Fidanishtja

Haradinaj: Nuk bëra koalicion parazgjedhor me partitë tjera, sepse nuk iu besoj

/ 3 minuta lexim

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate, kanë mbajtur sot tubimin zgjedhor në Podujevë. Nga aty, të pranishmëve u janë drejtuar disa kandidatë për deputetë, si dhe i nominuari për Kryeministër nga ky koalicion, Ramush Haradinaj. Haradinaj ka shprehur dëshirën dhe vullnetin e tij që t’i ndihmojë kësaj ane përmes qeverisjes së tij.

“Edhe kësaj here nuk kam ardhe me lypë diçka, por kam ardhë me dhanë ni krah temin për Llap. Ka shumë punë që na presin në Llap. Besniku (Tahiri) kurrë s’më ka lanë rehat, kur kemi folë për këtë anë”, ka thënë Haradinaj. Ai ka folur edhe për prioritetet e qeverisjes së tij pas 6 tetorit, nëse arrin ta themelojë Qeverinë. “Tri fokuse kemi, rritjen ekonomike së pari. E bazojmë në tri shtylla. E para ka të bëj me tatimin, e dyta logjistika dhe e treta është burokracia. Shumë letra, shumë certifikata, ato po shkaktojnë korrupsion. Arsimin duhet me bë dual, me u shërby me shembuj të shteteve perëndimore. Një delegacion nga Bavaria dhe shprehën interesin që të na ndihmojnë me arsimin dual”, ka thënë Haradinaj, i cili ka thënë se Qeveria e tij nuk është e fjalëve.

Ai ka kritikuar të nominuarin e PDK-së për Kryeministër, Kadri Veselin, i cili po premton Ligj për Legalizim. Haradinaj ka thënë se Veseli nuk po di se çfarë po flet. Kritika ka pasur edhe për LDK-në si dhe Vetëvendosjen. “Kadri Veseli po flet nga jashtë, por për shumicën që po i thotë nuk po di çfarë thotë. Po thotë kemi me bë Ligjin për Legalizimin. Me i thënë o burrë, kqyrë përmirëson ligjin najsen, me ndonjë amandament, se e kemi ligjin. LDK-ja nuk është pa merita nëse ka korrupsion e krim në shtet. Po thonë e çkapim shtetin, kanë qenë në bashkëqeverisje me Hashimin e Kadrinë. Ata nuk kanë munden sikur unë me Hashimin e Kadrinë”, ka thënë Haradinaj. Në fund ai ka treguar se përse nuk ka bërë koalicon parazgjedhor me partitë tjera, përveç PSD-së. “A e dini pse s’kam ba koalicion me këto partitë tjera. S’kam dashtë me iu ndër strehë, se nuk iu besoj. Kam bërë me PSD-në se kur ke koha e Ushtrisë më mbështeten”, ka thënë Haradinaj. Në fund ai ka kërkuar votën e llapjanëve për kandidatët e koalicionit AAK-PSD nga kjo anë.

Mund të ju interesoj: