RCCOLA

Jahjaga: Kushtetuesja shmang zgjedhjet

/ 11 minuta lexim
Eco Higjiena

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga thotë se aktualisht ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe një kuadër kushtetues që obligon të gjithë të gjejmë zgjidhje, të cilat duhet të shmangin zgjedhjet në vend. Ajo është e bindur se zgjidhja për të dalë nga ngërçi politik është brenda vetë Kuvendit të Kosovës, brenda deputetëve dhe duhet të jetë një zgjidhje e paimponuar dhe që buron nga vetë të zgjedhurit e popullit. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Jahjaga ka thënë se duhet një zgjidhje e cila nuk është e ndikuar nga jashtë.

Kur ka folur për Gjykatën Speciale ka thënë se gjithçka që po ndodh është një proces politik, është një proces demokratik apo një proces i demokracisë dhe një proces i pjekurisë e maturisë sonë politike.

E për të arrestuarit kosovarë si të dyshuar për përfshirje në krah të grupeve terroriste, Jahjaga ka thënë se “këtu kemi të bëjmë me një numër të vogël individësh apo grupesh të veçuara, që për çështje apo për aspekte të ideologjisë, apo për shkak të të mos pasurit të një perspektive për të ardhmen apo për shtytje të tjera anësore vendosin që t’i bashkëngjiten një lufte”.

Zëri i Amerikës: Para se të niseshit për këtu në Shtetet e Bashkuara ju nisët një seri takimesh me partitë politike për të gjetur një zgjidhje për ngërçin politik në vend. Si mendoni se do të zgjidhet kjo situatë?

Presidente Jahjaga: Takimi me liderët e partive politike parlamentare është në kuadër të përpjekjeve tona për të lehtësuar diskutimet dhe për të kërkuar mënyra për të dalë nga kjo situatë. Takimi i parë ishte kryesisht që të dëgjoja nga të gjithë liderët, nga të gjitha subjektet politike, se si ata e shohin këtë rrugë përpara deri në themelimin e institucioneve të vendit. Të gjitha veprimet do të jenë veprime kushtetuese, gjithsesi duke u respektuar pavarësia e Kuvendit dhe të gjitha zgjidhjet janë përbrenda Kuvendit të Kosovës dhe midis deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Unë patjetër që do t’i vazhdoj takimet e mia me të gjithë liderët e të gjitha subjekteve politike parlamentare derisa të gjendet një zgjidhje, e cila do t’i hapë rrugën themelimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe pas themelimit të Kuvendit derisa të hapet rruga për krijimin e të gjitha institucioneve të tjera të vendit.

Zëri i Amerikës: Zonja Presidente, cili mendoni se është roli i institucionit tuaj në këtë rast? A mendoni se mund të ofroni ju një zgjidhje?

Presidente Jahjaga: E rëndësishme është që ftesa u pranua dhe u mirëprit nga të gjithë liderët dhe nga të gjitha subjektet politike dhe erdhën në takim në zyrën time. E rëndësishme është që të gjitha partitë politike treguan gatishmërinë dhe vullnetin që të bisedojnë hapur për të gjitha çështjet dhe u tregua vullneti dhe gatishmëria që të gjendet zgjidhje për të gjithë këtë proces. Roli im është rol kushtetues në garantimin e funksionimit demokratik të institucioneve, duke u respektuar pavarësia e institucionit të Kuvendit, duke u respektuar vota e qytetarëve. Siç thashë, zgjidhja është brenda vetë Kuvendit të Kosovës, brenda vetë deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe duhet të jetë një zgjidhje e paimponuar dhe që buron nga vetë të zgjedhurit e popullit, në këtë rast nga deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, dhe një zgjidhje e cila nuk është e ndikuar nga jashtë. Unë shpresoj që sa më parë që është e mundur ne të kemi vendosjen e institucioneve në vend sepse kjo do të kontribuojë tek proceset afatgjata të shtetit tonë, sepse kjo na ka hije.

Zëri i Amerikës: Situata aktuale ka nxitur diskutime edhe për mundësinë e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në vend. Si mendoni se do të mund të shmangeshin këto zgjedhje, apo mendoni se janë të pashmangshme?

Presidente Jahjaga: Ne kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe një kuadër kushtetues që na obligon të gjithëve të gjejmë zgjidhje, të cilat duhet të shmangin zgjedhjet në vend. Unë konsideroj se vendi ynë është në një moment apo një fazë jashtëzakonisht të rëndësishme – kur kemi hyrë në procese me Bashkimin Evropian dhe me organizata të tjera ndërkombëtare – e cila nuk favorizohet nga çdo vonesë e çdo pengesë në këtë proces. Gjithashtu, të gjitha proceset tona të brendshme nuk duhet të jenë peng të këtyre zhvillimeve, pasi ne na pret një angazhim jashtëzakonisht i madh dhe të gjitha këto vonesa nuk kontribuojnë në proceset afatgjata të shtetit tonë. Mund të them se ne nuk kemi as kohë por nuk kemi as resurse që të mund të kemi zgjedhje të njëpasnjëshme, sepse kjo nuk do t’i kontribuonte proceseve afatgjata të shtetit.

Zëri i Amerikës: Duke folur pikërisht për këto procese të rëndësishme që ju përmendët, Kosovën e presin disa prej tyre, si bisedimet me Serbinë, për shembull, dhe krijimi i Gjykatës së posaçme. Cila është gjendja politike lidhur me këto çështje?

Presidente Jahjaga: Gjithçka që po ndodh është një proces politik, është një proces demokratik apo një proces i demokracisë dhe një proces i pjekurisë e maturisë sonë politike. Them se duhet të mësohemi që t’i respektojmë procedurat ligjore, duhet të mësohemi të respektojmë pavarësinë e institucioneve, duhet të mësohemi që të kemi dhe të nxisim debat brenda forcave politike dhe duhet të mësojmë që vetë t’i gjejmë zgjidhjet dhe ato zgjidhje të mos jenë të imponuara por të jenë zgjidhje që duhet të përkrahen nga pjesa më e madhe dhe që na përkasin vetëm neve. Siç thatë dhe ju, ne kemi marrë shumë obligime dhe detyrime të cilat kërkojnë një konstituim sa më të shpejtë të institucioneve dhe këto obligime dhe këto detyrime ne duhet t’i përmbushim në kornizat dhe afatet kohore të parapara. Sepse ne jemi një rrëfim i suksesit, i një pune të përbashkët të institucioneve Kosovës, të qytetarëve të Kosovës dhe të bashkësisë ndërkombëtare. Dhe ky sukses duhet të promovohet duke e dëshmuar edhe në proceset e mëtejshme të konstituimit të institucioneve.

Zëri i Amerikës: Zonja Presidente, ditët e fundit policia e Kosovës ka kryer disa arrestime mbi dyshime për pjesëmarrje të qytetarëve të Kosovës në luftërat në Lindjen e Mesme, ku aktualisht thuhet se mund të jenë mbi 100 qytetarë të Kosovës. Çfarë mendoni se do të thotë kjo përfshirje për Kosovën?

Mobi Casa

Presidente Jahjaga: Për muaj me radhë ne kemi shprehur brengën tonë për pjesëmarrjen e qytetarëve të Kosovës në luftën në Siri. Po ashtu, siç është parë edhe prej veprimeve të fundit të një koordinimi jashtëzakonisht profesional të mekanizmave të sigurisë së Kosovës, janë marrë masa për parandalimin e këtyre aktiviteteve ekstremiste. Kosova është një shtet që tani vetëm sa ka filluar të marrë hapa konkretë sa i përket parandalimit të këtyre dukurive negative dhe shoqëria jonë është një shoqëri e cila është e orientuar drejt proceseve integruese. Rinia e Kosovës, që unë konsideroj se është pasuria më e madhe e shtetit tonë, është e orientuar drejt proceseve integruese dhe ne duhet që sa më shumë që është e mundur të fuqizojmë rininë tonë dhe institucionet tona që të promovojnë vlerat të cilat ne i kemi promovuar me dekada e shekuj me radhë. Kjo është ajo që na përket ne si shtet dhe ne si institucione dhe si qytetarë të Kosovës. Nuk ka më shumë se 15 vjet që kemi tejkaluar luftën, e cila ka lënë pasoja jashtëzakonisht të mëdha, dhe pjesëmarrja e qytetarëve tanë në një luftë tjetër kurrsesi nuk i kontribuon Kosovës. Kosova asnjëherë nuk ka qenë dhe nuk do të jetë strehë e këtyre dukurive të cilat jo vetëm që po dëmtojnë imazhin e Kosovës, por edhe po destabilizojnë Kosovën, vendet e tjera të rajonit dhe aleatët tanë strategjikë. Kosova asnjëherë nuk do të jetë strehë e këtyre dukurive dhe nuk do të jetë vend tranzit i këtyre elementëve. Kosova ka një të ardhme të qartë që është ajo e proceseve të integrimeve evropiane dhe euro-atlantike.

Zëri i Amerikës: Çfarë mendoni se i nxit njerëzit për përfshirje të tilla në luftërat në Lindjen e Mesme?

Presidente Jahjaga: Këtu kemi të bëjmë me një numër të vogël individësh apo grupesh të veçuara, që për çështje apo për aspekte të ideologjisë, apo për shkak të të mos pasurit të një perspektive për të ardhmen apo për shtytje të tjera anësore vendosin që t’i bashkangjiten një lufte. Ne si shtet, përveç masave të parandalimit, si këto të javëve të fundit të realizuara nga mekanizmat e sigurisë, duhet të orientohemi drejt krijimit të bazave të qëndrueshme të zhvillimit të mirëfilltë të vendit, që është kryesisht zhvillimi ekonomik. Por kjo kërkon edhe reforma të thella përbrenda shtetit, veçanërisht reforma në arsim dhe reforma për stimulimin e investimeve të huaja, në mënyrë që t’i jepen mundësi të rinjve tanë që të ardhmen e tyre ta orientojnë drejt zhvillimit të vendit. /Zëri i Amerikës/
————————————————————

Jahjaga: Zgjidhja e ngërçit bëhet në kuvend

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga e cila po qëndron në New York në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në një intervistë për Express, ka thënë se Kosova po përballet nga rreziku i terrorizmit islamik dhe se atë duhet luftuar. Ndërsa duke folur për ngërçin politik, si pasojë e mos konstituimit të legjislativit dhe ekzekutivit të vendit, ajo ka thënë se “zgjidhjet janë përbrenda Kuvendit të Kosovës dhe deputetët janë ata që e gjejnë zgjidhjen”.

Jahjaga ka thënë se në qendrat e vendosjes ka shqetësim me vonesat për krijimin e institucioneve të reja.

E pyetur nëse ato do të vazhdojnë takimet konsultuese me përfaqësuesit e partive politike, në kuadër të zhbllokimit të situatës Jahjaga ka thënë se “ato do të vazhdojnë”.

“Ju e keni parë se një ditë para se të nisemi për në SHBA kam filluar takimet dhe konsultimet me liderët e partive politike parlamentare. Këto takime kanë për qëllim që të lehtësojnë diskutimet në mes tyre dhe t’i dëgjoj të gjitha partitë politike dhe subjektet politike parlamentare se si e shohin ata daljen nga kjo situatë e krijimit të institucioneve, e cila hap rrugë për krijimin e Kuvendit të Kosovës, gjithmonë duke respektuar pavarësinë e Kuvendit të Kosovës dhe votën e lirë të qytetarëve të Republikës”.

“Zgjidhjet janë përbrenda Kuvendit të Kosovës dhe deputetët janë ata që e gjejnë zgjidhjen. I gjithë ky proces duhet të hap rrugë për konstituimin e institucioneve të tjera të vendit. Gjithsesi, unë do t’i kryejë të gjitha obligimet e mia kushtetuese dhe ligjore, duke qenë garantuese e funksionimit demokratik të institucioneve”, ka deklaruar Jahjaga në intervistën për Express.

Ajo ka thënë se vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohen dhe askush nuk guxon t’i kërcënojë drejtuesit e institucioneve të pavarura.

Jahjaga gjithashtu ka thënë se Kosova po përballet sot me një kërcënim të madh të terrorizmit, por, ka thënë se “ jemi të gatshëm t’i përgjigjemi kësaj sfide globale”.

Ajo ka thënë se në këtë përpjekje duhet të ndihmojnë edhe bashkësitë fetare. “Të rinjtë tanë nuk duhet t’i bashkohen kauzave të huaja”, ka thënë ajo. /Telegrafi/