Mobi Casa

Japonezët dhe shqiptarët në traditën e moçme të pirjes së çajit

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Prishtinë – Japonezi Kazuhiku Yamamoto e di që pirja e çajit është ndër zakonet më të rëndomta në mbarë botën. Por ai që interesohet për Kanunin e shqiptarëve ka bërë një lidhje në mes të ceremonisë së pirjes së çajit, që në Japoni njihet si “chanoyu”, e posaçërisht “wabicha”, që i ka rrënjët te shekulli i largët, XVI, me etikën, moralitetin dhe religjionin.

Ai ka qenë i pari që ka hapur serinë e referimeve të mbrëmjes së mërkurë, në kuadër të Seminarit XXXI Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare. “Wabichan” e paska themeluar Sen no Rikyu pesë shekuj më parë, e tradita ruhet ende në Japoni, me të njëjtin stil.

“Duke marrë parasysh aspektet etike dhe morale të ‘chanoyu’, është folur që Takeno Jo’o ia kishte dërguar një letër Rikyu, duke i thënë se ‘wabi’, thelbi i ‘wabichas’, përbëhej nga ndershmëria dhe cilësia e të qenit thellësisht diskret pa e shfaqur krenarinë”, ka thënë Yamomoto, teksa ka shtuar se kështu mendohet se kjo ceremoni e pirjes së çajit është e lidhur me Zen Budizmin dhe qëndrime të tilla moralizuese si ndershmëria, diskrecioni dhe moraliteti.

Në përpjekjen për t’i sqaruar vlerat e sistemit etik të Kanunit, Yamamoto thotë të ketë gjetur se konceptet e “mikut”, “gjakut” dhe “bukës” përbëjnë bazën e strukturës etike të Kanunit, shkruan “Koha Ditore”.

“‘Wabicha’ nuk është vetëm të shërbyerit e mikut me çaj nga mikpritësi në një dhomë të vogël të kasolles prej kashte, por është edhe të shërbyerit me ushqim të lehtë”, ka thënë japonezi. Por sipas tij, nëse rituali i pirjes së çajit nga miku dhe mikpritësi në dhomën e vogël të çajit është bërë për qindra vjet me radhë, nuk mund të intrigojë për një gjë.

“Nuk mund të mos mendojmë lidhur me atë se a është e mundshme të gjendet një kuptim alternativ dhe domethënie e “wabichas”, duke e analizuar me qëllim të depërtimit në relacionin religjioz dhe intim mes mikpritësit dhe mikut, të mbështetur në mikpritjen, sipas strukturës etike të Kanunit”, ka thënë Yamamoto, i cili ka dashur që rezultatet e detajuara t’i lërë ekskluzivisht për botimin e revistës së Seminarit.

Por të mërkurën për një traditë ka folur edhe Krenar Doli. Ai ka treguar për “traditën e rendit dhe të ahengut në Gjakovë”. Sipas tij, kënga popullore u krijua si një domosdoshmëri njerëzore e mendimit dhe e shpërthimit emocional, si një transmetues i ndjenjave dhe si shoqëruese e përjetshme e njeriut, duke harmonizuar kështu bukurinë e fjalën artistike me atë muzikore.

“Përmes këngës është kultivuar ndjenja e mburrjes dhe e krenarisë, e patriotizmit dhe e humanizmit. Në qytetin e Gjakovës ishte traditë që të shtunave të mblidheshin e të këndonin së bashku me instrumentistë, këngëtarë të pasionuar të ahengut – rendit gjakovar”, ka thënë Doli.

Mobi Casa

Ai ka thënë se këngët e meloditë ishin të renditura njëra pas tjetrës bukur dhe me shije.

“Kur pushonte orkestra, atëherë dilnin bejtexhinjtë me humorin e tyre. Kjo ‘laramani’ e bënte të hareshme atmosferën në këto ahengje apo gëzime”, ka thënë Doli.

Por me traditat nuk është marrë referuesi tjetër, Ilir Muharremi. Ai ka folur për krizën e kinematografisë kosovare, e simbolikisht e ka titulluar referimin e tij me “Nuk ka film”.

“Tek ne shumë filma të dështuar janë prodhuar pas luftës, asnjëri nuk ka pasur magji t’i shpojë veshët dhe sytë e shikuesve, ose t’i mashtrojë ata me një temë të imagjinuar ose reale”, ka thënë Muharremi. “Në fakt, temat ishin të trilluara, të imagjinuara pa kurrfarë shije, dhe të vakëta për shpirtin dhe syrin e spektatorit”, ka shtuar ai.

Vlora Sylaj ka folur për “komunikimin”, si faktor i rëndësishëm në optimizmin e bashkëpunimit shkollë – familje. Në studimin e saj thotë të ketë vërtetuar hipotezën e parashtruar se ekziston një lidhje e fortë midis komunikimit dhe nivelit të kontakteve të shkollës me familjen e nxënësit.

“Analizat e të dhënave tregojnë për një marrëdhënie të fortë mes komunikimit që bën shkolla me familjen, edhe në vendet rurale edhe në ato urbane”, ka thënë Sylaj.

Krejt temë të ndryshme ka pasur edhe polaku Maciej Szymanski, i cili ka treguar se si mësohet për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare, në kuadër të Degës së Ballkanistikës të Universitetit të Poznanjit.

“Historia e letërsisë shqiptare mbahet në vitin e dytë në formën e leksioneve dhe të ushtrimeve. Në gjithë vitin e dytë ka 30 orë leksione dhe 60 orë ushtrime”, ka treguar Szymanski. “Qëllimi i kësaj lënde është njohja e faktorëve historiko-shoqërorë të zhvillimit të saj në Shqipëri, Kosovë dhe në Itali, leximi i teksteve të përkthyera polonisht dhe pjesë të zgjedhura në origjinal”, ka thënë ai. Ismail Kadare, Fatos Kongoli, Elvira Dones, e poetët Ali Podrimja e Eqrem Basha, janë disa nga emrat e letrave që kanë në dispozicion në gjuhën e tyre polakët.