“Hasan Prishtina” nga Vushtrria fituese e Festivalit “Flakadani i Karadakut 2013”

Gjilan – Me Festivalin e Ansambleve dhe Shoqërive kulturore artistike, në Viti mbrëmë është përmbyllur Manifestimi “Flakadani i Karadakut 2013”. Gjatë tri netëve të këtij festivali, janë prezantuar 12 shoqëri dhe ansamble nga gjitha trevat shqiptare. Juria profesionale ka bërë përzgjedhjen e më të dalluarve të festivalit ku çmimi i parë i’u dha SHKA “Hasan Prishtina” nga Vushtrria, kurse çmimi special i festivalit i’u nda Ansamblit shtetëror nga Tirana.
Kryetari i komunës Nexhmedin Arifi ka përshëndetur shoqëritë pjesëmarrëse dhe i ka falënderuar ata që me prezencën e tyre po e madhështojnë manifestimin duke i dhënë karakterin e një festivali gjithëkombëtar.
Në tri netët e këtij festivali, në skenë janë ngjitur rreth 350 artistë dhe solistë, të cilët kanë performuar vlera të traditave nga viset prej nga vijnë dhe që janë vlerësuar nga spektatorët dhe njohësit e artit.
Edhe sivjet, shoqëritë dhe ansamblet pjesëmarrëse, kanë treguar cilësi dhe një përgatitje të madhe në përfaqësimin sa më dinjitoze dhe nivel të lartë në paraqitje. Juria profesionale në përbërje Rexhep Munishi etnomuzikolog, Sami Piraj muzikolog dhe Minella Kureta mjeshtër i madh i Unionit artistik të kombit shqiptar, anë përzgjedhur më të mirët e këtij festivali.
Çmimi i parë iu dha SHKA Hasan Prishtina nga Vushtrria, vendi i dytë Shoqërisë Shotë Galica nga Drenasi dhe vendi i tretë Shoqërisë “Minatori i Ri nga Kishnica. Kurse çmimi special iu nda Ansamblit që këtë vit nderoi me pjesëmarrje këtë ngjarje të madhe kulturore me prezencën e tij Ansambli shtetëror nga Tirana.
Po ashtu juria ka përzgjedhur edhe koreografin më të mirë për të cilën u shpërblyen Ansambli i Ibe Palikuqi nga Shkupi, kostumet autoktone – për kostumet e burrave Ansamblit Emin Duraku nga Shkupi, Orkestra më e kompletuar Shoqëria Presheva Jehonë nga Presheva.
Mirënjohje për paraqitje korrekte ne skenë SHKA “Bajram Curri” nga Prishtina, dueti më i mirë Egzona Muniqi dhe Enver Haliti “Hasan Prishtina-Vushtrri, këngëtar i muzikës folklorike Qazim Hajdari nga Ansambli “Albafolk” Gjilan, për vallëzim të veçantë u shpërblye “Vallja Çame” nga Ansambli Vlora, valltarët më autoktonë Ansambli “Emin Duraku” nga Shkupi, ndërsa një mirënjohje e veçantë iu dha Ansamblit Bursa nga Bursa e Turqisë.
Sami Piraj muzikolog, tha se ky festival me sukses ka arrit të zgjerohet dhe të përfshijë gjithë trevat shqiptare, por edhe ka dhënë disa sugjerime për të ardhmen që festivali duhet t`i ketë si kritere për shoqëritë pjesëmarrëse.
Me këtë festival, është përmbyllur edhe i gjithë manifestimi tradicional kulturor e sportive Flakadani i Karadakut 2013, që i kushtohet veprës së dëshmorit Nijazi Azemi –komandant Mjekrra.