ARKATANA

Heronjtë e tranzicionit

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Burim Ramadani – Tranzicioni nuk ka të ndalur. Nuk po përmbyllet assesi. Për gati 15 vjet Kosova vazhdon të përpëlitet nëpër sfida të ndryshme të kësaj faze tejet të rëndësishme.

Në fakt, tranzicioni në Kosovë është dydrejtimësh: nga lufta në paqe dhe nga komunizmi në demokraci. Të dy drejtimet janë tepër të rënda, të vështira dhe sfiduese. Edhe po të ishte vetëm një drejtim i tranzicionit, nuk do të ishte lehtë. Porse, kur këto të dyja ndodhin në të njëjtën kohë, definitivisht vështirësitë dhe problemet nuk kanë të ndalur.

E vërteta e tranzicionit në secilin shtet ka të bëjë me nevojën për ndërrimin e mentalitetit politik, shoqëror dhe ekonomik. Të tri fushat e periudhave të tranzicionit nëpër shtete të ndryshme kanë dëshmuar të jenë shumë problematike. Mentaliteti nuk është çështje e thjeshtë për t’u ndryshuar. Lypset shumë vullnet dhe shumë investim.
Por, në pothuajse të gjitha shtetet që kanë kaluar apo po kalojnë nëpër këtë fazë të domosdoshme, kanë prodhuar të mirën dhe të keqen e shtetit të tyre. Madje, kanë prodhuar heronjtë e tranzicionit.

Askush tjetër përpos prokurorëve dhe gjykatësve nuk mund të shihet si Heronj të Tranzicionit. Ky është thelbi. Këtu gjendet një prej sektorëve themelorë për të ndryshuar mentalitetin e një shoqërie dhe një shteti.

Politika ka rol tepër të rëndësishëm në këtë. Politika është, tek e fundit, përgjegjëse për pothuajse të gjitha të arriturat dhe dështimet që kanë shoqëri dhe një shtet në tranzicion. Politika është ajo që ndërton mekanizmat, masat dhe potencialin e nevojshëm për përmbylljen e tranzicionit. Deri këtu është e qartë. Deri këtu besoj se pajtohemi të gjithë.

Mirëpo, është edhe një mekanizëm tjetër që ka përgjegjësi të madhe dhe të jashtëzakonshme për të përfunduar fazën e tranzicionit nëpër shoqëritë dhe shtetet. Ai mekanizëm është Drejtësia: Prokuroria dhe Gjyqësia.

Tingëllon shumë paradoksale kërkesat publike apo formulimet e tipit “duhet të sigurohet pavarësi për gjyqësorin dhe prokurorinë”. Paradoksi në këto lloj formulime ndodhet pikërisht në faktin se parimisht një konstatim i tillë është i saktë, korrekt dhe i domosdoshëm. Porse, për të ndodhur kjo, nuk mjaftojnë vetëm aspekti deklarativ, aspekti i legjislacionit apo aspekti personal. Duhet shumë më shumë.

ARKATANA

Heronjtë e tranzicionit nuk mund të jenë të tillë nëse janë frikacakë. Heronjtë e tranzicionit nuk mund të jenë të tillë nëse nuk kanë profesionalizëm. Heronjtë e tranzicionit nuk mund të jenë të tillë nëse u mungon vullneti për të bërë punën e vet ligjore, por edhe kombëtare.

A mund dikush nga Prokuroria, në rend të parë, dhe pastaj nga Gjyqësori, në fazën e dytë, të bëjë hapat e mëdhenj dhe të guximshëm profesionalë? A mund të merren direkt dhe pakthyeshëm me “peshqit e mëdhenj”? Pse nuk po ndodh kjo? Nuk kanë pavarësi ligjore apo nuk kanë vullnet, guxim dhe profesionalizëm?

Një hero nuk kërkon mëshirë. Një prokuror që do të mund t’i shkonte mbrapa secilit rast të raportuar publikisht (apo akuze publike) do të ndalte trendin e keq. Qoftë me vërtetimin e fajësisë së dikujt (përmes procesit në gjyqësor), qoftë me vërtetimin e akuzës së pabazë publike, që do të përcillej prapëseprapë në gjykatë.

Kosova ka nevojë që të fillojë fazën e përmbylljes së tranzicionit. Nuk duhet lejuar që diskursi publik të na kthejë në fillimvitet e 2000-ta. Kjo e dëmton qëllimin tonë shtetëror.

Për të përmbyllur tranzicionit lypset veprime të fuqishme. Ashtu sikurse heronjtë mund të bëjnë. Në nevojat e Kosovës, të gjithë shkelësit e ligjit të dalin para drejtësisë. Këtë duhet ta bëjnë prokurorët dhe gjykatësit. Këta mund të jenë heronjtë e tranzicionit.

(Autori është sekretar i përgjithshëm dhe deputet i AAK-së. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për gazetën Tribuna)