Gemeinschaft & Gesellschaft
Nga Vlora Çitaku – Im atë është nga fshati Bajçinë i Llapit. Ime ëmë është nga fshati Radishevë e Drenicës. Unë jam lindur dhe rritur në Prishtinë, në lagjen Dardania më saktësisht. Kjo nuk më bën aspak të veçantë, në fakt koincidenca e rastësishme që unë të lind në Prishtinë nga prindër të ardhur nga dy vende të ndryshme të Kosovës më bën vetëm një nga shumica e madhe e banorëve të kryeqytetit tonë.
Shumicë kjo që kanë një prejardhje gjeografike të ngjashme. Pa dashur të hyj në drurin gjenealogjik të familjes time, edhe lokacioni gjeografik ku më kanë lindur të dy prindërit është një rastësi. Edhe ajo e prindërve të tyre para tyre. Gjasme po të mund të zgjedhnim lokacionet se ku lindim, secili do të kishte preferencat e veta. Jam shumë e sigurt që ka banorë edhe në Bajçinë edhe në Radishevë e edhe në Prishtinë që më me qejf do ta zgjedhnin si vendlindje New Yorkun, Parisin, Gjenevën, Vankuverin, Mustique, Bahamas, Maldivet apo ndonje lokacion tjetër. Ka të tillë që nuk do ta ndërronin kurrë Bajçinën, Radishevën dhe Prishtinën me asnjë lokacion tjetër në botë, si unë për shembull.
Gemeinschaft dhe Gesellschaft, janë lloje ideale të organizmave social të cilat janë elaboruar sistematikisht nga sociologu Gjerman Ferdinand Tönnies në veprën e tij me shumë influencë, Gemeinschaft und Gesellschaft të botuar në vitin, 1887.
Konceptimi i natyrës së sistemeve shoqërore sipas Tönnies është i bazuar në dallimin në mes të Gemeinschaft (shoqëria e komunitetit) dhe Gesellschaft (shoqëria asociative). Në zonat rurale, ku jetojnë komunitetet fshatare që e tipizojnë Gemainschaft-in, relacionet personale janë të definuara dhe rregulluara në bazë të parimeve tradicionale të shoqërisë dhe rregullave sociale. Njerëzit kanë raporte të thjeshta dhe direkte me njëri tjetrin, raporte këto që determinohen nga vullneti natyral. Për shembull shprehja e emocioneve ndaj njëri tjetrit është krejt e natyrshme dhe spontane.
Gesellschaft, në kontrast, është krijimi i vullnetit racional dhe karakterizohet nga shoqëritë moderne, kosmopolitane me qeverisje byrokratike dhe organizata të mëdha industriale. Në Gesellschaft, interesi vetanak racional dhe sjellja kalkulative luajnë një rol që për qëllim ka dobësimin e lidhjeve tradicionale familjare, afërsive njerëzore, religjionit të gjitha këto pjesë përbërëse kyçe të strukturës së Gemeinschaft-it. Në Gesellschaft, relacionet njerëzore janë më jo personale, më indirekte dhe janë të konstruktuara në mënyrë që interesi dhe efikasiteti, qoftë ekonomik, qoftë politik dhe shoqëror të vijnë në pah dhe në konsideratë më shumë.
Dikotomia e Tönnies që Gemeinschaft dhe Gesellschaft janë tipe ideale të shoqërisë e jo kategori apo klasifikime shpesh është keqkuptuar. Me industrializimin e shteteve të mëdha medeomos se ka ndodhur edhe një shpërngulje massive nga zonat rurale nëpër qytete të mëdha, dhe vlerat fshatare që i kanë karakterizuar janë shëndërruar në vlera tjera.
As Kosova nuk është përjashtim që konfirmon rregullën. Edhe këtu ka pasur vajtje ardhje, shpërngulje nga fshati në qytet, më pak ndoshta anasjelltas, por ka pasur dhe do të ketë lëvizje të tilla. Është krejt normale për shembull që të rinj e të reja vijnë qoftë nga qytetet tjera qoftë nga fshatrat e Kosovës të jetojnë, studiojnë dhe punojnë në Prishtinë. Prishtina është kryeqyteti i Kosovës, e ka Universitetin më të madh në Kosovë (deri vonë të vetmin), i ka selitë e shumicës prej organizatave të huaja e vendore, qeverinë, etj. etj. andaj natyrisht që ofron më shumë oportunitete qoftë për shkollim, qoftë për punësim dhe është krejt e natyrshme që për dikë në kërkim të diçkaje të ja mësyjë Prishtinës. Dhe pse jo, Prishtina është e krejt Kosovës.
Çka nuk është e natyrshme, dhe çka nuk do të duhej kurrë të ishte pjesë e diskursit publik të asnjeriu, është racizmi tribal me të cilin disa njerëz të kryeqytetit tonë të dashur i kategorizojnë tjerët vetëm e vetëm pse paskan pasur koincidencën dhe rastësinë të lindin diku tjetër. Sejcili, ama bash sejcili, ka të drejtë absolute të jetojë ku të dojë vet dhe ashtu si të dojë vet, i lirë, në kërkim të lumturisë së vet, pa qenë objekt i fyerjeve, përbuzjeve dhe sharjeve të askujt. Në fakt ata që fyejnë dhe shajnë e përqeshin, vetë-fyhen, vetë-shahen e vetë-përqeshen.
Ndarjet kurrë gjë të hajrit nuk sjellin. Kategorizimi i njerëzve në kësi e asi gjithmonë i ka sjellë dëm njerëzimit. Luftërat kanë filluar mu për këto arsye. Tendenca e një populli apo grupacioni për ta dominuar një tjetër. Dhe kur dëgjoj zëra racistë në Kosovë, vetëm 15 vite pas një lufte të bërë pikërisht nga njerëz që na konsideronin krijesa inferiore, tmerrohem. Tmerrohem dhe krejt çka mund t’ju them është: “Pater, ignosce illis, non enim sciunt quod faciunt”. (Faljau Zot, se nuk po e dijnë çfarë po bëjnë).
(Autorja është ministre e Integrimeve Evropiane. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për Tribuna)

