KKGJILAN

Fundi i utopistit Albin

/ 5 minuta lexim

Nga Imer Mushkolaj – Albin Kurti i ka dhënë fund utopisë së kultivuar ndër vite rreth dialogut me Serbinë, i ka dhënë fund idesë se nuk krijon asociacion. Duke iu thyer realpolitikës, ai po funksionon si një politikan normal në rrethanat ballkanike. Si një tip politikani, të cilin ai dikur e kundërshtonte, e akuzonte, e linçonte, e sulmonte.

Nëse konsultojmë fjalorin, fjala “utopi” nënkupton një përfytyrim ideal të shoqërisë njerëzore ose të një rendi shoqëror të përsosur. Por, “utopi” ka kuptim edhe të një ëndrre, ëndërrimi të kotë.

Nuk ka fjalë më të mirë sesa kjo, për të shpjeguar dhe përshkruar qasjen që Albin Kurti kishte dikur karshi procesit të dialogutr me Serbinë dhe marrëveshjeve të arritrura ndërmjet dy vendeve.

Sipas Kurtit opozitar, dialogu as që do të duhej të fillonte pa kërkuar së pari Serbia falje për krimet që i ka kryer dhe pa e njohur pavarësinë e Kosovës. Po sipas Kurtit të dikurshëm, Asociacioni i komunave me shumicë serbe ose Zajednica, siç i referohej ai, kishte vdekur dhe ishte e pamundur të ngjallej sërish.

Megjithatë, me të ardhur në pushtet gjërat ndryshuan dhe Kurti refuzues ndaj gjithçkaje në raport me Serbinë u shndërrua në tjetër njeri. Tash si kryeministër, ai nënshkroi planin europian dhe pranoi publikisht se ky plan përmbante Asociacionin, ndonëse fjalëpërfjalshëm aty përmendet termi “vetëmenaxhim”, e jo “asociacion”.

Sido që të jetë, ardhja e Kurtit dhe Vetëvendosjes në pushtet shënoi fillimin e fundit të utopisë së krijuar ndër vite, se nuk do të krijohet kurrfarë asociacioni dhe për serbët në Kosovë mjaftonin të drejtat që i kanë – pavarësisht se Kuvendi kishte miratuar marrëveshjen e vitit 2013 për normalizimin e marrëdhënieve.

Diskursi publik i Kurtit dhe zyrtarëve të tjerë të lartë partiakë karshi dialogut dhe marrëveshjes me Serbinë ka pësuar metamorfozë, ashtu si karshi plot premtimeve tjera, shumica e të cilave as që ka nisur të përmbushen.

Uji Dea

Albin Kurti i pushtetit nuk është si i opozitës. Tash ai po operon me maksimën “ne i zbatojmë ato që janë nënshkruar, por jo si ata që i kanë nënshkruar”. Duke investuar në formë, e jo në përmbajtje të asaj çfarë po pranon, Kurti po e shkrin utopinë e tij të kultivuar ndër vite, duke iu thyer realpolitikës dhe duke provuar të funksionojë si një politikan normal në rrethanat ballkanike. Si një tip politikani, të cilin ai dikur e kundërshtonte, e akuzonte, e sulmonte.


Pavarësisht që Kurti tha se marrëveshja përmban Asociacionin, militantët e tij nuk po pajtohen që kjo mund të ndodh. Ata ende po i besojnë Kurtit opozitar, ndonëse tash dy vjet ai ka shkelur vazhdimisht parime të proklamuara.

Plani europian dhe aneksi për zbatimin e tij e bëjnë të qartë që serbëve duhet dhënë të drejta shtesë. Mundësia e intepretimit nga palët ka krijuar konfuzion, por e vërteta është që serbët do të privilegjohen në raport me komunitetet tjera joshumicë.

Ka qenë utopike të mendohet se marrëveshja e vitit 2013 që përmbante Asociacionin do të mund të largohej nga tavolina e bisedimeve, ashtu siç ka qenë utopike që Kurti do të vazhdojë të mbajë qëndrim të fortë karshi dialogut me Serbinë.

E në gjithë këtë hallakamë, opozita është gjetur si “pa krye”. Ish-liderët e PDK’së e LDK’së e kanë nënshkruar Asociacionin, andaj tingëllojnë fort ironike, për të mos thënë qesharake, përpjekjet e kryetarëve të tashmë të këtyre partive për të shmangur përgjegjësinë.

Në një forma a tjetër Asociacioni do të themelohet. Më e rëndësishme sesa emërtimi është përmbajtja e kësaj strukture, këtij mekanizmi që do të mundësojë bashkëpunimin e komunave serbe dhe kompetenca në disa fusha. Pra, është e qartë se bëhet fjalë për autonomi, kurse pala kosovare duhet të jetë e kujdesshme që të mos lejojë autonomi territoriale që do të defunksionalizonte shtetin dhe do të krijonte premise për shkëputje në të ardhmen.

Për Albin Kurtin më nuk mund të flitet si për dikë që ka parime dhe i mbron ato. Mund të flitet për një politikan që parimet i shkel por “jo si ata para tij” dhe që nënshkruan marrëveshje me Serbinë “por jo si ata para tij”. Mund të flitet për dikë që utopinë e shndërroi në realizëm, përderisa për mashtrimet elektorale do të marrë verdiktin e qytetarëve.