Mobi Casa

Çfarë është njohja de facto dhe pse liderët e BE’së po ia kërkojnë Serbisë, flet Enver Hasani

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Kosova dhe Serbia kanë hyrë në një fazë të re të procesit të dialogut pas ngjarjeve të 24 shtatorit në Veri të Kosovës. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq javën që shkoi janë ftuar në Bruksel për takime të ndara me liderët më me ndikim të BE’së të cilat kanë rezultuar më kërkesa për palët.

Kryeministrit Kurti i është kërkuar zbatimi i marrëveshjeve përfshirë implementimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe ndërsa Serbisë përvec tjerash edhe njohja de facto e Kosovës.

Por çfarë i bie kjo lloj njohje?

Enver Hasani, profesor i së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në një prononcim për Gazetën Express ka thënë se atë që po e thonë ndërkombëtarët lidhet vetëm me shtyrjen përpara të dialogut

Uji Dea

Çfarë i bie njohja de facto në bazë të së drejtës ndërkombëtare si dhe në kontekstin e dialogut dhe raporteve Kosove -Serbi ?

HASANI: Përgjigjen në këtë pyetje e ka dhënë fare qartë Ursula von der Leyen dje në Beograd. Në kontekstin e dialogut aktual Kosovë-Serbi, njohja de facto nënkupton zbatimin e zotimeve të marra në Bruksel dhe Ohër. Asgjë më shumë!

Ajo që trumbetohet si njohje de facto, nuk ka fare mbështetje në ligjin ndërkombëtar. Kjo për faktin se objekt i njohjes de facto në të drejtën ndërkombëtare është pranimi nga ana e shtetit njohës e titullit të vlefshëm juridik për ushtrim të sovranitetit mbi një territor dhe ndaj një popullësie të caktuar. Në rastin tonë, njohja de facto do të nënkuptonte njohjen nga ana e Serbisë e titullit juridik të Kosovës, i krijuar më 17 shkurt 2008 në raport me shtetet njohëse të saj, përkatësisht njohja e shtetit të Kosovës si një shtet sovran mbi territorin e përcaktuar me Kushtetutën e vitit 1974 dhe ndaj popullsisë që jeton në te. Ky fare nuk është rasti sepse Serbia në vazhdimësi po e bënë të qartë se kundërshton një gjë të tillë.

Më lejoni të theksoj këtu edhe disa gjëra lidhur me këtë. Edhe te njohja de jure objekti i njohjes është i njëjtë – pra njohja e titullit juridik sovran mbi një territor dhe ndaj një popullsie të caktuar. Dallimi i vetëm mes dy njohjeve është se, në rastin e njohjes de facto, njohja është e përkohshme dhe kjo thuhet shprehimisht në aktin e njohjes, i cili çdoherë jepet me shkrim nga shteti njohës. Për pasojë, për dallim nga njohja de facto që mund të tërhiqet kurdo dhe në çdo kohë, njohja de jure nuk mund të tërhiqet. Çështja e dytë që dua të theksoj është se palët e treta, shtetet ose individët, asnjëherë nuk mund të bëjnë njohjen de facto, as njohjen de jure, të shtetit që kërkon njohje. Ato që thonë ndërkombëtarët këto ditë janë deklarata politike me qëllim të shtyrjes përpara të dialogut dhe implementimin e autonomisë serbe në Kosovë dhe asnjë relevancë nuk kanë për njohjen de facto ose njohjen de jure të Kosovës nga Serbia.