Gjuhët ndërtojnë ura, urat heqin barriera

Intervistë me zotin Hans Zeller, profesor dhe drejtues i “Deutsche Abteilung”- Projekti Gjerman, në gjimnazin “Sami Frashëri”, Tiranë. Gjuhët ndërtojnë ura, urat heqin barriera – “Sprachen bauen Brücken, Brücken zerstören Barrieren”
Hans Zeller, mësues gjerman për lëndët e gjeografisë dhe të matematikës, po mbush 6 vjet që punon në Tiranë. Sektori dygjuhësh gjermano-shqiptar, i cili prej shumë vitesh është pjesë e gjimnazit “Sami Frashëri”, u ka dhënë mundësi nxënësve shqiptarë të shprehin idetë e tyre mbi temën “Gjuhët ndërtojnë ura, urat heqin barrierat”.
Kjo vërehet qartë edhe në fotot që shihen në sfondin ku drejtuesi i këtij sektori prof. Hans Zeller zgjodhi të vendoset për këtë intervistë. Z. Hans Zeller është i specializuar gjithashtu edhe degën e historisë dhe shpreh gjithnjë interes për letërsinë (duke përfshirë këtu edhe letërsinë shqiptare, veçmas I. Kadarenë).
Në këto gjashtë vite ai ka arritur të mësojë dhe vetë pak shqip. Çelësi i suksesit të çdo karriere sipas tij është në sloganin “Punë dhe punë!”. Ky është viti i fundmë i qendrimit të tij në Tiranë. Shkolla në Shqipëri, me vështrimin e një gjermani, është qëllimi i kësaj interviste. Nensi Sinani, e cila ka realizuar këtë intervistë, është një prej nxënëseve të këtij seksioni. Ajo është e gëzuar që profesori i saj, “i ditur dhe modest”, siç shprehet ajo, pranoi të bashkëbisedojë me të për të përditshmen tonë. Intervista është zhvilluar gjermanisht.
Të vinit në Shqipëri ishte dëshirë apo detyrë?
Ardhja në Shqipëri ishte realizim i dëshirës sime për të punuar këtu.
Çfarë dinit për Shqipërinë para se të niseshit?
Kisha informacion për historinë dhe aktualitetin e Shqipërisë. Pjesën më të madhe të tij e mora në vitet 1983-1986, gjatë udhëtimit tim në ish-Jugosllavi. Pra, për mua, liqeni i Ohrit nuk ishte i panjohur nga ana historike dhe gjeologjike. E njëjta gjë vlen edhe për manastirin e Shën Naumit, i cili ndodhet në kufirin e Shqipërisë. Më kishte tërhequr shumë edhe libri i shkruar nga Karl May, “Durch das Land der Shkipetaren” – “Në tokën e shqiptarëve”, të cilin qysh në moshën 12-vjeçare e kisha lexuar tri herë! Në njëfarë mënyre përshkrimet e këtij libri më magjepsën.
Po ju, do t’i shkruani përshtypjet për këtë vend që po lini? A do të m’i jepnit mua këto përshtypje?
Natyrisht! Pas katër viteve unë dal në pension dhe atëherë do të fillojë puna ime aktive për këtë. Megjithatë, dëshira për të shkruar një reportazh për Shqipërinë ka kohë që ekziston tek unë. Përshtypjet e mia do të hidhen në letër dhe së bashku me to edhe fotot e shumta që unë vetë kam bërë. Propozimin tënd do ta merrja sigurisht në konsideratë!
Çfarë ju pret në kthimin tuaj në Gjermani?
Edhe pse m’u ofrua një detyrë në një ministri, unë kam vendosur të vazhdoj punën me nxënësit, por këtë radhë në atdheun tim. Në Gjermani më pret një periudhë kohore pune prej katër vitesh në vijimësi, në të cilën unë do të punoj në një shkollë në Baden Würtemberg dhe më pas dal në pension. Në shtator, si në Shqipëri, edhe atje, fillon viti i ri shkollor.
Ngjarja më e rëndësishme për ju gjatë këtyre gjashtë viteve në Shqipëri?
Një ngjarje që mua më ka shqetësuar shumë ishte demonstrata në datën 21 janar të vitit 2011, në të cilën katër njerëz u vranë. U preka shumë nga ajo çfarë ndodhi dhe kjo me shtyu të mendoja në mënyrë kritike. Ngjarja pozitive më e rëndësishme për mua ishte konferenca në të cilën u shpall se nxënësit e “Deutsche Abteilung” – Projektit Gjerman – nuk do të kishin më nevojë për të kryer vitin e gjuhës – “Studienkolleg”. Kështu ata tani janë të barabartë me maturantët gjermanë, duke pasur një mundësi të hapur për regjistrim në universitetet gjermane.
Njeriu më mbresëlënës …
Nga e tashmja do të zgjidhja shkrimtarin Ismail Kadare, librat e të cilit i lexoj me shumë dëshirë. Si një mësues historie, nuk mund të mohoj se edhe heroi kombëtar i shqiptarëve, Gjergj Kastrioti – Skënderbej, është një figurë tepër mbresëlënëse. Gjatë kësaj periudhe që gjendem në Shqipëri jam përpjekur të marr sa më shumë informacione për të. Mbresëlënës është për mua bashkëpunimi me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, sidomos me drejtuesin e saj zotin M. Tafaj. Ai di të flasë shumë mirë gjermanisht dhe në njëfarë mënyre ndihem i lehtësuar kur kryej takime me të.
Vendi më i bukur në Shqipëri?
Nuk mund të përcaktoj një vend të vetëm. Nëse e shoh në aspektin e mësuesit të historisë, do të zgjidhja Butrintin. Nga ana tjetër është Korça, me ajrin e pastër dhe mollët e kumbullat e shijshme. Vend tjetër i bukur është Pogradeci, ku peshku vendës korani është po aq i veçantë. Për fat të keq nuk kam pasur shumë kohë të lirë për të vizituar veriun e Shqipërisë. Kur të rikthehem si turist do të vizitoj Thethin, Valbonën, Tropojën e shumë vende të tjera. Në Tiranë blej gjithmonë mjaltë gështenje që vjen nga Tropoja. Ai ka një shije shumë të mirë, prandaj më shton kuriozitetin për ta vizituar.
Pyetje: Keni dashur ta sillnit familjen në Shqipëri?
Tre vitet e para kur unë erdha në Shqipëri jetova së bashku me gruan time në qytetin “Studenti”. Më pas sime shoqeje iu desh të kthehej në Gjermani. Pavarësisht kësaj, ne kemi gjetur mundësi të jemi pranë njëri-tjetrit në mënyrë të vazhdueshme, dhe kështu nuk qe dhe aq e vështirë. Me gjithë largësinë, ne arritëm të mbanim lidhjen, familjen. Gruaja ime di të flasë shqip shumë herë më mirë se unë. Ajo vjen në Shqipëri gjithmonë me shumë dëshirë.
Ishit i zhgënjyer apo i surprizuar nga kontakti i parë me Shqipërinë/ shqiptarët?
Nuk isha aspak i zhgënjyer. E dija që shqiptarët janë njerëz shumë mikpritës, dhe kjo u tregua në këto gjashtë vite që unë kam kaluar këtu. Shqipëria është një vend i bukur, megjithëse ka akoma probleme për të zgjidhur.
Ju vjen keq që do të riktheheni në Gjermani?
Nga njëra anë më vjen keq që do të largohem, sepse gjashtë vite nuk janë pak. Në këtë periudhë kohore unë kam mbledhur eksperiencë, e cila do të më ndihmojë në Gjermani. Nga ana tjetër, familja ime më pret atje. Por prapë se prapë jam i sigurt se në të ardhmen do të rikthehem në Shqipëri, ndoshta si një turist… Patjetër që do të rikthehem si turist. Këtu në Shqipëri unë kam shumë miq, me të cilët dua t’i mbaj kontaktet. Pas disa vitesh unë dal në pension, kështu që do rikthehem si një pensionist për t’u qetësuar në ditët e bukura me diell të Shqipërisë. Në këtë mënyrë do të heq dhe lodhjen që mblidhet për shumë arsye në Gjermani.
Cila është arritja juaj më e madhe gjatë këtyre gjashtë viteve?
Gëzohem të pohoj se kam pasur një bashkëpunim të suksesshëm me nxënësit shqiptarë, por edhe me stafin pedagogjik: atë gjerman dhe shqiptar. Kjo punë e arritur prej nesh mundësoi t’u hapë dyert nxënësve të Projektit Gjerman në tregun europian të punës. Shpresoj që pas mbarimit të studimeve në Gjermani këta të rinj do të rikthehen këtu dhe të gjejnë vendet e punës që ata dëshirojnë. Në këtë mënyrë ata do të sjellin një zhvillim për këtë vend.
Keni ardhur në Shqipëri për të krijuar grupe me nxënës shqiptarë që duan të mësojnë gjuhën dhe kulturën gjermane.
Ju vetë keni mësuar pak nga shqipja?
Unë flas pak shqip (qesh)! Puna në Projektin Gjerman është një punë shumë intensive, prandaj nuk kisha kohë të futesha në një kurs gjuhe. Megjithatë, unë arrita të mësoja shumë prej nxënësve dhe miqve, në mënyrë që mos krijoja keqkuptime në komunikimin e përditshëm. Di të blej vetë, me shqipen time. Arrij të kuptoj shumë nga shqipja. Kur të kthehem në Gjermani, do të kujdesem që të mos e harroj këtë gjuhë.
Si do ta vlerësonit punën tuaj me nxënësit shqiptarë gjatë viteve që jeni këtu?
Nxënësit shqiptarë, ata me të cilët unë kam punuar, janë shumë të zellshëm dhe të motivuar. Puna gjashtëvjeçare në Shqipëri më ka dhënë kënaqësi, sepse punova me një brez të motivuar. Bashkëpunimi me ta, shkëmbimi i ideve dhe vizioneve, ishin për mua një mundësi për të dhënë më të mirën. Ky ka qenë një proces reciprok. Unë jo vetëm kam dhënë, por edhe kam marrë më të mirën! Brezat e rinj duhet të vazhdojnë të punojnë, të kuptojnë se në demokraci individi nuk ka vetëm liri, por edhe përgjegjësi për këtë liri. Nëse do të më duhej të jepja një apel, do përdorja fjalët e diplomates franceze Stephane Hessel,e cila thotë: “Angazhohuni në çdo fushë të jetës suaj!”.
A është gjuha gjermane një dritare kulture për botën?
Unë mendoj se gjuha gjermane nuk është vetëm një burim kulture, por një gjuhë shumë e rëndësishme për ekonominë. Së bashku me anglishten, të dyja këto gjuhë u japin të rinjve shanse të mira për të punuar në tregun europian. Për shumë shqiptarë gjermanishtja është një gjuhë e rëndësishme, jo vetëm për kulturën që përcjell, por edhe për faktin se ajo konsiderohet si një gjuhë biznesi.
Çfarë duhet të shërohet në institucionet e arsimit në Shqipëri, me sytë e një gjermani?
Për të pasur një atmosferë të përshtatshme dhe pozitive për të mësuar duhet si fillim të përmbushen kushtet e ambienteve ku do të zhvillohet mësimi. Pra, ambienteve u duhet dhënë më tepër vlerë, për të arritur standardet europiane, përndryshe edhe rezultatet shkollore nuk do të jenë pozitive. Së dyti, duhet të kryhet demokratizimi i shkollave. Institucionet e arsimit nuk duhet të funksionojnë vetëm në kuadrin e dhënies së dijeve për nxënësit. Vetë nxënësi duhet të reflektojë në zgjidhjen e problemeve duke menduar në mënyrë globale. Së treti, dua të përmend formimin e vetë mësuesit. Ajo çfarë mund të këshilloj unë është të ndiqet modeli i shteteve të tjera europiane, në të cilët një mësues jep mësim në më shumë se një lëndë. Në këtë mënyrë edhe burimet nuk humbasin.
Intervista u realizua nga Nensi Sinani