UBT

Injorimi i esencës nё arsim

/ 8 minuta lexim
KKVITI

Nga Nuhi Ismajli …roli dhe autoriteti i mёsuesit nё shkollё ёshtё i jashtёzakonshёm pёr fatet e njё kombi, dhe shteti e ka detyrё qё me tё gjitha mёnyrat ta ngrejё autoritetin e mёsuesit” (Dritёro Agolli) .

Rezultatet e fushës së arsimit, si edhe rezultatet e çdo veprimtarie tjetër, varen nga një varg faktorësh. Disa prej faktorëve kanë peshë kryesore, kurse disa të tjerë kanë ndikim të dorës së dytë. Mjaft faktorë me ndikim në fushën e arsimit, janë produkt i rrethanave të caktuara, kurse disa të tjerë përcjellës të përhershëm të arsimit.

Janë disa faktorë që ndihmojnë realizimin e çdo veprimtarie, pra edhe të veprimtarisë arsimore, faktorë, të cilët njeriu përpiqet t’i sigurojë, t’i plotësojë e përforcojë sa më tepër, në mënyrë që të ketë efektin e rezultateve të tyre, dhe disa faktorë të tjerë, negativë, të cilët njeriu përpiqet t’i mënjanojë dhe të zvogëlojë efektin e tyre, për aq sa është e mundur, në rrethanat e caktuara. Kryesore, për rezultatet e punës së tij, njeriu është në përpjekje të vazhdueshme për kërkimin dhe fuqizimin e faktorëve pozitivë dhe për shmangien e faktorëve negativë, të efektit dhe të pasojave të tyre.

E keqja më e madhe, pra edhe dëmet më të mëdha, në çdo fushë të veprimtarisë njerëzore, si edhe në fushë të arsimit, shkaktohen atëherë kur njeriu nuk i njeh dhe as dëshiron t’i njohë dhe lërë më të përpiqet t’i sigurojë faktorët e suksesit dhe t’i shmangë faktorët frenues të tij.

Kështu shumë faktorë të suksesit mbeten pa i shfytëzuar dhe shumë faktorë negativë mbeten pa i mënjanuar, veç për mungesë të dijes e të vetëdijes së njeriut.
Mendoj, se në fushën e arsimit, në kohën tonë, ka mjaft faktorë të tillë që pengojnë arritjet, të cilët nuk mund të mënjanohen lehtë dhe për një kohë të shkurtër, po duhet bërë përpjekje të mëdha, të vazhdueshme e për një kohë të gjatë, derisa ata të mënjanohen, po ka edhe faktorë të tillë që mund të mënjanohen shpejt e lehtë, por që shoqëria, siç po dëshmohet, nuk i vëren, nuk do t’i vërejë e as të mirret sadopak me mënjanimin e tyre.

Kështu, nëse mund të thuhet se baza materiale, e cila është kusht për sukses dhe rrjedhimisht edhe kusht për ndjenjën më të madhe të përgjegjësisë së punëtorëve, kurrë nuk mund të sigurohet në masën e nevojshme e as për të cilin mund të thuhet se është siguruar në masën e kënaqshme, atëherë mund t’i shmangim faktorët që frenojnë suksesin e shkaktojnë mossukses, të cilët nuk kërkojnë investime materiale: dobësitë, pra edhe mossukseset, të cilat janë veç rrjedhojë e veseve tona.

Kështu, p. sh., ç’na kushton t’i shmangim nga pozita kyçe injorantët, të pandërgjegjshmit, të pamoralshmit dhe të vendosim në vend të tyre të diturit, të virtytshmit?
Shkollat tona, lehtë dhe pa shpenzime, mund të kenë drejtorin e mirë, drejtorin e ditur e të virtytshëm, që nderon arsimtarët, ngjall e forcon respektin për vlerat, pra edhe për vlerën e arsimit; drejtorin i cili urren jovlerat, falsitetet; drejtorin që frymëzon për punë, i sjell autoritetin shkollës etj.

Pra, nuk kërkohet asnjë çmim (ndonëse do të duhej paguar çdo çmim) për të mos lënë në krye të shkollave individë të vetëkompromituar keq (siç po vazhdohet të lejohet e të heshtet edhe ndaj atyre drejtorëve, të cilët dihet nga të gjithë se dje luftonin për pranimin e planprogrameve të pushtuesit, ndaj të tillëve që përdhosin keq dinjitetin e arsimit dhe të arsimtarit!); për të mos lejuar që në krye të shkollave të kemi individë të pamoralshëm, të pasjellshëm, të paedukuar, karaxhozë; për të mos lejuar që në krye të shkollave të kemi të paaftë, sharlatanë, të tillët që shkaktojnë zhgënjim dhe demotivim në punën e arsimtarit dhe shkatërrimin e autoritetit të shkollës dhe botës fisnike të arsimit.

Nuk kërkohet asnjë çmim për të mos e poshtëruar arsimtarin, për të mos e shantazhuar e keqtrajtuar (siç kemi pasur rast të njoftohemi publikisht për ndodhi të tilla, si në rastin e shk. fill. “Th.Mitko”, në Gjilan, ku mësueset me më shumë përvojë transferohen, kurse favorizohen mësueset me më pak përvojë!, kur akuzohen pa të drejtë, kur iu bëhen ndalesa të paligjshme materiale etj.), dhe për ta mbrojtur me ligj nga vetë udhëheqësit e institucioneve etj.

RCCOLA

Nuk kërkohet asnjë çmim për të mënjanuar një të keqe të madhe: injorimin e punës së arsimtarit, dhe për të vlerësuar drejt e për të çmuar lart punën e tij; për të mos krijuar emra dhe autoritete të rrejshme të arsimit, siç po ndodh përmes shpërblimeve të të pamerituarëve, dhënies së mirënjohjeve, lavdëratave, licencimeve dhe injorimit të vlerave të vërteta, të pamohueshme, dukuri këto të cilat për masën janë shumë të vërejtshme.

Arritjet e shkollës sonë, sot, pa kurrfarë shpenzimesh materiale, do të ishin shumë më të mëdha (dhe kjo është e vetmja alternativë e përparimit), po të ngjallej vetëdija, interesimi dhe përkushtimi për vlerën e vërtetë – cilësinë e veprimtarisë edukativo-arsimore, arritjen dhe vlerësimin e cilësisë në arsim dhe braktisjen e shprehisë së sotme të kultivimit dhe vlerësimit të formalizmave në veprimtarinë shkollore. Arsimi nuk mund të përparojë dhe të arrijë vlera thelbësore, përderisa çmohen çështje formale, ndërsa injorohet vlera kryesore: veprimtaria edukativo-arsimore dhe cilësia e saj.

Sot jemi dëshmitarë se, në një masë shumë të madhe, në veprimtarinë shkollore, nuk shikohet vlera kryesore: cilësia në punën edukativo-arsimore, pra, puna që bën arsimtari drejtpërdrejt me nxënës, në orën mësimore, po disa anë krejt formale, sa për dukje, për reklamë.

Autori i këtyre rreshtave, pas vëzhgimit të qëllimshëm, për mjaft kohë, ka vërejtur se injorohet shumë puna cilësore; cilësia e punës së arsimtarit, aq sa, për cilësi, sado të lartë të punës së tij, arsimtari as që përmendet.

Formalizmat, ana formale, gjërat triviale, jovlerat, madje edhe veset, përkundrazi, çmohen shumë. Kështu, çmohen shumë, mbi të gjitha: përulja, nënshtrimi i arsimtarit ndaj drejtorit, fakti a ia paraqiti arsimtari planin drejtorit (dhe, më i miri, në këtë rast, konsiderohet ai që, që në fillim, e paraqet planin mujor për tërë vitin shkollor!), mbajtja e uniformës nga ana e arsimtarit, kryerja e kujdestarisë së ditës, kujdestaria e klasës, kryerja e ndonjë aktiviteti të lirë në shkollë etj.

Kështu, askush nuk e shikon atë që lidhet me esencën e punës edukativo-arsimore: sa është cilësor plani i punës që ka bërë arsimtari? A e ka bërë arsimtari vetë planin e punës, apo e ka marrë të gatshëm prej dikujt? Si e realizon arsimtari, në orën mësimore, planin e paraqitur? etj.

Askush nuk merr parasysh faktin se arsimtari nuk mund të obligohet të mbajë uniformë (e se dikush edhe mund ta urrejë e të mos e mbajë atë, se e sheh si shprehje të diktaturës).
Askush nuk merr parasysh faktin se ka arsimtarë që nuk mund ta mbajnë kujdestarinë e ditës për arsye të ndryshme (sidomos tani kur prej arsimtarit po kërkohet t’i kryejë punët e një sekuriti!).

Askush nuk merr parasysh faktin se suksesi i një klase nuk është vetëm rezultat i punës së një arsimtari, i kujdestarit të klasës, po rezultat i shumë faktorëve etj.
Është e çuditshme se tani, jo në bazë të cilësisë së punës në orën mësimore, po pikërisht në saje të gjërave tejet triviale, si ato të përmendura më sipër, shpallet arsimtari më i mirë, fitohen mirënjohje, lavdërata, shpërblime, licencimi…!!!

Prandaj, që të mos kemi rezultatin e sotëm, të padëshirueshëm, në shkollat tona (si: 80% e maturantëve të shkëlqyeshëm, kurse 54% kalueshmëri në testin kombëtar), duhet patjetër t’i braktisim mashtrimet, formalizmat dhe t’i përkushtohemi e ta çmojmë esencën e vlerave: cilësinë në mësim!