ashtu, “ mbikëqyrë të hyrat dhe shpenzimet buxhetore si dhe të donacioneve”, prandaj në disa raporte të ZAP-it nuk shihet se ka kontrolle strikte të shpenzimeve dhe mbikëqyrje të duhur.
6. Mungesa e të hyrave vetanake të teatrit. Teatri e ka të vështirë kudo në botë të mbijetojë vetëm me të hyrat e tij vetanake, me përjashtim të ndonjë teatri të Londrës apo Nju Jorkut, e të ngjashëm, por të paktën, të hyrat vetanake duhet të ngriten, qoftë përmes një marketingu më kreativ të shfaqjeve teatrore, qoftë përmes rritjes së interesimit të publikut për shfaqjet teatrore, qoftë duke bashkëpunuar me institucionet e tjera edukative-arsimore dhe degët e UP-së në Gjilan, por edhe kolegjet universitare, gjetja e fondeve vendore dhe të huaja, qoftë duke ndryshuar politikat e gjertanishme të çmimores së biletave, pasurimit me projekte të reja, menaxhimit më të mirë financiar të biletave etj. P.sh., zakonisht premiera jepet falas. E kuptojmë që kjo është gjë e mirë, mirëpo, zakonisht në premierë mbushet salla plot, ndërsa në reprizë nuk ka fare pak shikues.
Marketingu dhe fusha mediale duhet të ndryshohet, ngase kemi vetëm një njoftim mbi shfaqjet në fejsbuk apo pranë teatrit, por jo të mbushet qyteti me disa fletushka që mund të bëhen me letra të thjeshta e të bardha A/4 (sa për fillim dhe të paktën të mos ndalet insistimi për nxitje të frymës kulturore në qytet!). Rritja e të hyrave vetanake do të mund të bëhej më mirë, nëse punohet me kujdes më të shtuar në politika më kreative të tërheqjes së shikueshmërisë dhe thithjes së donacioneve për projekte të ndryshme teatrore.
7. Varfëria, papunësia, rënia e investimeve vendore dhe të huaja në Kosovë dhe në komunë, ka efektet e saj në shfaqjen e problemeve të nduarndurshme. Si pasojë, kemi buxhet të dobët, vonesa në alokimin e mjeteve buxhetore, subvencione minore dhe të gjithë këta janë faktorë të keqfinancimit të aktorëve dhe punëtorëve teatrorë.
8. Zhvillimi tekniko-teknologjik ka rritur fushat e argëtimit shoqëror dhe artistik të masave të gjera të shikuesve dhe nuk është lehtë sot të tërheqësh spektatorët në teatro. Njerëzit janë vetë klikuesit e filmave dhe gjërave që duan t’i shohin! Natyrisht, shija mbi vijueshmërinë e rregullt në teatro kultivohet nga kultura jonë e përgjithshme e formimit edukativ dhe estetik, mirëpo, kjo shije sot kultivohet me forma të reja pedagogjike dhe me politika më vizionare mbi zhvillimet e trendëve të rinj në kulturën teatrore. Pa dyshim, nuk është asnjëherë lehtë, ta sfidojmë botën e shumëllojshmërisë në internet!
9. Kam lexuar edhe artikuj të problemeve të aktorëve në shumë vende të ndryshme të botës, madje edhe në ato perëndimore. Në Perëndim diskutohet mjaft shumë edhe për format më adekuate të financimit të aktorëve të teatrit dhe të filmit. Shumica ndajnë qëndrimin se teatrot duhet ta kenë një shumë të rregullt të pagesës për ansamblin rezident, por gjithmonë thuhet se aktorët nuk mund të jetojnë vetëm nga aktrimi.
Shumë të tjerë po ashtu besojnë se forma më e mirë e financimit të aktorëve mbeten projektet e veçanta dhe kjo bëhet edhe motivacion për aktorët, që gjithnjë të jenë në rrjedha, kontakte dhe krijim të raporteve të reja me institucione, organizata, etj., në mënyrë që të mos pasivizohen dhe gjithmonë të punojnë në të qenit sa më produktiv, sa më krijues dhe sa më të zellshëm në punën e tyre krijuese.
Ka studentë aktrimi, që fatkeqësisht akoma kanë mbetur me librat e Shekspirit, madje nuk lexojnë fare, me përjashtim të pjesëve të tekstit të inskenuar, por kjo është sfidë e kulturës së gjerë shoqërore që është instaluar në vendin tonë, e për të cilën duhet ndryshuar me angazhimin e të gjithëve, duke filluar nga rritja e cilësisë së edukimit universitar dhe parauniversitar, roli i medieve, drejt
orive për kulturë, MKRS-së, rritja e motivimit për t’u marrë me aktrim, rritja e vetëdijes shoqërore për rolin e teatrit në zhvillimin shoqëror dhe edukativ etj.
10. Komuna me mbi 3.3 milion euro detyrime ndaj kompanive dhe furnitorëve të ndryshëm, nuk e ka të lehtë menaxhimin e buxhetit komunal dhe këto detyrime janë barrë e rëndë për komunën e Gjilanit, kur kemi parasysh se buxheti është rreth 19 milion, ndërsa rreth 500 mijë euro po e zëmë janë vetëm për subvencione në përgjithësi. Prandaj, duhet që komuna të menaxhojë sa më arsyeshëm paratë, por edhe vetë Kuvendi Komunal.
Pa i kryer pagat ndaj aktorëve rezidentë të teatrit, nuk duhet të kalohet në shpenzime si dreka dhe darka të Kuvendit Komunal. Sinqerisht, nuk e kuptojmë qysh asambleistët disa herë i kemi parë, ndonëse marrin rrogat e tyre mujore (“e marrtë e keqja, zakonisht njëherë në muaj kanë një seancë dhe kanë pagë, plus disa honorare në komisione”) dhe për dy-tri orë seancë, menjëherë shkojnë në hotel “Kristal” a “Bojanë” dhe hanë drekë, e që këto mjete mund të alokohen si pare edhe për pagat e aktorëve! Nuk është keq të hahet bukë sepse është motiv primar njerëzor, por në një komunë aq të varfër, me përjashtim të ndonjë dreke me investitorë a ndonjë delegacion të veçantë zyrtar, se përndryshe, duhet shmangur rreptësisht drekat dhe darkat nga zyrtarët komunalë nga buxheti i mjerueshëm i komunës! Arsyeja kryesore: nuk ka pare! Varfëri! Papunësi! Kur s’kemi, duhet t’i kthehemi pashtetave në zyre, madje me pare nga xhepi ynë!
Përpjekje modeste për t’ia lidhur kryet kësaj pune
Ne kemi rënë dakord që jo vetëm t’i përkrahim protestat e punëtorëve teatrorë, por edhe të japim kontributin me forcat tona profesionale dhe intelektuale në përpjekjen për zgjidhjen e kërkesave të tyre. Modeli jonë konsiston në rritjen e efikasitetit me të njëjtat burime financiare, kontrollin e rreptë financiar, racionalizimin e skajshëm të shpenzimeve komunale, e veçanërisht të zyres dymilionëshe të kryetarit të komunës, por edhe të bëhet presion në MKRS që të ndihmohen teatrot edhe më shumë në financimin e aktorëve të rinj dhe të gjeneratës më të moshuar; të bëhen presione që të ndryshohet Ligji aktual mbi teatrot, në mënyrë që Ministria të financojë jo vetëm përmes disa projekteve ‘kurgjohiçe’ njëherë në vit gjatë konkursit publik, por që sistematikisht të bëjë presione në kryeministri, që teatrot e qyteteve të mbështeten më shumë financiarisht nga ndarja e buxhetit të përgjithshëm!
Pa një organizim të fuqishëm në mes të punëtorëve teatrorë, pa rritjen e presionit të Këshillit Drejtues ndaj drejtorit të përgjithshëm, pa bërjen presion prej poshtë-lartë në Qeveri, nuk ka shpresë se gjendja do të ndryshojë me shpejtësi! E sidomos, pa një rritje të kujdesit të shpenzimeve financiare në komunë, pa zvogëlimin e minusit buxhetor, pa i zvogëluar shpenzimet për humbjen e proceseve gjyqësore që shpesh rezultojnë me humbje marramendëse të financave publike për shkak të shkeljeve të të drejtave të punëtorëve apo thyerjes së kontratave nga vetë komuna.
Madje, habia kryesore është se si këto shpenzime për lëndë të humbura në gjykata vendosen nga autoritetet komunale në kolona buxhetore “INVESTIME KAPITALE”!!! Madje, një shqetësim që e kemi vërejtur përgjatë këtyre viteve, ka qenë frika e aktorëve për të shprehur kërkesat e tyre. Imagjinoni, kur e keni pyetur ndonjë aktor për problemet teatrore, vonesat në paga etj., është frikësuar të të tregojë, duke e mbyllur temën, ose duke të kërkuar që në asnjë mënyrë të tregohet se kush ka shprehur pakënaqësi nga frika e hakmarrjes! Parafytyroni deri ku ka shkuar pushteti sa t’i frikësojë njerëzit të shprehin pakënaqësitë e tyre!
Ne e kuptojmë këtë shqetësim kur kemi parasysh rrethanat e mbijetesës, mirëpo, sa më shumë që organizohen punëtorët teatrorë dhe Sindikata e Punëtorëve siç edhe ndodhi me protestën dyditore, me rritjen e këmbënguljes së tyre, me solidaritetin që e ribëjnë në mes vete kolegët e artit, jemi të bindur se kërkesat e tyre do të plotësohen në mënyrë më të plotë! Pushteti qeverisës lokal ka treguar se vetëm me insistime maksimale, arrihet ndonjë kërkesë sadopak të plotësohet!
Vetëm merreni shembullin e banorëve të disa lagjeve të qytetit që ngrihej pluhuri, po të mos organizoheshin dhe të ishin të vendosur në kërkesën e tyre, vështirë se do të mund të arrinin ndonjë gjë, e lëre më të gjitha kërkesat e parashtruara! Prandaj, duhet të mbështeten të gjithë punëtorët teatrorë pavarësisht bindjeve tona politike dhe qytetare, në mënyrë që aktorët tanë, të na bëjnë sa më shumë të qeshim dhe të arrijmë katarsisin, e assesi t’i shohim jashtë teatrit hijerëndë!
Kërkesat e tyre janë të drejta dhe ato duhet plotësuar sa më parë! Mos të harrojmë se Gjilani krenohet me punën e aktorëve gjilanas të cilët po kontribuojnë edhe në vlerat e përgjithshme të aktrimit në vend dhe jashtë tij si: Adriana Matoshi, e cila bëri bujë në filmin “Kthimi”, ku mori pjesë në festivalin “Sundance” në Utah, film që rrëmbeu trofeun dhe krejt Kosova krenohej me të. Bile, komuna do të duhej të bënte ndonjë mirënjohje gjigante pasi fitoi çmim botëror, pasi meritonte një nder më të veçantë për të, sepse ne duhet t’i mbështesim vlerat dhe arritjet e qytetit tonë, e jo të sillemi ftohshëm sikur nuk ka ndodhur asgjë dhe vetëm kur të tjerët vlerësojnë vlerat tona, të na çelën sytë!
Po ashtu, kemi edhe aktorë që janë bërë mjaft popullorë në disa seriale shumë të shikuara televizive si: Fatmir Spahiu, Ard Islami; në rolet e tjera komike televizive si Avniu e Fatoni, por edhe në teatër; në shfaqje teatrale jashtë dhe brenda qytetit, Driada Matoshi. Pa harruar asnjëherë aktorë të të gjitha gjeneratave si Jasharin, Naserin, Muharremin (Shahiqin e Sylejmanin), Ramadanin, Mejremen, Rexhepin, Eminën, Arafatin, Auritën, Artanin, Aliun, Gynerin, Bashkimin, Albanin, Kushtrimin, Gëzimin, Ernestin, Kenanin, Safeten, Njomzën, e të tjerë që janë aktorë shumë të rinj por mjaft debutues si Gani Rrahmani, ndonëse nuk është pjesë e trupës rezidente. Madje, kemi shpresa se Erson Zymberi ndonëse regjisor i ri, do të na jep edhe shumë shfaqje të tjera e të shijshme si kjo e fundit: “Pacienti i dr. Frojdit”. Edhe Ekrem Sopi tashmë me përvojë, ka mjaft shije të regjisorit, se po e harrojmë najkah! Kur ta bëjsh men’: a lihet me protestue Muharrem Sylejmani që e luajti personazhin e Hitlerit, hera-herës në mënyrë briliante?!
Le pashë Zotin, qysh drejtori i përgjithshëm, Aliu, që e luajti një personazh gjigant si Frojdi, e që e mirëpriti mjaft mirë publiku lojën e tij në skenë, as në shfaqje, e as këtu nuk po ia bënë çarenë aktorit që e luajti rolin e Hitlerit?! Kësaj radhe, jashtë teatrit, aktorët gjilanas nuk aktruan! Ata vërtetë protestuan dhe patën të drejtë! Madje, mjaft duruan! Me aktorë e frymë teatrore, ndonëse pa shesh real, prap mund të themi se jetojmë në qytet!