Gagica: Të ndërtojmë një Gjilan të zhvilluar për gjeneratat e ardhshme

Gjilan – Me përgjegjësi të madhe dhe me përkushtim të plotë, kam vendosur të garoj për kryetar të komunës sonë në këto zgjedhje vendore. Kjo kandidaturë është mbi të gjitha një thirrje për punë, për ndryshim dhe për vizion të qartë për të ardhmen e Gjilanit thotë Nazim Gagica kandidat i AAK-së për kryetar komune në Gjilan.
“Synimi im është i thjeshtë por i fuqishëm: të ndërtojmë një Gjilan të zhvilluar për gjeneratat e ardhshme – një qytet më të lehtë për të jetuar, më të pastër, më të shëndetshëm dhe më konkurrues në tregun e dijes dhe të ekonomisë moderne” tha Gagica për rajonipress.
Sipas tij AAK po hyn në këto zgjedhje me besim të plotë, në kapacitetin e vet për të sjellë ndryshim dhe për të qenë faktor i rëndësishëm, në vendimmarrje për të ardhmen e komunës sonë.
“Premtimi ynë është, angazhim të ndershëm, punë të palodhshme dhe plan konkret ne periudhën afatgjate. Ne nuk ekzaltohemi nga sondazhet e rreme. Ne punojmë për Gjilanin e gjeneratave të ardhshme – 2025 deri 2033” . Ndërkohë që disa parti politike janë nxituar të shpallin fitoren virtuale dhe të krijojnë atmosferë të rreme suksesi” tha Gagica.
Sipas Gagicës zhvillimi i Gjilanit nuk mund të matet me sondazhe të momentit, por me vizion afatgjatë, planifikim urban të drejtë, dhe përfaqësim të qytetarëve në çdo lagje.
“Gjilani meriton më shumë. Gjilani ka potencial. Dhe bashkë, mund ta bëjmë ndryshimin” tha Gagica./rajonipress/