ARKATANA

Gjermania nuk lëshoi pe!

/ 6 minuta lexim
Hidromorava

Nga Vjosa Osmani Sadriu – Arsyeja pse shkruaj për këtë temë është raportimi në disa media kosovare se Gjermania ka lëshuar pe dhe nuk ka më kushte për Serbinë. Edhe pse është e qartë që vetëm përfaqësuesit zyrtarë të shtetit gjerman do të mund të demantojnë një raportim të tillë, mendoj se interpretimi i dhënë në disa media kosovare nuk tregon të vërtetën dhe nuk paraqet qëndrimin e vërtetë të Gjermanisë karshi Serbisë, e në veçanti sa i përket relacioneve të Serbisë me Kosovën.

Raportimet mediale u referuan në një deklaratë të Ambasadorit të Gjermanisë në Beograd i cili citohet të ketë thënë se Gjermania nuk do të vë kushte të reja për Serbinë. Mirëpo, ashtu siç edhe është cituar ambasadori gjerman, ai i referohet kushteve ‘të reja’, dhe në asnjë moment nuk thotë se Gjermania ka hequr dorë apo ka lëshuar pe nga shtatë kushtet e njohura që ia ka vënë Serbisë dhe të cilat vazhdimisht ka insistuar se duhet të plotësohen para se të fillojnë negociatat me shtetin serb për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Përveç kushteve të para të cilat lidhen edhe me relacionet Gjermani – Serbi, që ndër të tjera përfshijnë edhe zbardhjen e rastit të djegies së ambasadës gjermane në Beograd në shkurt 2008 me rastin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ndryshimin e qasjes ndaj rastit të Srebrenicës ku zyrtarët serbë ende insistojnë se atje nuk kishte gjenocid, dhe disa kushte të tjera, katër nga shtatë kushtet e Gjermanisë kanë të bëjnë me qasjen e Serbisë ndaj Kosovës. Me këtë, Gjermania e bën të qartë që ecja e shtetit serb drejt negociatave për BE, gati ekskluzivisht varet nga raportet Kosovë-Serbi. Në fakt, siç është thënë edhe shumë herë publikisht, kushtet dhe kërkesat e Gjermanisë ndaj Serbisë kanë qenë edhe më të mëdha se sa kushtet apo kërkesat që Qeveria e Kosovës ka pasur në raport me Serbinë. Është fat i mirë që një shtet i fuqishëm i BE-së siç është Gjermania përkujdeset që Serbia të plotësojë këto kushte, por në të njëjtën kohë është fatkeqësi që Qeveria e Kosovës nuk ishte në nivelin e duhur të përgatitjes për të pasur kërkesa të ngjashme për Qeverinë serbe. Siç është e njohur për opinionin publik, në fillim të procesit të dialogut, vetë Kryeministri Thaçi kishte deklaruar se pritjet e Kosovës janë që në fund të procesit Serbia ta njohë Kosovën. Mirëpo vetëm disa javë më vonë, në një deklaratë publike të Qeverisë së Kosovës u tha se Kosova nuk pret njohje nga Serbia në fund të procesit të dialogut. Pra hoqi dorë nga kërkesa kryesore që e kishte në fillim të procesit. Besoj të gjithëve na kujtohet edhe rasti i Ambasadorit Lulzim Peci, i cili u detyrua të largohej nga shërbimi diplomatik, vetëm pse kishte deklaruar se Serbia duhet ta njohë Kosovën.

FIDANISHTJA

Por të kthehemi prapë te kushtet e Gjermanisë. Kushti i katërt kërkon nga Serbia që të implementojë të gjitha marrëveshjet e arritura me Kosovën. Pra për herë të parë, një shtet i BE-së nuk do të mjaftohet vetëm me premtimet e Serbisë (qoftë edhe me shkrim) të cilat ajo në praktikë gati kurrë nuk i ka zbatuar, por po kërkon zbatim në praktikë të atyre premtimeve para se të fillojnë negociatat e Serbisë për anëtarësim në BE. Kjo lidhet drejtpërdrejtë edhe me kushtin e pestë, i cili e paraqet si të qenësishme heqjen e strukturave paralele serbe nga veriu i Kosovës. Ky kusht në mënyrë specifike i referohet shuarjes së këtyre strukturave në aparatin e sigurisë e të administratës si dhe mosvazhdimësinë e financimit të tyre. Një kusht i tillë është esencial për Kosovën dhe integrimin e veriut të vendit. Kushti i gjashtë kërkon nga Beogradi që edhe më shumë ta përdorë ndikimin e vet tek serbët në veri të Kosovës që aktivisht të bashkëpunojnë me EULEX-in dhe KFOR-in. Mirëpo kushti i shtatë është më i rëndësishmi. Ai thekson se “Me përafrimin e anëtarësisë nuk guxon të barten konfliktet e pazgjidhura në BE. Serbia para negociatave lypset të tregojë vullnet evident se është e gatshme të arrijë normalizimin juridikisht obligues të raporteve me Kosovën me perspektivën se të dy anëtaret me të drejta të barabarta në kuptimin e traktatit të BE, mund t’i realizojnë të drejtat dhe detyrimet e veta pavarësisht nga njëra tjetra dhe bashkërisht.”. Një kusht i tillë është kyç sepse, e para, kërkon të plotësohet para se të fillojnë negociata, dhe e dyta, kërkohet normalizim ‘juridikisht obligues’ i raporteve me Kosovën, që qartë në praktikë do të arrihet vetëm me njohjen de jure të Kosovës nga Serbia.

Këto shtatë kushte mbesin në fuqi dhe shteti gjerman vazhdimisht e ka konfirmuar se do të vazhdojë të kërkojë plotësimin e tyre nga Serbia. Mosvënia e kushteve të reja, në asnjë mënyrë nuk duhet të konsiderohet si lëshim pe nga ana e Gjermanisë. Përkundrazi. Gjermania ka dëshmuar gjatë tërë kësaj periudhe se është shumë serioze sa i përket kushteve që i ka për Serbinë. Është fat i Kosovës që e ka përkrah një mik si Gjermania, që për dallim nga Qeveria e Kosovës (e cila është interesuar vetëm për interesa individuale e klanore), kushtet e vëna dhe premtimet e dhëna, në fakt i realizon.

(Autorja është deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe anëtare e Kryesisë së LDK-së. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për gazetën Tribuna)