Fundamenti

Isa Boletini vazhdon luftën për çlirim

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Agron Bajrami – Debati dhe politizimi që i është bërë rivarrimit të eshtrave të Isa Boletinit ka nxjerrë në pah shëmtinë me të cilën krerët shtetërorë dhe politikanët shqiptarë, në të dyja anët e kufirit, i keqpërdorin figurat më të shenjta historike.

Rivarrimi i Heroit Legjendar, Isa Boletini, në Kullën e tij në Boletin – i parë kohët e fundit edhe si një mundësi e artë e pushtetarëve që të vishen me rroba patriotike për t’i mbuluar turpet e tyre të panumërta, prej korrupsionit deri tek dështimi në ndërtimin e shtetit demokratik – e nxori në dritë edhe më shumë të vërtetën e hidhur për të gjithë ne: këta që na sundojnë sot janë shumë më të ngjashëm me ata që sundonin në kohën e Isa Boletinit, se sa me Heroin dhe shumë shokë të tjerë të tij!

Tani i shohim edhe më qartë ashtu si janë: mashtrues e manipulues të korruptuar, që jetojnë në kurriz të popullit, të cilin e qeverisin pa asnjë ndjenjë përgjegjësie; njerëz që shkelin fjalën e vet, i ndërrojnë qëndrimet sa herë u konvenon dhe për përfitime personale, derisa marrin poza kuazi-heroike me të cilat duan të na bindin se janë pasardhës të denjë të Isa Boletinit dhe patriotëve tjerë të historisë që ranë për vend dhe komb. Por kot e kanë, sepse i shohim lakuriq, ashtu si janë, dhe jo ashtu si ata kanë dëshirë t’i shohim! Si në Prishtinë, ashtu edhe në Tiranë e Tetovë!

* * *

Nuk është këtu fjala thjesht për vendin e varrimit, që, thënë të drejtën, ka rëndësi simbolike; Isa Boletini e ka zënë vendin e tij në historinë e popullit me mënyrën se si ka jetuar dhe vdekur, kauzën për të cilën ka luftuar, dhe ai prehet i qetë kudo që të jetë. Njëlloj si edhe shumë heronj të tjerë, të cilëve ose nuk ua dimë eshtrat, ose ata janë hedhur në varre të harruara a të pahijshme.

Po ashtu nuk është fjala për trajtimin jo të denjë vetëm të figurës së Isa Boletinit. Të njëjtën qasje pushtetet tona e kanë pasur dhe e kanë edhe ndaj Hasan Prishtinës, Ymer Prizrenit, Shotë Galicës e Bajram Currit, si dhe shumë të tjerëve emrat e të cilëve keqpërdoren vazhdimisht për qëllime të politikës ditore.

Është fjala për një model të qeveritarëve dhe politikanëve të sotëm, në të gjitha anët ndër shqiptarë, të cilët nuk lënë asgjë të shenjtë pa e ndotur dhe nuk kanë asnjë konsideratë tjerët përveç pushtetit.

Si do interpretuar ndryshe se debati për rivarrimin e Isa Boletinit bëhet në kontekstin e një Shqipërie në prag të zgjedhjeve, dhe një Kosove ku shtëpia e Isës mbetet jashtë territorit të çliruar më 1999!

ARKATANA

Mos ndoshta kryeministri shqiptar, Rama, dhe kryediplomati kosovar, Thaçi, besuan se ideja për bashkimin e eshtrave të Boletinit me ato të Ismail Qemalit do të shërbejë si surrogat për idenë e bashkimit kombëtar, që e trumbetuan bashkërisht para pak kohe në Ulqin, vetëm për t’u përballur me ngritje të ashpër të vetullave nga aleatët perëndimorë në të dyja anët e Oqeanit Atlantik!

Mos ndoshta rivarrimi i Isës pranë Ismailit në Vlorë është në fakt riformulim i politikës së proklamuar të bashkimit kombëtar të Shqipërisë dhe Kosovës përmes BE-së, në një politikë të re të bashkimit kombëtar simbolik, përmes varreve të përbashkëta të patriotëve kombëtarë?

Apo bëhet fjalë thjesht për veprime të përbashkëta për qëllime individuale: kryeministrit të Shqipërisë në kohë zgjedhjesh nuk i bën keq një ceremoni e rivarrimit me të, Isa Boletinin, Ismail Qemalin në rolet kryesore, sikur që ministrit të Jashtëm të Kosovës nuk i bën keq që një premtim të ndërlikuar për rivarrim me nderime në veriun problematik të Kosovës të mos e përmbushë, duke e zëvendësuar me një ceremoni populliste në Vlorë, ku roli i tij do të ishte sërish në plan të parë.

* * *

“Shqiptarët e kanë ndërmend ta fitojnë lirinë, ose të vdesin duke u përpjekur”, kishte thënë Isa Boletini, duke hyrë në Shkup, në verën e vitit 1912. Për Isën, sikur edhe për gjithë ata që dhanë jetën e vet në luftë për liri, debatet e sotme sigurisht se do t’u dukeshin të kota.

E megjithatë, po të ishte gjallë Isa, pas valës së parë të zhgënjimit për lojën që po e bëjnë me të, mbase edhe do të gëzohej se edhe nëntëdhjetë e nëntë vjet pas vdekjes, ai vazhdon ta luajë rolin e tij në çlirimin e shqiptarëve. Kësaj radhe, jo nga pushtuesi otoman e as nga ai serb, por nga sundimtarët lokalë, që nën flamurin e patriotizmit, me bëmat e veta ia kanë zënë frymën gjithë popullit.

agronb@kohaditore.com

http://koha.net/?id=31&o=686