KKVITI

Hyjëzimi i bukurisë, art e dashuri në librin e”Këmishë e ndezur nate” të Ramadan Mehmetit

/ 14 minuta lexim
Fundamenti

Nga Remzije Zekolli – “Këmishë e ndezur nate”, poezi, Shtëpia Botuese “ Beqir Musliu”, Gjilan 2018. Librin “Këmishë e ndezur nate” të Ramadan Mehmetit, pa ngurrim do e cilësoja Hyjëzim i dashurisë. Duke pasur parasysh mendimin e profesor Agim Vincës se Kritiku duhet t’i qëndrojë besnik tekstit, shenjave të tij, por njëkohësisht të jetë kreativ gjatë interpretimit të tij , po përpiqem që tesktin letrar të shkrimtarit Mehmeti ta paraqes sipas strukturës unike e origjinale që e ngërthen.

Autori në këtë libër na shfaqet me pjekuri prej krijuesi. Librin e karakterizon një semantikë e pasur letrare. E artistike. Ky vëllim është strukturuar në pesë cikle, ngërthen 115 poezi. Cikli i parë” Univers Flake” është më i gjati, dhe përbëhet nga dyzet poezi. Cikli i dytë “ A mund të shteroj deti” përbëhet nga tridhjetë poezi, cikli i tretë”Vari dorëzat e lëkurës” përbëhet nga gjashtëmbëdhjetë poezi, cikli i katërt “Simfonia e valëve” përbëhet nga njëzet poezi dhe ciklin e pestë “ Më zgjove në këtë ditarë të ri” e përbëjnë gjashtë poezi. Karakteristikë e këtij libri është se ciklet e librit shoqërohen me moto-vargje e që është në një far mënyre struktura narrative e secilit cikël.

Himnizimi lirik i dashurisë

Poeti triumfalisht himnizon dashurinë, e ngre në piedestalin më të lartë lirikën për dashurinë. Këtë vëllim mund ta quajmë lirishtë libër për dashurinë, e që është art i llojit të vet, është frymëzimi për të jetuar e krijuar. Lirikat metaforike të dashurisë të dhembje-dashurisë, janë dëshmi e ekzistencës së poetit ashtu sikundër një këso dëshmie është edhe shpirti poetik. , shprehet studiuesi Prend Buzhala në monografinë e tij studimore kushtuar këtij krijuesi. Poeti me guxim himnizon dashurinë me një lirikë të fisme dashurie. Gjuha shprehëse e poezisë është gjuhë lirike. Është gjuhë simbolesh . Tematikë simbolike e këtij libri janë pritja, malli,kujtimi, etja, dëshirat, të cilat poeti i ka gdhendur me pasion në shtatin e këtij libri. Ramadan Mehmeti në secilin libër që e ka shkruar, ka çka i jep lexuesit, çka i rrëfen, lexuesi ka çka recepton në kujtesën e tij tek lexon librin e poetit që i këndon dashurisë. Ai komunikon me të bukurën, vargun e kryqëzon mes pikturës dhe kompozimit të këngëve, arti i ofron lexuesit labirintet krijuese të llojeve dhe gjinive të ndryshme të krijimtarisë. Këtë labirint lexuesi e zbulon secili në mënyrën e vet.

Me konceptin e përgjithshëm të lirisë lidhet edhe liria e mendimit, për ta sugjeruar dashurinë e lirë. Kryefjala e këtij librit të Ramadan Mehmetit është “ dashuria është art e arti dashuri” . Nëse s’kemi dashuri të zjarrtë për një punë a veprim s’ mund ta realizojmë atë. Dashuria ndaj jetës, ndaj njeriut, ndaj të bukurës është element themelor për jetë të dinjitetshme. Arti na bën ta fitojmë secilin betejë qoftë edhe për njeriun e zemrës. Ky libër i dedikohet kryekëput dashurisë; dashuria është vlera e fisme e njeriut, dashuria është e vërteta për jetën, arti e dashuria janë pjesë e jetës sonë ato assesi s’mund të ndahen.

Edhe poezia “Iku koha” i dedikohet dashurisë e cila ka lindur me lindjen e njeriut, i cili pas saj vrapon si një marathonomak. Poeti mjeshtërisht bënë lidhmërinë e dashurisë që nga koha e krijimit të botës, qysh kur u kafshua molla e ndaluar në kopshtin Eden, Hyji ua fal gabimin apo mëkatin e dashurisë. Poezia “Në mbretërinë tënde” me vargjet:
Udhëtova shtatë shekuj në një përrall
Për të arritur në mbretërinë tënde të purpurtë
Na shpërfaq rrugëtimin te mbretëria e secilit prej nesh, lexuesit ia sjell me metaforë të gdhendur mjeshtërisht: është gruaja që lind e nderon të tjerët, e cila në këtë libër i ngjason një dallëndysheje, është pasqyrë e veçantë ku njeriu shef vetën e tij, gruaja çdo herë duhet të mbrohet nënë brinjën e burrit. Poeti me sukses ka gërshetuar vargjet me librin e shenjë, Biblën, për kreacionin. Në poezinë “Vërsho, Dashuri” vargjet:
Flokët tuaja, kur u takuan
Atë ditë qelën angjelikat
Bukurinë e shiut
Njëri tjetrit ia mbëltuam në sy

Dashuria lind në çdo cep të tokës e bukuria e shiut mbillet ne sytë e të dashuruarve, pasioni për krijimtari sjell frytet e pritura. Poezia “Arti i Dashurisë” me vargjet e saj:
Është vegim parajse apo harron të digjesh më shumë
Zemrat humbur në thellësi të blerimit pranveror
E gjejnë, as vend për frymëmarrje, as për një kohë

Arti i dashurisë është përfytyrim çasti i parajsës që zemrat e dashuruara rrugëtojnë në thellësitë e blerimit në këto vargje dashurinë e perceptojmë si vet parajsën, është ajri që njeriu e thithë në secilën stinë. Ajo është si delli që na ngroh me rrezet e tij. Si ylberi i lindur në kaltërsi, e nga toka e sodisim me kënaqësi. Për artin e dashurisë Hyji na dhuron pason e ne këtë poezi e lexojmë si nëpër teh shpate.

Kur mungon dashuria

Poezia “Nata pa ty” me vargjet :
Këtë mesditë ë di si iku mëngjesi pa ty
Sot e një mijë vjet zgjon besimin tim
Këtë natë e di si erdhi nata pa ty

Mungesa e dashurisë në njërën apo mënyrën tjetër si ndarja, vdekja, në këto vargje duket e papranueshme dhe e papërballueshme. Libri strukturon mungesën e dashurisë, as mëngjesi, as mesdita s’kanë kuptim pa te, as mbrëmjen, ai s’ka dëshirë ta presë fare.

Ramadan Mehmetin lirisht mund ta quajmë poet që i këndon dashurisë, e cila të deh e të magjeps, të frymëzon, të bën të vuash, herë të bënë të fortë të mos gjunjëzohesh apo siç është shprehur poeti Latif Berisha U bë idhtë e ambël siç është vet kjo botë. Raportet e tilla të këngës me dashurinë dhe erosin, shfaqin pasionin e dashurisë, për të dëftuar cila është përmasa kozmike-hyjnore e kësaj force tërheqëse .Poezia “Kujtesa e hënës” me vargjet:
Do të takohemi në fjalëkryq
Do të më thuash ku je
E unë s’do të kem fuqi
Të përgjigjem

është simbolikë shumëdimensionale e fjalëkryqit, një enigmë që s’ mund ta zgjidh çdo kush, një simbolikë e rëndësishme e filozofike mes dashurisë dhe fjalëkryqit, duhet gjetur kombinimin, duhet pak durim për ta zgjedhur fjalëkryqin. Kujtimi e malli janë mesazhi i kësaj poezie. Poezia“Zemrës sime mos u mungo” ka pasion e metaforikë, lirizëm e përjetim:
Blu sutë e tu, për mua
Kur dua të mbjell kopshtin e paparë
Zemrës sime gjak i gjallë je
Zemrës sime mos i mungo
Etja ime sa gjatë do të të puth

R. Mehmeti lexuesit i rrëfen se dashuria s’bën për t’i munguar zemrës. Mungesa e saj e gjatë shuhet vetëm me puthjen, ashtu si shuhet etja, e kopshti që do mbillet aty, janë fëmijë që krijohen nga shuarja e etjes për dashuri. Kujtimet, dhimbja, vuajtjet e të dashuruarve për ta realizuar ëndrrën e tyre rinore për dashurinë, rrugëtimin për tek ajo, e përshkruajnë po thuajse fillim e mbarim librin “ Këmishë e ndezur nate”.
Edhe ciklin e dytë të librit e përshkruan strukturimi i njëjtë i librit, me vargje fisnike për dashurinë. Poeti nuk e dëshiron fjalën lamtumirë, asaj i ka shpallur lufte, triumfon dashuria. Ajo kurrë nuk vdes, por rinohet, ringjallet çdo ditë. Edhe në momente të rënda ajo mbijeton, siç mbijetoi në Trojë. Poezia “Mëngjesi hapi portat” me vargjet:
Kur mëngjesit dehen diejt
Shaloje kalin e fisëm për tek unë
Mëngjesi hapi portat e puthjes
Për njëqind vjet

Mobi Casa

Na bën ta perceptojmë refleksionin lirik të poetit, se duhet durim për shalimin e kalit për të rrugëtuar e hapëruar tek dashuria, ajo i mbijeton në secilës sfidë. Vargu mahnitës i poetit kuptohet lehtë, ai e përfiton lexuesin, duke kujtuar çastet më të fisme të dashurisë. Poezia “Ky zjarr i shpirtit” strukturon rikthimin e saj edhe në ëndërr, si na ligjërojnë vargjet:
E si mund të tretesh nëëndrra
Aty shpirti i poetit deri në hi djegur
Ky zjarr , bashkë me një botë dhe dashurinë sjell
Besimi im në garë të plotë, fitoren nga loja nxjerr

I largohet ëndrrës poeti, ajo është shpresa e tij, dëshiron që dashuria të jetë pranë tij, sepse ai vuan e bëhet hi vetëm për dashuri e ai nuk dorëzohet , ngadhënjen lojën për dashuri. Poezia “Hyjneshë lirike”, ngërthen në vete mallin për hyjneshën e lidhur për dashuri si Promotheu që nuk vdes kurrë.

Në ciklin e tretë poeti rrëfen se kush e pengon ëndrrën të mos i realizohet, udhëtimin nëpër metropole të dashurisë për gjetur njeriun e jetës. Poezia “Paradox I “, vargjet:
Dita mplaket në lojë shahu
Nata mbyllet në lëkurën e vet
Sa ditë e sa net të ikura medet
na bëjnë të kuptojnë mungesën e dashurisë në kohën e pleqërisë, pensionistët tërë ditën luajnë shah, e nuk mund ti numëroj ditën kur i mungon dashuria.

Poezia ”Këmisha e natës” është plot mall për kohën e kaluar bashkë mes të dashuruarve, i këndojnë dashurisë së kaluar..
Orëve të vona
Në heshtje të ndezur
Sikur këndon këngë për ty
Poezitë e ciklit të tretë lirishtë mund t’i quajmë poezi nostalgjike për dashurinë e parë, rinore, të humbur, por që kujtohet me mall e dashuri, kujtohen dhuratat, si kndon te poezia “Pse hesht”:
Tek unë ke besën
Gotën e dashurisë ke
Në mënyrën pyeste poeti i thotë të dashurës pse heshtë, ai asaj i dhuron besnikëri dhe çdo herë gotën plot dashuri.

Kujtimi, malli e shpresa për dashurinë

Qysh në fillim kemi theksuar se ky libër kryekëput është i dedikuar vetëm dashurisë të cilën poeti Ramadan Mehmeti na e sjell si frymëzim, kujtim, si shqetësim, harrim, mbi të gjitha na e sjell si art të dashurisë, të cilin e lexojmë në këtë arkëzën e dashurisë. Poezia që përmbyll ciklin e tretë “Flokët e kujtimit” e vargjet e saj, na sjellin betejën për ngadhënjimin e dashurisë.
Në tehun e shpatës së yjëzuar
Provon të më zgjoj ajo stuhi
Moshës së ikur
Gjithnjë më shkund koha
Flokë e kujtime
Më dridh akoma. Lufta për dashuri është e vështirë, duhet guxim e flijim për ta realizuar kur mosha ikën, jetojnë në kujtimet për dashurinë.

Cikli i katërt i librit fillon me poezinë “Simfoni jete”. Përderisa në muzikë simfonia është vepër e madhe, Mehmeti në simfoninë e valëve të lumit me tingujt e saj mahnitës, na sugjeron poetikisht se tingujt janë melankolikë, pasi të dashuruarit takoheshin tek lumi. Ndonjëherë ndodh që dashuria të jetë një simpati , një dëshirë e cila mbetet e pa realizuar.
Në shtratin e zemrës flejnë
Ëndrrat pa hënë
Të melodisë së pakryer

Dashuria ka ekzistuar edhe në antikë, në të kaluarën , në kohën e tashme, dhe do të ekzistojë aq sa do ekzistojë bota. Melodia e dashurisë nuk do te ketë mbarim, drama mbetet e heshtur, e pavërejtshme nga syri njerëzor, kurse kënga vjen e tillë e heshtur . Nëpërmes poezisë “Unë e dashuria” poeti rrëfen një dramë të dashurisë një rrëfim një histori dashurie mbi urën e dhembjes, për ta shuar etjen për dashuri nga lotët e derdhur në gotë. Poezia “Oazë pafundësie” ngërthen në vete një det me plot metafora, fuqinë dhe besimin në dashuri. Folësi lirik që ligjëron për njësinë e dashurisë nga një kënd intim, i drejtpërdrejtë, i drejtohet subjektit lirik, femrës, shpesh në veten e dytë.
Simfoninë e dashurisë më të madhe në botë e takoj
E nuk jam mërgimtari i zemrës sate

Simfonia si vepër e madhe muzikore përbëhet nga katër kohë. Edhe dashuria i ka kohët e saj, e cila lulëzon në çdo stinë të jetës. Është kjo një mtaforë e fuqishme. Poeti s’do të jetë mërgimtar i zemrës së saj, por dështon ta ketë pranë çdo herë.

Emërues i përbashkët i të gjitha cikleve është dashuria. Edhe në ciklin e fundit të librit lexojmë poezi mahnitëse për dashurinë. Poezia Makthi ngërthen në vete figurën përrallore të njeriut që dëftohet në gjumë, poeti kërkon që vetëm makthi i dashurisë ta mbërthej. Poezia Zjarri , me zjarrin e këtij emocioni, na thotë se nuk mund të shuhet as pranë detit të pafund.
Tash njoh mizorinë e qiejve pse tradhtojnë etje
Zjarr shpirti , uri ëndërr shpëtimtare e njerëzimit .

Përfundim mbresëlënës i librit, triumfi i dashurisë

Librin “Këmishë e ndezur nate” për habinë dhe çudinë time, por edhe të lexuesve, e përfundon me poezinë, e cila gërshetohet me atdhedashuri dhe dashurinë si pjesë humane e njerëzimit. Krijuesi i shqipton ndjesitë fisnike për dashurinë; ëndrrat e poetit po vdesin, do mësojmë pasi të lexojmë poezinë “Ëndrrat po vdesin”.
Ëndrrat po vdesin pa u lidhur kurorë
Po s’të largon zemra ime e s’dua gënjeshtrën
Më të shpejtë se reja e zezë në këtë tmerr natë
S’të largoj zemre. Se edhe të dehurit injorojnë
Ujkonjën që në mesnatë vajton fatin e dashurisë
Për (at)dhe
S’të largoj . se e pa besë përralla dhe vetes tash si tii besoj

Cilat ëndrra po vdesin pa u lidhur kurorë, çka simbolizon poeti me ëndrrën, ajo është edhe shpresa e secilit prej nesh/ Pse kurova nuk lidhet, kush po e pengon kurorëzimin e rrugëtimeve tona kombëtare me kurorëzimin dhe realizimin e dëshirave tona për ribashkimin kombëtar, janë dëshirat tona të fisme për bashkimin e trojeve tona etnike. Mjaft jetuam me gënjeshtra, atyre duhet t’u japim fund. E atdheun kurrë s’e largojmë nga zemra Poezia e vetme në këtë libër për dashurinë e atdheut, apo me motiv patriotik, është mbresëlënëse, është kombinim mahnitës i dashurisë me atdhedashurinë, mu si te romantikët tanë, është një varg demarsh kundër disa proceseve që po ndodhin tek kombi ynë, është zë revoltues i poetit: pse injorohet vajtimi për fatin e kombit. E poeti s’i beson vetvetes, pra as lexuesi pasi si kolektivitet u zhgënjyem.

Mesazhi na shqiptohet në finale: t’u ndalet hovi gënjeshtarëve, alias pushtetarëve, që po e pengojnë kurorën. Jo rastësisht poeti e ka lënë këtë poezi thuajse në fund të librit, si një porosi solemne e fundore. /rajonipress/