Mobi Casa

Hasan Sadriu, mësuesi që e mbajti dritën e dijes ndezur në brezin kufitar

/ 5 minuta lexim
FIDANISHTJA

Gjilan – Në historinë e arsimit të Gjilanit ka emra që nuk kanë kërkuar kurrë vëmendje, por që e kanë merituar përjetësisht. Njëri prej tyre është Hasan Sadriu, ish-drejtor shkolle në Pograxhë dhe veteran i arsimit nga fshati Sllubicë, një njeri i urtë, i përkushtuar dhe i dashur, që për dekada me radhë u bë shtylla morale dhe profesionale e brezave kufitarë.

Në një hapësirë ku shkolla nuk ishte thjesht institucion, por shpeshherë shpresë, Hasan Sadriu ishte mësuesi që i priste nxënësit me buzëqeshje, i kuptonte lodhjen e rrugës së gjatë dhe i trajtonte me dinjitet fëmijët që udhëtonin kilometra të tërë për të mos mbetur pa dije. Ai e dinte se arsimi nuk është vetëm mësimdhënie, por akt njerëzor, përgjegjësi shoqërore dhe sakrificë e heshtur.

Mbi 44 vite pune rëndojnë me dinjitet mbi supet e tij, vite të mbushura me mund, djersë dhe përkushtim vetëmohues, që fëmijët e fshatrave kufitare të mos mbeteshin të izoluar, por të hapnin horizontet e tyre përmes dijes.

Në shkollën “Liria” në Pograxhë, Hasan Sadriu nuk ishte vetëm drejtues administrativ, ai ishte udhërrëfyes, mbështetje morale dhe shembull njerëzor për mësues e nxënës.

Pedant në punë, profesionist i rrallë në qasje dhe i afërt me secilin, ai ndërtoi një kulturë respekti, mirëkuptimi dhe dashurie për librin. Te ai, nxënësit gjenin siguri, ndërsa prindërit besim. Nuk fliste shumë për veten, por fliste qartë për rëndësinë e shkollës, disiplinës dhe dijes së ndershme.

Sot, kur arsimi përballet me sfida të reja dhe shoqëria shpesh harron figurat që e mbajtën gjallë shkollën në kushte të vështira, kujtimi dhe vlerësimi për njerëz si Hasan Sadriu është më shumë se mirënjohje është obligim moral. Ai i përket atij brezi arsimtarësh që nuk e panë profesionin si punë, por si mision.

Hasan Sadriu mbetet simbol i mësuesit që nuk u lodh kurrë së besuari se çdo fëmijë, pavarësisht vendit ku lind, e meriton të drejtën për dije dhe një të ardhme më të mirë.

“Shkolla po zbrazet para se të mbyllet”, shqetësimi i një mësuesi për fshatrat kufitare të Gjilanit

KKVITI

Shpërngulja masive e banorëve nga fshatrat e brezit kufitar të Gjilanit vazhdon të mbetet një nga plagët më të heshtura sociale të pasluftës. Është një proces që nuk ndodh brenda natës, por që gërryen ngadalë jetën, shkollën dhe shpresën. Këtë realitet e përjeton me dhimbje edhe sot ish-mësuesi dhe ish-drejtori i shkollës, Hasan Sadriu, veteran i arsimit me mbi 44 vite përvojë, i cili rrjedh pikërisht nga fshati Sllubicë.

“Shpërngulja kolektive nga fshatrat e brezit kufitar mund të ndalohet vetëm nëse komuna dhe Qeveria investojnë seriozisht në asfaltimin e rrugëve, stimulimin e bujqësisë dhe në benificione konkrete për nxënësit e këtyre zonave,” thekson Sadriu.

Sipas tij, pa ndërhyrje të drejtpërdrejta dhe të qëndrueshme, shkollat do të mbesin pa nxënës, ndërsa fshatrat pa jetë.

Sadriu vlerëson se mbështetja për nxënësit duhet të jetë prioritet absolut, bursa për fëmijët e zonave kufitare, mbulimi i shpenzimeve të konviktit dhe i transportit, si dhe krijimi i kushteve minimale infrastrukturore për një jetë dinjitoze. “Nuk mund t’u kërkosh familjeve të qëndrojnë, kur rruga është e paasfaltuar, bujqësia pa përkrahje dhe shkolla pa perspektivë,” shprehet ai.

Edhe pse në pension, shqetësimi i tij mbetet thellësisht njerëzor dhe profesional. Ai thotë se me dëshirë do ta merrte sërish ditarin në dorë për të edukuar dhe arsimuar nxënësit e lagjeve Zahiraj dhe Bishtaj, fëmijë që përballen çdo ditë me pasiguri kufitare, izolim dhe mungesë shërbimesh bazë. “Sa herë që shoh një fshat duke u zbrazur, e di se diku një shkollë po shuhet para se të mbyllet zyrtarisht,” shton ai.

Për Hasan Sadriun, arsimi nuk ka qenë kurrë vetëm profesion, por mision shoqëror. Ai i përket atij brezi mësuesish që besonin se shkolla është institucioni i fundit që duhet të dorëzohet, edhe atëherë kur gjithçka tjetër duket e humbur. Sot, zëri i tij tingëllon si thirrje për reflektim institucional dhe përgjegjësi publike.

Shpërngulja e fshatrave kufitare nuk është vetëm problem demografik, është alarm për shtetin, komunën dhe shoqërinë. Dhe ndoshta, siç sugjeron përvoja e një mësuesi veteran, zgjidhja nis aty ku gjithmonë ka nisur shpresa, te shkolla, te nxënësi dhe te investimi serioz në jetën rurale./rajonipress/