Uji Dea

Haziri: Borxhet e trashëguara kanë qenë një gur i rëndë në qafën tonë gjatë këtyre dy viteve

/ 8 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Kuvendi Komunal i Gjilanit, në mbledhjen e radhës, të kryesuar nga Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka miratuar raportin e punës së kryetarit të Komunës, për vitin 2015, sikurse edhe vendimin për bartjen e mjeteve nga të hyrat vetanake të pashpenzuara të vitit fiskal 2014 e 2015, në vitin fiskal 2016, vendimin për garancion të qëndrueshmërisë operative dhe financiare për Ndërmarrjen në themelim “Tregu” në Gjilan, vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për subvencionimin e aktiviteteve të Shoqatës “Hendikos” dhe Qendrës për kujdesin ditor “Pema” në Gjilan.

Po ashtu, Kuvendi miratoi vendimin për revidimin e një pjesë të Planit Urban ”Kodra e Thatë”, vendimin për revidimin e një pjesë të Planit Zhvillimor Urban ”Qyteti i Gjilanit”, vendimin për caktimin e lokacionit për ndërtimin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, vendimin për caktimin e lokacionit për ndërtimin e Shtëpisë për të moshuarit si dhe vendimin për lejimin e këmbimit të pronës së paluajtshme komunale me pronën e paluajtshme private, për nevoja të shkollës fillore në lagjen “Dheu i Bardhë 2”.

Kuvendarët e Gjilanit kanë miratuar edhe planin e punës së Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) si dhe planin për transparencë të Zyrës së Informimit, kurse i kanë rishikuar vendimin për ndryshimin e projektit të lumit Mirusha dhe rregulloren për tarifa, ngarkesa dhe gjoba komunale, sipas sugjerimit të MAPL-së.

Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, në raportin e tij të punës për vitin 2015, ka bërë një përmbledhje të aktiviteteve kryesore, duke nënvizuar progresin e gjithëmbarshëm, disiplinën fiskale, subvencionet e shtuara, të hyrat komunale të rritura.

Në vitin 2015 kemi arritur një progres të kënaqshëm, duke i përmbushur kërkesat e qytetarëve të komunës në masë të madhe, si dhe duke qenë në vazhdimësi të gatshëm që të punojmë për të arritura të mëtutjeshme, ka thënë Haziri.

Duke folur për vështirësitë dhe sfidat, Haziri ak thënë se borxhet e vjetra kanë qenë një gur i rëndë në qafën tonë gjatë dy viteve të kaluara.

Raporti ka marrë përkrahje të plotë nga partnerët e koalicionit qeverisës, ndërkaq është kritikuar nga opozita. Avdyl Aliu (LDK) ka thënë se planifikimi, besimi dhe transparenca, janë cilësi e kësaj qeverisje. Riad Rashiti (PDK), i cili ishte më i ashpri në fjalën e tij ndaj koalicionit LDK-AAK, ka thënë se në raport nuk janë përmendur fare problemet, ndërsa dështimet janë quajtur progres.

Selami Xhemajli (AAK) tha se raporti është i mirë. Kjo qeverisje ka treguar kulturë të mirë në menaxhimin e parasë publike, duke hequr dorë nga shpenzimet e luksit dhe këto mjete i ka orientuar në investime. Navzad Isufi (VV) tha se raporti është përgjithësues dhe shtoi se grupi i këshilltarëve të këtij subjekti mendon se ka mangësi te puna e kësaj qeverisje.

Duke iu dhënë përgjigje akuzave të opozitës (PDK), Lutfi Haziri ka thënë se nuk është mirë që dështimet e juaja, t`i hidhni tek unë, duke ia rikujtuar shpenzimet e mëdha, borxhet që kanë lënë, projektet e papërfunduara dhe të tjera. “Sikur të kishit qenë aq të mirë sa thoni ju, atëherë nuk do t`i kishit humbur zgjedhjet”, ka thënë Haziri, duke shtuar se pushteti fitohet me besim dhe jo me shpifje e baltosje të tjetrit.

“Ne kemi prishur shumë plane të qeverisjes së kaluar”, ka thënë Haziri. Ai ka mohuar që ndonjëherë të ketë qenë subjekt i ndonjë hetimi, siç tha Rashiti. “Deklaroj publikisht se Lutfi Haziri nuk është subjekt i asnjë hetimi, nuk ka qenë në këto 16 vite dhe as nuk do të jetë ndonjëherë”.

Kryetari Haziri ka thënë se në këtë administratë nuk ka favorizime dhe e ka ftuar opozitën të punojnë së bashku për të zënë hapin e zhvillimit me rajonet tjera, sepse Gjilani ka ngecur shumë parapa.

Vlerësimet e tyre për raportin e kryetarit të Komunës, i kanë shprehur edhe Nevzad Rushiti (LDK) e Isa Agushi (LDK), të cilët kanë thënë se opozita po sheh vetëm zi, ndërsa kanë nënvizuar se Gjilani, kurrë në historinë e vetë nuk i ka pasur 26 milionë euro investime për një vit.

Bujar Nevzati (PDK) ka thënë se raporti nuk përmend asnjë të metë, duke shtuar se dështime kanë në arsim, të ndërtimet e larta dhe të tjera. Fehmi Sylejmani (VV) analizoi gjendjen në arsim, administratë dhe sektorë të tjerë, duke konkluduar se në këto fusha ka pasur probleme, por ato nuk janë pasqyruar mjaftueshëm.

Fundamenti

Në debatin për raportin e punës së kryetarit, kush me vërejtje, kush me lëvdata, janë përfshirë edhe këshilltarët tjerë, Shukrije Rapuca (PDK), Ibish Ibishi (AAK), Fatbardha Selmani (PDK), Arjete Rexhepi (VV), Krenare Latifi (VV), Sahit Abazi (PDK) dhe të tjerë.

Abazi ka kërkuar që në ndonjërën nga seancat e ardhshme të diskutohet për papunësinë, që është një problem serioz, duke nënvizuar se në Gjilan janë 19 mijë të papunë të evidentuar, por me siguri se ky numër është më i madh.

Sa i përket vendimit për bartjen e mjeteve të pa shpenzuara, Zijadin Maliqi, drejtor financiar, ka sqaruar se bëhet fjalë për në shumë prej një milion e katër mijë euro, mjete këto që kryesisht kanë ardhur në fund të dhjetorit dhe janar, pas mbylljes së vitit fiskal, nga gjobat në trafik, gjobat nga gjykatat dhe Agjensioni Pyjor i Kosovës.

Sadudin Berisha, drejtor për Kadastër dhe Fadil Sherifi, shef i Sektorit të Planifikimit në Urbanizëm, kanë dhënë sqarime për të çështjet që kishin të bënin me revidimin e planeve dhe këmbimin pronësor.

Mundësia për revidim të një pjesë të planit në zonën “Kodra e Thatë”, ku planifikohet ndërtimi i QKMF-së, ekziston, meqë kanë kaluar pesë vjet nga koha kur plani është miratuar. QKMF-së do t`i ndahen 30 ari, kurse pjesa tjetër mbetet për banim kolektiv dhe hapësira rekreative.

Një pronë tjetër komunale, me sipërfaqe prej një hektari, është kërkuar në “Zabel..” për nevoja të ndërtimit të një shtëpie të pleqve. Donacioni për këtë projekt, është siguruar nga qeveria holandeze. Ambienti në këtë zonë është i përshtatshëm për një objekt të këtij destinimi.

Kurse në lagjen “Dheu i Bardhë 2”, kërkesa ka të bëjë me shkëmbim të një prone komunale me një pronë private, me sipërfaqe prej 314 m/2, për nevoja të ndërtimit të një shkolle fillore atje.

Kërkesën për garancion të qëndrueshmërisë operative dhe financiare për Ndërmarrjen në themelim “Tregu” në Gjilan, e ka arsyetuar Agim Zuzaku, drejtor i Zhvillimit Ekonomik, kurse kërkesat për ndarjen e subvencioneve për Shoqatën “Hendikos” dhe Qendrën e kujdesit ditor “Pema” në Gjilan, Nexhat Hajrullahu, drejtor për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.

Po ashtu Kuvendi ka miratuar edhe planin e punës së Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, që e ka prezantuar Ensar Kadriu, drejtor për Mbrojtje dhe Shpëtim si dhe planin për transparencë, të cilin e ka arsyetuar Ibrahim Ademi nga Zyra për Informim.

Kuvendi Komunal është detyruar që për herë të dytë të marrë vendim për largim nga seanca të këshilltarit serb Srgjan Mitroviq, i cili është emëruar në krye të strukturave paralele. Fillimisht, sqarime për pjesëmarrjen e tij në seancë, kërkoi Fehmi Sylejmani (VV), ndërkaq Sahit Abazi (PDK) kërkoi që kjo çështje të shqyrtohet në një takim të shefave të grupeve të këshilltarëve, para se të vazhdohet me seancë.

Pas këtij takimi, Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese e Kuvendit Komunal, e komunikoi vendimin për largim nga seanca të këshilltarit Srgjan Mitroviq, i cili bazohet në rregulloren e punës dhe kërkoi nga organet kompetente që të fillojnë procedurat për zëvendësimin e tij me një kandidat tjetër nga i njëjti subjekt.

Njëherësh, Kuvendi Komunal ka falënderuar për punë korrekte punëtorin e sekretarisë, Sali Hasani, i cili shkon në pension dhe kjo ishte seanca e fundit, ku mori pjesë në cilësinë e procesmbajtësit./rajonipress/