Fundamenti

Istref Klinaku: Agim Ramadani ishte në LKÇK, kurrë në FARK apo LDK

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Vazhdimisht ka pasur tendenca për përvetësimin e figurës së Agim Ramadanit nga LDK’ja. Ai asnjëherë s’ka qenë pjesë e Partisë së Rugovës apo FARK’ut. Agim Ramadani politikisht dhe ideologjikisht ka qenë i rreshtuar me Lëvizjen Kombëtare për Çlirimin e Kosovës. Ibrahim Rugova e ka ndjekur rrugën paqësore dhe kurrë s’ka pasur mekanizma luftarak. FARK’u është produkt i përçarjeve brenda kampit të LDK’së, përkatësisht në mes të Rugovës dhe Bukoshit. Bashkëluftëtari i Agim Ramadanit, Istref Klinaku, flet për Express.

Express: Edhe në Kuvendin e Kosovës është hapur debati sa i përket kohës së luftës, duke filluar nga UÇK’ja, FARK’u, LKÇK’ja. Është përmendur edhe emri i Agim Ramadanit. Ku ka qenë Agim Ramadani?

I. Klinaku: Kam kujtimet më të mira për Agim Ramadanin dhe e njoh shumë mirë. Në qershor të vitit 1997 kam shkuar në Zvicër dhe pas dhjetë ditësh jam takuar me të. Pas nja njëzet ditësh kam pasur një bisedë të gjatë, pas së cilës Agim Ramadani është anëtarësuar në LKÇK. Prej asaj kohe ai ka punuar gjithmonë në këtë frymë dhe me ketë ide deri në rënien e tij në Koshare.

Express: Ka pasur deklarime se Agim Ramadani ka qenë pjesë e FARK’ut dhe deputetët e LDK’së e kanë përmendur edhe emrin e tij për ta futur Ministrinë e Mbrojtjes në Ligjin për Veteranët…
I. Klinaku: Nuk kam dëgjuar kaq drejtpërdrejtë siç thoni ju se deputetët e LDK’së janë thirrë në Agim Ramadanin. Por, ka pasur tendenca për ta përvetësuar veprën e Agim Ramadanit nga ana e LDK’së. Por kjo bëhet me qëllim që të përfitohet politikisht në emër të Agim Ramadanit, ndërsa e vërteta është se ai politikisht ka qenë i reshtuar me LKÇK’në.

Express: Përderisa ka edhe njerëz që thonë se ai ka qenë pjesë e FARK’ut, Naim Maloku në librin e tij të kujtimeve për luftën e pohin se ai ka qenë pjesë e LKÇK-së…
I. Klinaku: Se ka qenë pjesë e LKÇK’së argumentohet me shumë dëshmitarë që janë të gjallë përfshirë bashkëpunëtorët e tij më të afërt Hafir Hoxha, Xhafer Gashi dhe bashkëshorten a e tij, Shukrije Ramadanin. Gjithashtu kjo dëshmohet edhe nga shumë anëtarë të LKÇK-së (e njëkohësisht ushtarë të UÇK-së) që kanë bashkëpunuar me të në terren dhe që janë stërvitur nga ai në kampin ushtarak të LKÇK-së në Republikën e Shqipërisë. Ky ka qenë kampi i parë për përgatiten e luftëtarëve për luftën në Kosovë.

Express: Pse tash po përmendet se Agimi ka qenë pjesë e FARK’ut?

I. Klinaku: Kjo është riaktualizuar për shkak të debatit që u zhvillua për Ligjin për Veteranët e Luftës dhe përpjekjeve të LDK-së që të futet FARK-u në ligj. Është fatkeqësi që 15 vjet pas luftës vazhdohet të manipulohet me dëshmorët e luftës çlirimtare, të cilët në fund të fundit janë të të gjithë kombit.

Uji Dea

Express: Por, Agim Ramadani dihet se ka bashkëpunuar me Ministrinë e Mbrojtjes, me FARK’un…

I. Klinaku: Agim Ramadani ka bërë përpjekje të punojë me të gjithë ata që kanë mund ta ndihmojnë fuqizimin e luftës. Kjo ka qenë edhe platforma e Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës që të krijohet një front gjithëpërfshirës i luftës çlirimtare, në mënyrë që të gjithë ata që e donin lirinë e vendit të rreshtoheshin në luftën për çlirimin e Kosovës.

Express: Agimi ka bashkëpunuar me Bujar Bukoshin, me Ahmet Krasniqin…

I. Klinaku: Detajet nuk i di, sepse unë kam qenë në atë kohë në Kosovë, dhe kontaktet kanë qenë më të rralla, por si parim, nuk ka pasur pse mos të bashkëpunohet me të gjithë. Por është e sigurt se edhe nëse kanë pasur kontakte ato kanë qenë në drejtim të fuqizimit të luftës sidomos në sigurimin e armëve dhe financave për luftën. Unë edhe personalisht disa herë jam takuar me z.Bukoshin si përfaqësues i LKÇK-së për të kërkuar përkrahje për luftën.

Express: A ka ekzistuar FARK’u?
I. Klinaku: Këta që po thonë se ka ekzistuar duhet të tregojnë se kush e ka themeluar, kur është themeluar, cilat kanë qenë qëllimet. Këto nuk i di opinioni i Kosovës. Në fund të fundit, të gjithë këta që po tentojnë të fusin FARK’un si pjesë e luftës janë në kundërshtim me filozofinë politike të Ibrahim Rugovës. Sepse filozofia politike e LDK’së ka qenë pacifiste. Të gjitha mekanizmat që Ibrahim Rugova i ka themeluar kanë qenë në përputhje që t’i iket luftës. Ose nuk kanë informata ose kanë tendenca të caktuara politike, ose FARK-u është produkt i përçarjeve brenda kampit të LDK-së, përkatësisht në mes të Rugovës dhe Bukoshit.

Express: Por, dihet se ka ekzistuar një Ministria e Mbrojtjes

I. Klinaku: Po, ka ekzistuar Qeveria e Kosovës në ekzil, e cila ka pasur disa ministri të veta. Por, krejt aktiviteti i saj siç e thashë edhe më herët ka qenë në shërbim të politikës paqësore të Ibrahim Rugovës. Po t’i kishin kryer funksionet për të cilat janë themeluar nuk do të kishte nevojë të lindte as LKÇK’ja e as UÇK-ja. Pra, s’ka bërë asnjë hap në drejtim të luftës. Përkundrazi, në tërë veprimtarinë e saj ka qenë në shërbim të politikës pacifiste. Por kah përfundimi i luftës patë tendencën për ta përvetësuar luftën çlirimtare.