Eko Higjiena

Ibrahim Kadriu, ky romansier i paepur

/ 18 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – Në ambientet e shkollës fillore “Agim Ramadani” të Zhegrës, Ars Clubi “Beqir Musliu”, në kuadër të Manifestimit “Vjeshta letrare e Gjilanit”, para një numri të konsideruar artdashësish, paraqiti dy vepra të këtij viti, që lidheshin për një emër, shkrimtarin Ibrahim Kadriu.

Fjala është për veprën studimore të prof dr. Mahmud Hysës, “Polifonia e tekstit letrar” – fiksioni në romanet e Ibrahim Kadriut si dhe romanin më të ri të këtij romansieri të paepur, “Pjella e dreqit”.

Pas një bibliografie të shkurtër për prof dr. Mahmud Hysën, të cilën e paraqiti, Bilall Haliti, rreth kësaj vepreje studimore floën Xhevat Syla, si botues si dhe Nexhat Rexha, poet e kritik letrar.

U tha se prof Mahmud Hysa, ka bërë një studim të gjithanshëm për opusin romanësor të Ibrahim Kadriut, duke i marrë për shtjellim 17 romanet e tij ( pa dy romanet e fundit , botuar këtë vit, “Gjallorin” dhe “Pjellën e dreqit”), romane këto që, në mënyrën më të mirë paraqesin këtë njëqindvjetësh shqiptar me të gjitha situatat, sfidat dhe rrugëtimet e tija deri në ditët e sotme.

Ndërsa , vendlindja e tij, Zhegra dhe Gryka e Karadakut, mbesin frymëzimi i përhershëm i Ibrahim Kadriut dhe epiqendra ku zhvillohen të gjitha ngjarjet thuaja, që paraqiten nëpër këto romane, të cilat kanë pasur jehonë të gjerë si tek lexuesit poashtu edhe tek kritika. E, dëshmia më e mirë është dhe vetë vepra studimore e Mahmud Hysës.

Në vazhdim të kësaj veprimtarie letrare, para zhegrasve, u paraqit dhe romani më i ri i shkrimtarit Ibrahim Kadriu, “Pjella e dreqit”, për të cilin, gjerë e gjatë foli studiuesi Mahmud Hysa, duke e cilësuar si njërin nga romanet më të mira të këtij viti, botuar në hapësirat shqiptare.

Vetë ngjarja, personazhet dhe koha në të cilën zhvillohet e tërë drama e këtij romani, tha studiuesi i shquar, Hysa, intrigojnë për t’u lexuar dhe vlerësuar ky roman, i cili, s’ do mend, vetëm sa dëshmon mjeshtërinë e të rrëfyerit të shkrimtarit Ibrahim Kadriu.

Autori i mbi dyzetë e dy veprave letrare, duke ju drejtuar të pranishmëve, pak edhe nën emocione, tha se, edhe kur s’ kam qenë këtu mes jush, kam jetuar me juve dhe vendlindjen time si dhe këtë pjesë të Kosovës, duke e bartur nëpër shkrimet e mia, si një detyrë të vullnetshme që ia kam dhënë vetes, për t’i pasqyruar shumë nga të ndodhurat dhe të jetuarat tona nëpër kohë.

Protagonisti i dy veprave të paraqitura, Ibrahim Kadriu, më pas, të pranishmëve ua dhuroi librin e tij “Gjallori”, si dhe drejtorëve të tri shkollave fillore, asaj të Zhegrës, të Llashticës dhe të Shurdhanit, dy librat që u paraqitën.

Njëkohësisht, nuk u harrua as biblioteka e shkollës fillore “Agim Ramadani” , të cilës Ars Clubi “Beqir Musliu” i dhuroi 44 ekzemplarë librash. Po, edhe shkrimtari Ibrahim Kadriu, disa nga titujt e fundit të opusit të tij.

Përndryshe, “Vjeshta letrare e Gjilanit”, e cila pjesërisht po ndihmohet nga DKRS-ja ,përmbyllet me 22 dhjetor, kur edhe do përurohen dy botimet më të reja të këtij fundviti, “Vjeshta letrare e Gjilanit”, edicioni 2011 si dhe përzgjedhja poetike me një grup autorësh gjilanas “Parnasi me aromë Gjilani”./rajonipress/

Vështrimi i Mahmud Hysës për librin “Pjella e dreqit” të Ibrahim Kadriut, roman, Faik Konica, Prishtinë.

Romancieri Ibrahim Kadriu, me veprën më të fundit të vitit në vijim, me romanin Pjella e dreqit, mëton, në mënyrë implicite, jo përmes simbolit apo alegorisë, të transponojë artistikisht të vërtetën objektive të përditshmërisë sonë kontrastive të politikës dhe politikanëve të periudhës së pasluftës së fundit. Përmes këtij romani ai arrin të zbulojë, po artistikisht, banalitetin, trivilialitetin dhe groteskën e politikës së tyre; oportunizmin, karrierizmin dhe korrupcionin; hipokrizinë, imoralitetin dhe absurditetin; të zbulojë idealet e thyera, të zhveshura dhe të përtrollosura; zhgënjimet, tradhtitë dhe shpifjet; veprimet bizare, psikologjinë individuale korruptive dhe moralin e etikën e shprishur.

Mirëpo, të ballafaqohesh me një diapazon kaq të gjerë të të vërtetave të përditshmërisë politike, t’i transponosh ato në të vërteta artistike duke i zbuluar veprimet e tyre në mënyrë empirike, po edhe psikologjinë dhe luftën e tyre të brendshme për veprime korruptive të ndërgjegjshme dhe të paramenduara; të trajtosh në roman një periudhë që ende nuk është shtresuar si formacion politik-shoqëror pse është në formim e zhvillim e sipër; t’i piketosh fenomenet e shumta paradoksale që janë ende të freskëta dhe nga shumë lexues të përjetuara në lëkurën e tyre, do të thotë të transponosh një realitet të hidhur, të helmuar e të panatyrshëm; do të thotë të parafrazosh njerëz konkretë që s’ua përmend vetëm emrin, që në një personazh të ngjeshësh karakterin dhe pasionet e disave prej tyre.

Kjo do të thotë edhe të marrësh një përgjegjësi të madhe historike, morale dhe etike. Natyrisht se kjo kërkon përvojë të gjatë shkrimore transponuese dhe përvijimin tematik-motivor si individualitet krijues, por edhe një guxim intelektual dhe krijues pse temat e tilla ngjallin diskutime, polemika dhe reagime te një shtresë mjaft e gjerë receptuesësh të veprës letrare që e ndjejnë veten të atakuar.

Receptuesi, nëse mediton pak më gjatë dhe arrin ta zbërthejë metaforën e titullit, për këtë fenomen të stilistikës letrare autori dallon nga gjithë romancierët tjerë, fenomenin e vulgaritetit politik, do të hetojë se, në togfjalëshin e titullit, epiteti “e dreqit” e bën edhe emrin “pjella” të bëhet refuzues, i neveritshëm dhe mohues edhe pse semantika e nocionit “pjella” është pozitive: lindje e dëshiruar, e frytshme dhe e mirëpritur. Togfjalëshi i titullit të romanit, “Pjella e dreqit”, tipos personazhin më kontraverz të romanit, Robertin, atë që pëson metamorfozë në veprime, nga një pjesëmarrës në demonstrata kundër pushtetit të huaj bëhet një burokrat makiavelist, antitezë e idealistit të çështjes kombëtare, politikan që, me veprimet, mendimet dhe ndjenjat e çoroditura, ngërthen në vete të gjitha premisat negative të një udhëheqësi të popullit që i komprometon idealet e luftës për të drejta dhe pavarësi kombëtare, togfjalësh ku nominacioni e humb semantikën primare dhe kalon në metaforë që asocionon në një krijesë të neveritshme, të padëshiruar, të dëmshme; morbide, konfliktuoze, imorale.

Megjithatë, receptori do ta kuptojë këtë metaforizim jo në mënyrë apriori, vetëm nga titulli, por aposteriori, vetëm nëse e lexon romanin në tërësi, vetëm nëse i përcjell me vëmendje veprimet, hipokrizinë, ndjenjën e karrierizmit të Robertit, iluzionin për kryetar shteti, raportet familjare arrogante ndaj gruas dhe djalit të birësuar, shpifjet ndaj shokëve të demonstratave për të fituar grada partiake, fshehjen e të vërtetave korruptive të disa shtetarëve për përfitime personale, krijimin e kapitalit material pa mbulesë, shfrytëzimin e autoritetit politik që t’i punësojnë femrat për qëllime të ultë.

Në opusin shumë të gjerë dhe të pasur të romaneve të këtij autori, si një vijë e individualitetit të tij krijues, përvijohet, nga romani në roman, një vazhdimësi dallues tematik, pasqyrimi i të kaluarës historike, duke nisur nga periudhat më të hershme për të ardhur sukcesivisht deri në shpërbërjen e shteteve komuniste të Ballkanit. Në këtë kontekst, pasqyrimi nis nga feudalizmi i zhvilluar shqiptar, nga koha e Dukagjinëve dhe e Skënderbeut, duke ardhur, pas një kapërcimi të dukshëm të periudhave kryengritëse të shekujve XVII-XIX, në fazën më tragjike për popullin shqiptar të shek. XIX, eksodin biblik të shqiptarëve nga trojet etnike të Toplicës, vazhdon me periudhën në mes dy Luftërave Botërore e të Luftës së Dytë Botërore,për t’i dhënë një shtrirje edhe më të gjerë pozitës inferiore të shqiptarëve në kohën e komunizmit pansllavist jugosllav dhe pasojave paranoike për shqiptarët nga komunizmi infantil shqiptar.

Me romanin më të fundit, Pjella e dreqit, autori e shtrin vështrimin e tij në periudhën më bashkëkohore në trojet shqiptare, konkretisht në Kosovë, atë që erdhi si rezultat i luftës kundër pushtuesit të fundit të Kosovës, periudhë e kaq pritur dhe kaq dëshiruar ku shqiptarët, pas një përvoje të hidhur shumëshekullore, do të dinin ta udhëhiqnin shtetin e tyre pa hile e pa pseudopatriotizëm, pa krime e pa abuzime, pa armiqësi dhe pa nepotizëm, për hir të idealeve të hershme dhe të fundit të të rënëve për lirinë politike, kombëtare, ekonomike, kulturore.

Uji Dea

Megjithatë, çdo autor, siç thuhet metaforikisht, është një sy dhe një vesh vazhdimisht i hapur që sheh dhe dëgjon më shumë se të tjerët, prandaj thuhet se është prore në opozitë me realitetin, ka diçka që e pengon dhe nuk i pëlqen, që mendon se do të mund të ishte më mirë e shumë më mirë, se shumëçka varet edhe nga subjektiviteti politik i individit. Në këtë kontekst vepron edhe Ibrahim Kadriu që me romanin e fundit i bën një groteskë trivialitetit bashkëkohor më të fundit, kohës kur udhëheqjen e pushtetit e morën në duar vetë shqiptarët për të udhëhequr po me shqiptarët.

Mirëpo, ashtu siç u zhgënjyen rilindësit me pavarësinë nga Turqia, shqiptarët me dëbimin e Italisë dhe Gjermanisë gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, po ashtu u zhgënjyen edhe me periudhën e pasluftës më të fundit, me atë që erdhi dhe ashtu si erdhi, e stërkequr, anemike dhe rakitike.

Shkrimtari, si ndërgjegje e zgjuar, ka për detyrë që lexuesit t’ia transponojë artistikisht realitetin objektiv ashtu siç është për t’i dhënë të kuptojë se si do të duheshe të jetë. Edhe pse, sipas estetit Ingardenit, romancieri duhet të ketë parasysh ligjet e fiksionit letrar të cilat lejojnë të kemi vetëm kuazi-të vërteta pse “tabloja subjektive e realitetit është absolutisht individuale, karakteristike vetëm për një subjekt psikik”, por, sipas V.Vultit, detyra e romancierit është që ta pasqyrojë jetën në roman në mënyrë sa më besnike, “Romancieri nuk duhet të largohet nga jeta, por duhet ta kopjojë besnikërisht”.

Romancieri ynë, si mjeshtër i thurjes artistike, të vërtetën relative të realitetit objektiv e transponon artistikisht, me fshehtësitë e formës së romanit na mundëson jo ta vështrojmë botën, por ta kopjojmë në mënyrën sa më besnike, ndërsa me tipin e narratorit “të gjithëdijshëm”, krijon relacione në mes lexuesit dhe receptorit duke i prekur përfytyrimet e tyre reale.

Ibrahim Kadriu, ashtu si shumë intelektualë tjerë të ndërgjegjshëm, nuk mundi të qëndrojë indiferent dhe i shkujdesur ndaj realitetit objektiv që erdhi pas ngjarjeve të fundit politike, aq më tepër që ai realitet politik erdhi si rezultat i qëndresës heroike dhe viktimizuese për idealin politik, kombëtar, shoqëror dhe çlirimtar që ta marrim në duart tona drejtimin dhe udhëheqjen e shtetit të ri.

Thyerje të idealeve ekzistojnë pas çdo tranzicioni politik, por jo edhe në atë masë dhe në ato forma që u paraqitën në jetën tonë politike, prandaj romancieri ynë, qëndrimin refuzues ndaj realitetit objektiv, e shpreh përmes groteskes që i bën trivialitetit bashkëkohor duke i sintetizuar të gjithë devijantët në një metaforë mjaft kakofonie, pjella e dreqit, si krijesa të përçudnuara, të mbrapshta dhe të dëmshme.

Devijimet dhe devijantët e trivialitetit janë të shumtë në numër dhe në tipologji, por autori, si një letrar me përvojë, nuk mëton që t’i shenjëzojë të gjithë si tipa dhe si veprime, pse letërsia dallon nga fotografimi i realitetit, ajo është më tepër sintetizuese, i merr tipat më karakteristikë dhe ngjarjet më kardinalë duke u futur në veprimet dhe në psikologjinë e tyre patologjike si veprime dhe tipologji që pasqyrojnë format më absurde e paradoksale të një realiteti të hidhët dhe të shprishur.

Romani Pjella e dreqit i takon tipit të romaneve të personazhit që temën kryesore e zhvillon dhe e zbërthen përmes karakterit dhe veprimeve të disa individëve më markantë të realitetit që, si personazhe artistikë, janë mjaft bindës për veprimet e tyre dhe për receptorin se i takojnë vetëm asaj periudhe historike për të cilën bëhet fjalë në roman. Tema kryesore e romanit, realiteti politik i krijuar pas ngjarjeve të fundit të përmbysjes së pushtimit dhe të udhëheqjes së vendit nga faktori kombëtar me tërë frustrimet që e përcjellin këtë periudhë, realizohet kryesisht përmes tre personazheve më tipikë që ka krijuar autori: Din Gurziu, Roberti dhe Uran Sina.

Të tre personazhet kanë veçori të përbashkëta, janë pjesëmarrës të lëvizjes së rinisë përparimtare në demonstrata dhe në luftën e armatosur për shkëputjen e vendit nga pushtuesi i huaj dhe arritën ta gëzojnë edhe fazën e formimit të shtetit të ri. Megjithatë, dy të parët, në periudhën e pasçlirimit, dallohen si të frustruar, të pa dinjitetshëm dhe të paparim morale, keqpërdorues të pozitës udhëheqëse, shfrytëzues të privilegjeve dhe të benificioneve që janë në dëm të idealeve dhe interesave të popullatës, ndërsa i treti mbetet konsekuent në pastërtinë e idealeve, në luftën për denoncimin e shpërdoruesve të të mirave kombëtare, një person që, përpos pasojave që përjetoi pse zbardhi të vërtetat për shpërdorime, vazhdon të veprojë edhe më tutje sipas idealeve dhe ndërgjegjes personale dhe jo sipas porosive dhe shantazheve.

Finalja e jetës së këtyre tre personazheve ndryshon, për dy të parët është në përputhje me moralin e tyre të frustruar që, edhe sipas autorit, edhe pse kanë merituar një jetë më të gjatë dhe më të lumtur, ndërpritet herët e shumë herët pa i shijuar të mirat e pasluftës dhe kënaqësinë familjare. Udhëheqësit e paformuar dhe të pandërgjegjshëm, që bëjnë kapërcime në mirëqenien personale, i kaplon imoraliteti, degjenerimi dhe delirium tremensi që zakonisht përfundon me finale tragjike, ashtu siç edhe autori, si njohës i psikologjisë, e jep edhe në roman.

Finalja e personazhit të tretë merr kahe tjetër, në përqasje me moralin politik konsekuent, me qëndrimet e paluhatshme ndaj realitetit politik dhe me krijimin e një familjeje të shëndoshë dhe me plot mirëkuptim.

Në romanin Pjella e dreqit përvijohet disa tema suplementare disa prej të cilave për kah aktualiteti, ndjeshmëria, mjetet artistike, pesha tematike, pozicionimi racional i personazheve janë të barabarta me temën kryesore. Në këtë kontekst përvijohet tema familjare, tema e pozitës inferiore të femrës në shtetin e ri të porsaformuar, një mozaik temash paradoksale nga përditshmëria e njerëzve të kompleksuar nga problemet sociale, kritikë shumë objektive drejtuar përditshmërisë nga njerëz të rëndomtë, degdisjet e njerëzve nëpër botë për arsye nga më të ndryshmet e tjerë.

Tema familjare, jo ajo e folklorizmit familjar, apo e riteve familjare, por tema e ndjeshmërisë së thellë të psikologjisë familjare është më e theksuar dhe paralele me temën kryesore si për kah shtrirja tematike brenda romanit, me atë fillon dhe mbaron fabula, si për kah senzibiliteti dhe aktualiteti i saj i përhershëm, haset në të gjitha kohët dhe i përfshin të gjitha shtresat shoqërore.

Në këtë temë përmblidhen tri motive mjaft të ndjeshme: i amësisë, i birësimit dhe i rinjohjes së fëmijës, po jo i ballafaqimit që janë në një kontinuitet të plotë, të lidhura dhe të ndërlidhura njëra me tjetrën, të shprehura përmes një figuracioni të pasur që receptorin e mbajnë të emocionuar me rrjedhën e saj dhe me hepiendin aq virtuoz që mund ta paramendojë vetëm një krijues me përvojë të gjatë dhe cilësore krijuese që receptorit i vjen si një relaksim i jashtëzakonshëm, pas gjithë asaj ngatërrese, përmbysjeje dhe fshirje të gjurmëve.

Hepiendi i gjithë këtij konglomerati që të gjithë të jenë të kënaqur, amësia, birësimi dhe rinjohja e fëmijës, po jo ballafaqimi, nëna e vërtetë ia zbulon djalin të vet emrin, identitetin, përvetësuesen, ku jeton, nesër do të dijë për fëmijët e tij, nëna-birësuese e njeh po nuk e din nënën-amësi, vetë djali e din vetëm nënën-amësi dhe burri i nënës-amësi e pranon me mirëkuptim realitetin amësi, pa krijuar asfare problemi…

Një veçori mjaft evidente e individualitetit krijues të këtij romancieri, e rrallë në romanin tonë, është fakti se autori arrin që përmes një personazhi, me një rol shumë të shkurtër në roman, të iniciojë, të zhvillojë dhe të përfundojë një temë të re që shumë bukur integrohet në idenë e përgjithshme të romanit, ndërsa te receptori lënë përshtypje shumë impresive aq sa ajo mundet lirisht të bëhet temë e një romani. Kjo do të thotë se aftësia vrojtuese, piketuese, se akti poetik i frymëzimit te ky romancier nuk është fare në krizë, ai mund të themi se është një thesar temash të reja e më të reja, tema të karakterit shoqëror, ashtu siç i ka të gatshëm edhe personazhet e atyre temave që ndoshta do t’i paraqesë në vepra të reja.

Romani i radhës i Ibrahim Kadriut, Pjella e dreqit, me shumësinë e temave të nivelizuara mjeshtërisht dhe me vlera konstante të marra nga realiteti më bashkëkohor, të gjitha të transponuar me vërtetësinë më të madhe që receptorit ia trazojnë ndërgjegjen dhe ndikojnë në vetëdijesimin për absurdet e paradokset në të cilën jetojnë dhe për tiparin më negativ të makiavelizmit të politikës dhe politikanëve të kohës, të gjitha këto të shprehura me një strukturë kompozicionale të një tipologjie më bashkëkohore, me një gjuhë letrare shumë të qartë dhe figurative shumë të pasur, tregojnë se kemi të bëjmë me një roman gjithashtu të suksesshëm dhe të veçantë si tipologji.

Këtë vlerë ia shtojnë edhe disa fenomene tjera të individualitetit të tij krijues se polifonia e tekstit letrar të këtij romani është edhe mjaft dhe shumë më e gjerë kur marrin parasysh se autorit i duhet shumë pak vend për të hedhur në eter një temë të re me një fjali, me një frazë e me një personazh mjaft të thjeshtë që te receptori lënë shenja në vetëdijen dhe ndërdijen e tij. Kësi rastesh kemi mjaft dhe mjafton të përmendim sa për ilustrim çështjen e rendit të autobusëve urbanë, vërejtjet e shitëses së luleve, personazhin e kamerierit me fakultet dhe magjistraturë të kryer, dokumentet e zhdukura nga serbët.

Po receptori ndjen edhe kënaqësi të veçantë gjatë leximit të kujdesshëm kur e zbërthen metaforën për asfaltin, alegorinë për mbylljen e gropave septike me fjalë, hipokrizinë e Robertit me gruan kur është vetëm dhe kur është me gratë tjera; kur edhe në këtë roman receptori mrekullohet me epiendin e romanit, aq të qëlluar, aq të matur, aq solomonik; apo kur receptori i sheh personazhet që akumulojnë revoltën ndaj një tjetri dhe kur takohen krejtësisht e ndryshon qëndrimin dhe flet ndryshe siç bëri Roberti për Azeminen. Të gjitha këto e bëjnë këtë roman që sa herë të lexohet aq herë të nxjerrë nga diçka dhe fiton një përvojë të re jetësore. Këtij qëllimi autori ia ka arritur plotësisht dhe këto mjaftojnë ta quajmë këtë roman të vitit.