ARKATANA

Idriz Seferi dhe monologu i tretë i tij…

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Idriz Seferi, një trim mbi trima shqiptar, pas 90-vjet të ikjes nga kjo botë, u “kthye” sërish në vendlindje. Tashmë, kjo jetë kishte ndryshuar krejtësisht tjetër. E kishin “ftuar” Idriz Seferin, kreshnikun e Karadakut, të vijë në Gjilan, më 27 nëntor (2017), për faktin se, ai në vitin 1909 sa kishte tentuar ta aktivizojë popullin për të ardhur gjer tek pavarësia e shtetit shqiptar.

E ftuan gjilanasit dhe i erdhi mirë kjo ftesë e tyre. Po vështirë e pati ta lë atë botë për t’u rikthyer në këtë të sotit. Vështirë. U premtoi se do të vijë pa asnjë hezitim. Veshi rrobat e zhgunit, kapelën me shallë, dy kobure në brez, opingat e lëkurës së buallit dhe tha: “I “gjallë” do të jem në Gjilan. Fjalën e juaj nuk e ndryshoj. Jam ai i djehit që nuk kam ditur të frikësohem e as ta luaj fjalën. A e dini se, popullata shqiptare fort më ka dëgjuar. Kam pajtuar shumë gjaqe. Askush nuk ka luar nga fjala ime. I kam thënë, nga sot, nëse nuk ia falë gjakun vëllaut, ti ke punë me mua! Etj., etj.

Idriz Seferi e mori rrugëtimin e gjatë e të vështirë. Tha: “O burra, mirë se ju gjej! Nuk ndjeva aq lodhje, sepse këto rrugë tërë kësaj ane të Karadakut tim e të tjerëve, i kam shkelur pëllëmbë për pëllëmbë. Nuk di vend ku nuk kam shkelë. Unë, në një kohë timen, nuk kam ardhur këtyre rrugëve që po vini ju. Unë kam ardhur në Gjilan kah Rruga e Kumanovës. Kjo rrugë ka qenë e burrave të Malësisë së Karadakut.

Tek Shurdhanët e tutje i kanë thënë “Rruga e Mbretit”. Edhe sot e kësaj dite kjo rrugë e ka këtë emër.
E, nga poshtë, nëpër Zhegër e gjer në Gjilan, kemi ardhur me kuaj e në këmbë. I kemi ra Rrugës së Kumanovës. Bile, kur kemi arritur tek Kodra e djegur, sa më mbërthente vaji për të mirë kur i shihja shqiptarët me kapuça të bardhë. Vinin si krushqit në dasmë pa u ndalur në pazarin (tregun) që ishte të shtundeve në Gjilan. Edhe një gjë mos ta harroj se, kur zbritja Kodrës së djegur, kalonim nëpër parkun e qytetit, Gjilanit. Këtu, kanë thënë më vonë, se ka varrezë masive. Mos harroni se po i harroni “gjërat” e dhimbshme.

Hidromorava

O burra, sot, kur ju ma dhatë namin me këtë trup fort të pëlqyer, që po shikoj krejt qytetin, s’paska gjë më madhore për njeriun. Po fort më këni nderuar. E keni nderuar edhe vehtën. Ju, nga sot mos keni frikë. Unë ju bëj roje. Do të jem roja juaj e përhershme. Pse jo? Po shumë kam luftuar për këtë ditë të bardhë. Kam luftuar në Dranagllavë, Kaçanik e në shumë vende tona, por vështirë ka qenë, bre! Unë nga vetës pata afro 20 mijë luftëtarë trima vullnetarë. Luftova nga një moshë e hershme e gjer në vdekje. Por, vështirë e pata ta shliroj vendin. Vështirë është për burrin të vdesë në shtrat, kur vendi ishte në rrezik prej armiqve.

Ju, sot, kur po e kremtojmë 105-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe 10-vjetorin e shpalljes së Kosovës shtet, unë edhe kështu si jam i “fortë” po mundohem të bëhem edhe më i fortë që po ju shoh bashkë, si një, duke më nderuar me flamuj, këngë, fjalë e me buzëqeshje.

Më së shumti më nderuan dy kryetarët e shteteve, z. I. Meta e z. H. Thaçi, të cilët, fjala e tyre ishte e ngrohtë dhe tejet domethënëse. Zoti i bekoftë!
Na erdhi dita e Arbërit! Dita jonë madhore. Ju porosis: Bëhuni tok t’ju marrin lakmi të tjerët! Mos grindeni në mes vete, se jeni shqiptarë. Kjo kauzë madhore duhet t’ju bashkojë të gjithëve! Tash jemi dy shtete, si shtoi z. Ilir Meta, një komb. Edhe i pari i Gjilanit, fort më ka nderuar. Ai nga sot tha se, 27 nëntori 2017 do të jetë festë për komunën e Gjilanit. Ju faleminderit! Mos t’ju marrë kohë, sepse keni edhe punë të tjera. Por, nga sot, qytetarët e Gjilanit le të flejnë të qetë. Unë ju bëj roje. Unë dje kam luftuar, por sot dua t’ju bëj roje në këtë liri që shumë e keni pritur. Por, zor ishte. Edhe sot po ju them: “Tërë jetën luftova për ta bërë këtë vend Shqipni, por zor ishte, bre…!” Edhe njëherë, ju faleminderit Gjilan, qytetarë e udhëheqës të këtij qytetit e më gjerë!”
Ky ishte një monolog i Idriz Seferit, Kreshnikut të Karadakut./tefik selimi/rajonipress/