UBT

Ibrahim Ibishi poeti që la pas magjinë e shkrimit

/ 8 minuta lexim

Nga Shaban Cakolli – Vjeshta letrare e Gjilanit, e këtij viti, në organizim të klubit letrar “Beqir Musliu” kësaj here iu kushtua shkrimtarit Ibrahim Ibishi, i cili vdiq më 24.11.2010. Duke folur për krijimtarinë e tij, Sabit Rrustemi pat thënë se Ibishi ishte poet që rrëmbeu përjetshëm stinën e tij të jetës. Ishte në majat e shpërthimeve krijuese, në moshën e tij më të mirë.

Me afërsinë njerëzore e shpirtërore, krijuese, me butësinë e njeriut të mirë të kësaj toke, me ndjeshmërinë e përhershme dhe ndërrimet e papritura të gjendjes shpirtërore, njësoj si vet stina e lindjes dhe jetës së tij – vjeshta. Sa shumë kishte shkruar për vjeshtën, sa shumë ishte identifikuar e mishëruar me këtë stinë. Mes kësaj edhe kishte lindur. Lajtmotiv i muzës së tij ishte bërë vjeshta. Edhe shumëçka kishte për të shkruar për vjeshtën, të dashurën, jetën. Sapo kishte filluar për ta shpalosur këtë stinë që rrëmben aq furishëm. I dashuruari çmendurisht në vjeshtën, po udhëtonte që moti drejt saj, për ta nxënë përjetshëm si stinë të prehjes së tij.

Eh vëlla Ibro, sa vështirë qenka për ta thënë këtë lamtumirë, po u deshka meodomos!!! Ah sa kisha dashur të jem larg diku ku nuk ndiej dhimbjen!Do të doja të isha diku larg mediave së paku edhe një kohë mos të dija për këtë kumt. U ndjeva si i mpirë, thellë brenda vetës shpresova se është vetëm një ëndërr e keqe, se kur kjo ëndërr të më zgjoi dhe pastaj do të kthehet gjithçka si më parë.

Nuk po mundem të pranoj se një e keqe të ka ndodhur, po ajo çka më mundon ti sonte më nuk je me ne. Qenka e vështirë të pranohet e vërteta e hidhur, po nuk po u varka asgjë nga ne,po e kuptoj se më nuk do të jesh në mesin tonë, se nuk do të na shkruash fjalë të ëmbla sikur na shkruaje më parë, megjithatë ato shkrime që na i ke lënë do ti ruajmë më të ëmbla se saharoza.

Një ditë do të vij nga mërgimi, do të kaloj para portës tënde, por si të pranoi se nuk do shoh hijen tënde dhe nuk do të dëgjoi zërin tëndë. Do të na mungoi fjala jote e ëmbël, dashuria dhe ngrohtësia mbi të gjitha prania jote. Ishe shumë i dashur dhe i buzëqeshur,po ja buzëqeshja nuk zgjati, të mori kohën kur na u dashtë më së shumti. Vdekja është proces i pa ndalshem, por ka kohë që protestoi kundër saj. Kam fituar një bindje se këto kohët e fundit vdekjet po i ngatërrojnë rendet,po sulmojnë në mosha të njoma, në njerëz që na duhen më së tepërmi.

Kur na e mori të madhin Azem Shkrelin na e dridhi tokën nën këmbë,me pamundësi të pranoja këtë kumt, protestova me vargje kështu:

NDARJE QË DHEMB

Në këtë kohë të pa kohë
për ne plot shtërngatë
duket edhe vdekjet
punojnë me inatë
Vijnë kohë e pa kohë
kërcejnë, ngatërrojnë rendet
sulmojnë atdhetarët
dhe njerëzit e penës.!!!

Po për ju vëlla Ibro, si të nisë protestën?Personalitetin tënd e stolisnin virtyte të larta, modestia, çiltëria, afërsia me njerëz, guximi për të u bërë ballë sfidave të kohës që nuk ishin pak, përgatitja me njohuri dhe aftësi të gjëra nga fusha e arsimit, kulturës, traditës dhe historisë kombëtare.

Ishe shpirtkërkues si në shkrimin e poezisë, si dhe në edukimin e brezave të ri. Ti pishtar i arsimit edukove shumë e shumë gjenerata, kreve misionin tënd duke sjellur shumë dritë e dituri, u shpalle shpesh mësuesi më i ndritshëm i Kosovës, e nesër do të ndjejnë mungesën tënde shkolla dhe nxënësit, fëmijët dhe familjarët tu, po do të ruajnë krenarinë
që ty të kishin fisnikun, bujarin dhe të sinqertin që shkëlqeve në çdo mes të pranisë suaj.

Uji Dea

Shaban Cakolli

Ligjërojnë Bilbilat
Ligjërojnë bilbilat, ngrohë një rreze diell
Do vargje t´poetit, për“Varrin në qiell.”
Ligjërojnë bilbilat, unë fort u përula
vargjet e poetit”Shiu për këpurdha”
Ligjërojnë bilbilat, mbi pallat t´Rinisë
vargjet e poetit”Kshtjella e vetmisë”
Ligjërojnë bilbilat, tunden fusha e male
vargjet e poetit”Trandofil në varre”
Ligjërojnë bilbilat, në freskinë e verës
për një”Kaqurrele që vrapon pas erës”
Ligjërojnë bilbilat, malli se ç´na ngriu
vargjet e poetit”Për një Baladë Shiu”
Ligjërojnë bilbilat, me za të kushtrimit
vargjet e poetit”Magjia e Shkrimit”
Pena e poetit, k´to vargje ka çpikë
e patëm mësues, poet dhe kritik
Ibrahim Ibishin,ma të mirin mik
Vargu përcjell vargun, nji poemë e gjatë
nvendlindje t´poetit n´fshatin Kremenatë
zbresin këto vargje, nga vendi që e rriti
nguliten në faqe t´revistës Nositi
Ishpalosë kujdesshëm kjo Dardana nanë
krijuesit e shquar , atje në Gjilan
vargu përcjell vargun,sikur riga shiut
n´Árs Klubin letrar të Beqir Musliut
prej atje nuk ndalet, ndritet fort si pishë
e ligjërojnë nxënësit n´shkolla t´Hajvalisë
në klube e shkolla, në Lidhje shkrimtarësh
buron n´trojet tona, ku jetojnë shqiptarët
Ligjërojnë bilbilat,fluturojnë për re
Ibrahim Ibishi ma nuk është me ne
Jeta është si hije, që shpejt përendon
je yll letërsie, ty vepra t´jeton.

Kanë kaluar disa vite nga ndarja e tij prej nesh,por malli,dashuria,kujtimet për te nuk zbehen asnjë çast.

Ibrahim Ibishi ishte i lindur në Kremenatë të Gallapit, më 16 dhjetor 1953. Me profesion ishte mësimdhënës i Gjuhës shqipe dhe letërsisë dhe mësues klasor. Përpos profesionit të mësimdhënësit ai kishte afinitet për krijimtari letrare në zhanre të ndryshme letrare. Ai ishte poet, tregimtar, romansier dhe kritik letrar.

Ibrahim Ibishi deri në fundin e pushimit të jetës së tij, ka botuar këto vepra letrare: vëllimin poetik “ Varr në qiell “, botuar në vitin 1995, librin me tregime “ Shiu për kërpudha “, i botuar në vitin 1995, nga RL “ Jeta e re “, në Prishtinë, librin tjetër, po ashtu me tregime, “ Korbat mbi muranë “, e botoi në edicion të SHB “ Rilindja “, në vitin 1996, në Prishtinë, romanin“ Shtjella e vetmisë “, e botoi SHB “ Rilindja “, në vitin 2000, i cili roman për periudhën kohore, tetor 1999 – tetor 2000, nga SHSH të Kosovës u shpall libri më i mirë i botuar në prozë, romanin “ Trëndafil në varrezë “, e botoi në vitin 2000 në edicion të SHB “ Rozafa “, në Prishtinë, në vitin 2002, në edicion të SHB “ Faik Konica “, në Prishtinë, botoi vëllimin poetik “ Kaçurrelja që vrapon pas erës “ dhe, në vitin 2004, ky autor botoi romanin “ Njerëzit e vjeshtës … “, financuar nga Ministria e Kulturës së Kosovës, e botuar nga SHB “ Rozafa “, në Prishtinë.

Në vitin 2008 botoi librin me poezi “ Baladë shiu “, financuar nga Ministria e Kulturës e Rinisë dhe e Sportit e Republikës së Kosovës dhe librin me ese dhe shkrime diskursive “ Magjia e shkrimit dhe përjetimi i leximit”, financuar nga Kuvendi Komunal i Prishtinës. Këta dy libra dolën nën edicionin e SHB “Rozafa“ e Prishtinës. Ndërsa në proces të botimit është edhe libri me vjersha e tregime për fëmijë “Hajni topi dhe peshqit“, në edicion të SHB “Faik Konica” e Prishtinës.

Ibishi ka bashkëpunuar me shumë revista, gazeta e mediume të shikuara, si: “Bota e re“, “Zëri i rinisë“ ( më vonë “Zëri“ ), “Rilindja“ ( më vonë “Bujku“, “Pionieri“, “Fjala“, “Jeta e re“, “GEP – i“, “Kosovarja“, “Shkëndija“,“Bota sot “, “Koha ditore“, “Ylliria Post“, “Lajm“, “RTK“, “Nositi“, Dardanë“, “Jehona e Bujanocit”, “Kalendari letrar“, “Verbi “ e ndonjë tjetër.

Ibrahim Ibishi ishte po aq i suksesshëm edhe në profesionin e mësimdhënësit. Këtë e ilustron më së miri mirënjohja që iu dha nga Ministria e Arsimit të Kosovës, me rastin e 7 Marsit të vitit shkollor 2007 / 2008 , ku ai radhitet ndër mësimdhënësit më të mirë të Kosovës.

Ishte njëri ndër bashkëthemeluesit e Klubit Letrar “ Nositi “ të Dardanës ( ish Kamenicë).
Ibrahim Ibishi ka jetuar dhe vepron në Prishtinë. Ai iku, por na e la magjinë e shkrimit, e cila do të kujtohet nëpër breza./rajonipress/