UBT

Një vepër e munguar në gjuhësinë shqiptare

/ 7 minuta lexim
Uji Dea

Begzad Baliu Fjalëshpejta në gjuhën shqipe, botues,“Era”, Prishtinë, 2024; ribotoi “ArgetaLMG”, Tiranë, 2024, f. 153.

Bilall Maliqi, shkrimtar

Kur botohen vepra të rralla, të veçanta apo edhe për herë të parë të ndonjë zhanri qoftë letrar, gjuhësor apo përgjithësisht shkencor, lexuesit dhe studiuesit nuk kanë pse të mos nxitojnë së e lexuari a studiuari atë vepër, sepse kultura jonë, dija jonë dhe pse jo mendimi shkencor pasurohet me një botim të caktuar, të cilin nuk e kishim parë, lexuar apo njohur më parë brenda kulturës, përkatësisht shkencës shqiptare. Vepra të tilla zakonisht janë rezultat i punës së pareshtur profesionale e shkencore të krijuesve të caktuar, me qëllim ngritjen e perceptimit të shijes estetike nga shkrimtarët dhe me synim ngritjen e mendimit shkencor apo tipologjinë e vlerave të pastudiuara më parë të trashëgimisë sonë brenda dijes shqiptare.

Vepra më e re e Prof. Begzad Baliut, Fjalëshpejta në gjuhën shqipe, e botuar këto ditë paralelisht në Prishtinë dhe Tiranë, është shembulli më i mirë i kësaj arritjeje në shkencën shqiptare.

Profesor Begzad Baliu është albanolog, kritik, shkrimtar dhe autor tekstesh nga më të ndryshmet, të cilat botohen në faqet internetike dhe në botimet e zgjedhura anekënd globit.

Studiues që përcjell zhvillimet më bashkëkohore në botën shqiptare dhe atë universale, nuk mund të befasoheshim dhe natyrisht nuk befasohemi pse ai sot në krijimtarinë letrare, intelektuale e shkencore sjell mendime krejt të reja dhe qasje krejt të re edhe në fushë të gjuhësisë. Duke qenë njohës i këtyre arritjeve në botën shqiptare dhe në studimeve gjuhësore të popujve të tjerë, ai tregon respekt edhe ndaj paraardhësve të tjerë, të cilët në këtë fushë kanë shënuar qoftë edhe vetëm disa rreshta, sikur është Profesor Gjovalin Shkurtaj, të cilit i kushtohet kjo vepër në shenjë nderimi.

Në anën tjetër, Profesori e miku im, kujdesët shumë që të sjellë edhe arritjet në gjuhë të tjera (angleze, italiane, kroate, ruse etj.) në këtë fushë, duke i sjellë ato të cituara e të krahasuara me gjuhën shqipe dhe me gjuhë të tjera.

I tillë është profesori i nderuar: gjurmues, motivues i brezit të ri, studiues, sintetizues e tipologjizues. I tillë është edhe në shumë nga veprat e tij shkencore dhe ato letrare. E fillon kërkimin në një pikë dhe hedh më tej pikat tjera duke i ndërlidhur ato. Nxitë studentët, miqtë, studiuesit etj., të identifikojnë, hulumtojnë e përshkruajnë shembujt e tjerë në gjithë hapësirën shqiptare dhe madje në skajet e botës ku jetojnë dhe rikthehet përsëri te profesori i tij: Besoj se ndihmesa e Profesorit Gjovalin Shkurtaj do parë në tri rrafshe a në tre përbërës përkushtues për temën që më është shfaqur edhe në tri drejtime: për fjalëshpejtat, dija e përgjithshme dhe studimet ishin modeste jo vetëm në studimet shqiptare po edhe në kërkimet shkencore të popujve fqinj; prania e fjalëshpejtave në dijen universale ishte mjaft simbolike; dhe më e papritura, fjalëshpejtat ishin mjaft të pranishme, jo vetëm një kohën tonë, po edhe në traditën kombëtare.

A nuk ishin këto tri prej arsyeve pse unë ndërmora një projekt të kësaj natyre, i cili fillimisht kishte përmasën e një kërkimi për një studim modest, pastaj edhe të një materiali të hapur për tu botuar në revistën “Gjuha shqipe” të Institutit Albanologjik të Prishtinës dhe së fundi, për ta kurorëzuar edhe me një vepër të veçantë” – shkruan autori në Parathënien e librit.

Uji Dea

Një vepër si kjo, në të vërtetë një material si ky, nuk mund t’i shpëtonte studimit të thellë dhe sintezës së madhe Profesor Begzad Baliut, prandaj ai i ka hyrë këtij materiali nga të gjitha anët. Duke e analizuar, duke e krahasuar me gjuhë dhe studime të tjera të kësaj natyre dhe duke e bërë një sintezë të shumanshme të tij sipas motiveve, përbërësve fonetikë, strukturës morfologjike e sintaksore, si dhe veçorive të tjera social-kulturore e logjike të përdorimit të tyre.

Në vazhdim, Profesor Baliu gjithë materialin e mbledhur e ka radhitur sipas alfabetit, që me pak përjashtime i plotëson kërkesat e një fjalori normativ, sado nuk duket që e ka këtë qëllim. Ajo që më bën përshtypje në këtë vepër është përfshirja e trajtave të tilla fjalësh, qofshin ato dialektore qofshin në standard, si dhe mundësia e gjuhës shqipe për të krijuar sisteme logjike të kësaj natyre. Po kështu më duket me interes vjeljeje e hulumtimi e pasurisë së këtyre shprehjeve, të pranishme thellë në hapësirën rurale si dhe përdorimi i tyre në një kohë shumë të lashtë.

Një veçori të theksuar mund ta sjellim këtu edhe në kontekst të përdorimit emocional të tyre, sikur janë humori, satira dhe madje loja me tinguj, përsëritje fjalësh e kuptimesh të ndryshme, si dhe mundësitë e shqiptimit të tyre.

Sigurisht këtë interesim të profesorit të dashur e kanë përmbushur edhe bisedat me studentët e tij, të cilët vijnë nga vise të ndryshme shqiptare, me të folme dialektore, me shprehje krahinore të vendeve e të fshatrave, nga malësia e qyteti, jo vetëm nga Kosova, por edhe nga Shqipëria, Kosova Lindore, Maqedonia e Veriut. Ky interesim për të sjellë diçka të re, diçka që na mungonte deri më tash jo vetëm në fushë të gjuhësisë po edhe të letërsisë, të kulturës e të artit dramatike, ka bërë të mundur që autori ynë këtë pasuri kombëtare ta sjellë në një ditë krejt të re shkencore.

Le t’i kthehemi edhe njëherë autorit tonë dhe ta citojmë përfundimin e studimit të tij: “Kjo vepër është sprova e parë e kësaj natyre në gjuhësinë shqiptare. Materiali i vjelë shquhet edhe për paraqitjen e mentalitetit social në jetën shqiptare, jetën kulturore dhe trashëgiminë dialektore të folësit, ndërsa materiali i mbledhur në hapësirën urbane dhe në mjetet internetike, dëshmon për praninë e tij në jetën kulturore të qytetit, për komunikimin rajonal e ndërkombëtar, në të vërtetë për europeizimin edhe të këtij lloj komunikimi.

Duke qenë se jemi në fillim të punës së një projekti të madh të Fjalorit të gjuhës shqipe, ne shpresojmë që fjalëshpejtat të përfshihen brenda tij më gjerësisht, ndërsa ndikim të rëndësishëm të kenë si material edhe në Fakultetin e Artit në Prishtinës, Tiranës e Tetovës.

Besoj që kjo vepër të kuptohet edhe si një shembull i angazhimit kolektiv të shumë individëve, studentëve dhe krijuesve për të mbledhur e ruajtur trashëgiminë gjuhësore e kombëtare. Fjala është për një pasuri të trashëgimisë gjuhësore, kulturore e artistike, të paidentifikuar më parë në Kosovë e Shqipëri, si dhe në trojet shqiptare gjithandej, madje duke përfshirë edhe diasporën”.

Ky libër në masë të madhe do t’i kontribuojë jo vetëm shkencës së gjuhësisë po edhe asaj të letërsisë, të arteve, gjuhësisë së zbatuar tek fëmijët me nevoja të veçanta, si një korpuse i fjalëve dhe shprehjeve të munguara deri më tani. Po ashtu kjo vepër besojmë të jetë një bazë dhe udhërrëfyes për të gjurmuar edhe në të ardhmen në këtë fushë, punë të cilën besoj të vazhdoj së gjurmuari edhe në të ardhmen Profesori Begzad Baliu.
Preshevë,
08.09.2024