Haradinaj: Amerikanët nuk hidhërohen kur kërkojmë shtet 100%, por gëzohen

I nominuari për Kryeministër, Ramush Haradinaj, ka vizituar sot fshatin Loxhë të Pejës, ku ka folur me banorët e kësaj ane. Haradinaj ka folur për marrëdhëniet me ndërkombëtarët si dhe ka shpjeguar para tyre programin qeverisës.

Haradinaj ka thënë se amerikanët nuk hidhërohen kur Kosova është e vendosur që ta realizojë shtetin 100%. Sipas tij, është e kundërta, ata gëzohen për këtë fakt. “Sa i përket marrëdhënieve me aleatët, është që interes jonë i madh është te jemi 100% shtet. Kujtohet që ne duhet me shku dhe me ia spjegu aleatëve dobinë që e kanë nga shteti ynë. Psh Amerika në bazë të asaj për çfarë ne qëndrojmë, ata e zhvillojnë politikën dhe raportin e saj me ne. Na nuk i idhnojmë ata, na i gëzojmë ata kur i themi që jemi për shtet 100%”, ka thënë Haradinaj para banorëve të Loxhës.

Haradinaj ka theksuar se më mirë është me dhënë dorëheqje një kryeministër se sa ta dëmtojë interesin nacional “Nëse një kryeministër e mbronë vetëm veten, bëhen dëme të paparashikueshme për shtetin”, ka theksuar ai. Haradinaj ka thënë se qeveria e tij e re do të merret me zhvillimin ekonomik, me fokus në sektorin privat. “Në të ardhmen dojmë me zhvillu ekonominë, sektorin privat me zhvillu. Sektori publik është rahatu mirë, kemi Ligj për Paga, ka paga të rritura. Po duam që ta thjeshëzojmë burokracinë. Me u kriju një fond për sigurimin shëndetësor. Në arsim dojmë me u kujdes, që arsimi me u zhvillu bashkë me ekonominë. Jemi të vendosur që t’i bëjmë shtesat për fëmijë, me i përkrahë lehonat dhe nënat vetëushqyese”, ka thënë ai.

Po ashtu, i nominuari për Kryeministër ka bërë një rikujtim të punëve që ka kryer qeveria e tij në 18 muajt e kaluar. “Këto dy vjet që shkuan të qeverisjes, sado që në rrethana të vështira, kemi ushtri, që Kosova të mos mbetet pa mbrojtje. Trepçën e mbrojtëm. Edhe atyne që nuk prituan me na i rrënu shtëpitë, ia vendosëm taksën 100%. Taksa është me tregu se kush është zot shtëpie”, ka theksuar Haradinaj.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS