Gjuha si pasqyrë e rrënimit dhe akulturimit në shoqërinë tonë
Nga Ismet Rashiti – Në vitet e fundit, jemi dëshmitarë të një fenomeni shqetësues që po shtrihet gjithnjë e më shumë në të gjitha shtresat e shoqërisë sonë: banalizimi dhe degradimi i gjuhës publike. Një diskurs i dhunshëm, rrënues dhe shpeshherë poshtërues është bërë normë jo vetëm në jetën politike, por edhe në atë institucionale, arsimore, mediatike dhe qytetare. Fjala nuk është më mjet komunikimi për të ndërtuar mirëkuptim, por armë për të ulur tjetrin, për të zhbërë të mirën dhe për të mbjellë përçarje.
Mjafton të ndiqet një seancë e Kuvendit të Republikës për të kuptuar se sa poshtë ka rënë niveli i debatit parlamentar. Në vend të argumenteve, dëgjojmë fyerje. Në vend të alternativave, dëgjojmë etiketime si “hajn”, “rrenc”, “kriminel”, e madje edhe shpifje seksiste e kërcënime fizike. Këto shfaqje nuk ndodhin në errësirën e ndonjë rruge periferike, por në tempullin e demokracisë, përpara syve të qytetarëve – përfshirë edhe fëmijët që formojnë bindjet e para për shoqërinë dhe shtetin.
Ky degradim nuk është i izoluar. Ai shtrihet edhe në mjedise akademike, arsimore dhe kulturore. Debatet gjithnjë e më pak mbështeten në dije, kulturë dhe fakte, dhe gjithnjë e më shumë dominohen nga zëra të zhurmshëm, shpesh të motivuar nga xhelozia, thashethemet, konkurrenca e pandershme apo qëllimi për të rrënuar punën dhe figurën e tjetrit. Rrënimi i tjetrit është shndërruar në mënyrë për të ngritur veten. Kjo logjikë është thellësisht e sëmurë, jo vetëm moralisht, por edhe kulturalisht dhe politikisht.
Veçanërisht e dhimbshme është kur objekt i këtyre sulmeve bëhen personalitete të shquara të historisë, letërsisë apo kulturës kombëtare. Të dëgjosh fyerje ndaj figurave si Ismail Kadareja, Rexhep Qosja, Nënë Tereza apo Gjergj Kastrioti, nga njerëz që nuk e kanë lexuar asnjë rresht nga veprat e tyre, apo nuk njohin fare veprat e tyre, tregon jo vetëm mungesë respekti, por edhe krizë të thellë vlerash. E njëjta gjuhë e ulët përdoret edhe ndaj dëshmorëve dhe heronjve të kombit, duke minuar themelin moral mbi të cilin është ndërtuar vetëdija jonë kolektive.
Kjo nuk është më vetëm çështje stili apo edukate. Është një problem serioz shoqëror dhe kombëtar, sepse përmes gjuhës ndërtojmë realitetin. Gjuha është mjeti përmes të cilit zhvillohet dialogu, zgjidhen mosmarrëveshjet dhe ndërtohet bashkëjetesa. Kur ajo rrënohet, rrënohet vetë mundësia për pajtim, përparim dhe bashkëpunim.
Nuk është e thënë të mos kemi mospajtime. Përkundrazi, ato janë thelbësore për çdo shoqëri demokratike. Por mënyra se si i shprehim ato përcakton shkallën tonë të qytetërimit. Të kritikosh me argument, me etikë dhe me gjuhë të kulturuar, është vlerë. Të shash, të poshtërosh e të demonizosh, është shenjë e prapambetjes kulturore dhe e mungesës së përgjegjësisë qytetare.
Në vend të kësaj logjike rrënuese, le të promovojmë një kulturë tjetër: kulturën e leximit, të dijes, të shkencës dhe të artit. Le të flasim më shumë për libra, për biblioteka, për demokracinë dhe zhvillimin. Të nxisim konkurrencë të ndershme, ide dhe vlera, jo fyerje dhe përçarje. Të ndërtojmë institucione që rrisin nivelin kulturor të qytetarëve dhe i bashkojnë ata rreth së mirës, së bukurës dhe përparimit.
Gjuha shqipe është shumë e pasur dhe na jep mundësi të pafundme për të shprehur mendime të ndryshme me maturi dhe dinjitet. Le ta përdorim këtë pasuri për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë, më të respektueshme dhe më të qytetëruar. Sepse rrënimi i fjalës është rrënim i shoqërisë./rajonipress/


