Gomari qё qesh (tregim i shkurtër)

Nga Nuhi Ismajli – Një motiv i brendshëm, i pashpjegueshëm, më kishte rrëmbyer dhe nuk po më linte assesi të qetë pa e vazhduar kritikën ndaj realitetit të krijuar nga pushteti.
Pasi shkrova disa artikuj, ndjeva se u bëra i famshëm në mesin e bashkëqytetarëve, të cilët filluan të më lexonin dhe të më njihnin si një shkrimtar. Unë kisha shkruar deri atëherë mjaft shkrime me të cilat mendoja se isha bërë i njohur, por jo. I njohur po bëhesha pikërisht tani me disa shkrime më të afërta për bashkëqytetarët.
Me to gati isha bërë i ngjashëm me një avokat të popullit. Tani, për ditë e më tepër, më drejtoheshin qytetarët, të cilët më rrëfenin brengat e tyre dhe kërkonin për to ndonjë zgjidhje nëpërmjet fjalës sime. Kështu, gjithnjë e më shumë po e ndjeja një barrë, të cilën nuk e kisha menduar ndonjëherë se do ta kisha e as që do të mund të merresha me të. Barra, nё rrethanat e njё pushteti, qё ngul kёmbё nё tё tijёn, si gomari nё lloç, dhe nuk bindet para kritikёs qytetare, bёhej gjithnjё e mё e rёndё.
Në anën tjetër, kishte të tillë që ma tërhiqnin vërejtjen që të isha i kujdesshëm, se, si shumë po tregohesha i guximshëm në kritikën ndaj pushtetit. Të uroj për guximin! – më thoshin shpesh njerёzit kur shihnin ndonjë shkrim timin të botuar. Domethёnё ishte edhe punë guximi ajo që po e bëja unë. Kur, më në fund, iu thashë se le të bëjë pushteti çka të dojë, se nuk ngurroj ta them fjalën time, për të drejtën e njeriut, pavarësisht nga dënimi që mund të më vijë, për këtë shkak, se këtë po mund ta bëj për njeriun e këtë po e bëj e se, përveç fjalës, tjetër nuk kam, ata m’u kthyen me një argument tjetër dhe më thanë: “çka bën ti nëse me fjalën tënde nxit revoltën e masave dhe iu bën keq njerëzve të pushtetit?”
Nuk ma merr mendja se kam fjalë të tilla, sa të bëj keq, – thashë unë. – Disponimi i masës përcaktohet nga realiteti, jo nga fjala ime…, – vazhdova unë me arsyetimin tim, po fjalën time e ndërpreu fabulisti, i cili, çdo ndodhi e bisedë e komentonte nëpërmjet fabulës së tij, kurse, në këtë rast, ai komentoi nëpërmjet anekdotёs:
“Kishte qenë një katundar, i cili kishte rënë në hall me gomarin e tij. Katundari, mbasi ishte lodhur keq me gomarin, që nuk po i shërbente, për çka po e mbante, kishte vendosur ta nxirte në treg.
E kishte nxjerrë katundari gomarin në treg dhe shumë tregtarë i ishin afruar ta pyesnin për gomarin: sa kushton?, mos ka naj behane?, …
Katundari, pa përtuar aspak, e fill e për pe, iu kishte treguar tregtarëve krejt të këqijat e gomarit, të cilat atë e kishin lodhur keq.
– Ky gomar, – iu thoshte ai të interesuarve me revoltën e tij të pafshehur, – s’ka mё i keq! Pëllet orë e çast, ditën e natën. Pëllet në mëngjes, pëllet në mbrëmje. Pëllet në mesditë, pëllet në mesnatë… Në momentin më të mirë për pushim, pëllet shumë dhe me atë zë të lartë e prej gomari, jo vetëm ta nxjerr gjumin dhe ta prishё rehatinë e qetësisë, po është në gjendje edhe të të ngre në këmbë me tmerr!
Nëse do të punosh diçka me të, nuk i kursen as shqelmat. Shqelmon në të katër anët. Si apaç! Barrën e ngarkuar, nuk shkon dy-tri metra e ta prapëton. S’lë gjë përmbi tokë. Gjithçka e fshin. E bën tokë. Mund të t’i përlajë edhe opingat…!
Kureshtarët shqyenin sytë nga biografia e gomarit, të cilёn e rrëfente pronari i tij dhe zhdukeshin me të shpejtë, sepse askush s’do të donte të kishte punë me një gomar të tillë, edhe sikur t’u jipej pa para.
Mirëpo, në treg çka s’ka e, kështu, një tregtar kishte qëndruar pak më me nge dhe me durim kishte zhvilluar një bisedë të shkurtë me pronarin e gomarit.
– Të paska zënë taksirati me këtë gomar, – i kishte thënë ai pronarit. –Po ti as nuk po bën përpjekje për ta liruar veten prej tij. Pse nuk po e lavdëron pak gomarin? Mashtrohet dikush dhe e merr. Ti po e përqesh gomarin. Kush ta blen, pas atyre fjalëve për të?!
– O, jo. – i kishte thënë pronari i gomarit. – Nuk e kam për ta shitur, këtë të poshtër, veç e kam nxjerrë në treg që t’ia marr fytyrën!”
E qeshura e njerëzve, në fund të rrëfimit të fabulistit, qe e madhe. Njerëzit qeshën shumë, qeshën me të madhe. Qeshën edhe ata mysafirët e afërt të tavolinave të tjera përreth. E kush nuk do të qeshte me fabulat e anekdotat e fabulistit, që, po t’i tregonte edhe në momentet më tragjike, do t’i bënte njerëzit të shkuleshin së qeshuri ?!
Mirë, – më thanë, më në fund, të pranishmit, – do edhe ti të skuqen ata të tutë?!
Çfarë të skuquri ?!., – thashë unë dhe dashta t’iu tregoj e iu tregova, shkurtimisht, ëndrrën që pashë pak para zgjimit.
– Unë, pak para zgjimit, – iu thashë, – pashë disi një ëndërr: gomari qeshte! Qeshte gomari!
-Ëndërr e keqe, tregimtar, thanë pothuajse njëzëri të pranishmit. – Ruaju! – më porositën ata.
…