Hidromorava

Osmani do t’i ftojë në takim liderët e partive, kërkon zbatim të aktgjykimit të Kushtetueses

/ 2 minuta lexim
ENVER HOXHAJ

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani do t’i ftojë liderët e partive politike në takime në ditët në vijim.

Kështu në një prononcim për Telegrafin, këshilltari për media, Bekim Kupina.

Sipas tij, Osmani pret që partitë e përfaqësuara në Kuvend ta zbatojnë Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ta përfundojnë seancën konstituive brenda 30 ditësh, siç ka kërkuar gjykata.

“Presidentja Osmani do t’i ftojë liderët e partive politike në takime në ditët në vijim. Presidentja pret që partitë e përfaqësuara në Kuvend ta zbatojnë Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ta përfundojnë seancën konstituive brenda 30 ditësh, siç ka kërkuar Gjykata. Nëse paraqitet nevoja, Presidentja mbetet e gatshme t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për sqarime shtesë”, tha Kupina.

Ndryshe, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka publikuar aktgjykimin në rastin KO124/25, lidhur me kërkesën e parashtruar nga deputetja Time Kadrijaj dhe dhjetë deputetë të tjerë të Kuvendit, që kundërshtonin vendimin për refuzimin e formimit të Komisionit për votim të fshehtë dhe vendime të tjera të ngjashme, të marra gjatë seancave konstituive të Kuvendit të mbajtura në prill dhe maj 2025.

KD-gjilan

Në këtë aktgjykim, Gjykata ka vendosur njëzëri si vijon:

– Kërkesa është shpallur e pranueshme;

– Seanca konstituive e Kuvendit e nisur më 15 prill 2025 nuk ka përfunduar, për shkak të moszgjedhjes së Kryetarit/es dhe nënkryetarëve, duke mos përmbushur kështu kërkesat kushtetuese të nenit 66 të Kushtetutës;

– Deputetët e zgjedhur janë të obliguar që brenda 30 ditësh nga hyrja në fuqi e këtij aktgjykimi, të përfundojnë seancën konstituive përmes zgjedhjes së Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit;

– Kërkesa për masë të përkohshme është refuzuar. /Telegrafi/