Uji Dea

Florian Qehaja: Sulmi terrorist synonte dështimin e Shtetit të Kosovës

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Parandalimi dhe arrestimi i serbit të dyshuar për akt terrorist, është një ndër sukseset më të mëdha të organeve të hetuesisë. Meritat më të mëdha i ka Policia e Kosovës. Nëse do të ndodhte ky sulm, atëherë Kosova do të konsiderohej shtet i dështuar. Do të ndalej rruga drejt integrimit në BE dhe organizata të tjera rajonale e ndërkombëtare. Sidoqoftë, Shteti i Kosovës duhet të kontrollojë më shumë kufijtë. Florian Qehaja, Drejtor i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, flet për Express.

Si e shihni arrestimin e serbit Slobodan Gavric, i cili u kap me sasi të madhe eksplozivi?

Florian Qehaja: Konsideroj që operacioni policor ishte i suksesshëm. Madje është një ndër operacionet e pakta të këtij lloji (së paku që nga pas-pavarësia) në të cilën institucionet vendore të sigurisë kanë arritur të parandalojnë potencialisht një incident me pasoja të mëdha, në njerëz por edhe në pronë. Parandalimi përbën një ndër operacionet më të ndërlikuara të sigurisë sepse lypset një angazhim i thellë i organeve të inteligjencës në identifikimin, dekonspirimin dhe eliminimin e kërcënimit.
Megjithatë, suksesi i plotë i këtij operacioni do të konsiderohet vetëm atëherë kur do të përfundon me sukses procesi gjyqësor. Këtu mendoj në mbledhjen e provave dhe të dhënave që do të përbënin bazë të qëndrueshme për një verdikt gjyqësor, shpresojmë efikas dhe efektiv. Varësisht nga qëllimet finale të këtij rasti, do të mund të vlerësojmë suksesin final të operacionit.

E kujt është merita për arrestimin e këtij të dyshuari: Policisë, AKI-së apo ndërkombëtareve?

Florian Qehaja: Është vështirë të i atribuohet merita njërit apo tjetrit akterë. Megjithatë, është më se e qartë që merita kryesore i takon Policisë së Kosovës dhe organeve të saja të inteligjencës. Sigurisht se nuk mund të thuhet që indicet e para kanë filluar dhe kanë mbaruar me punën e Policisë sepse mund të supozohet që informacionet fillestare kanë ardhë nga organet ndërkombëtare të sigurisë. Për momentin nuk dihet se prej nga ka rrjedh ky informacion i çmuar. Gjithsesi se gjithçka u konkretizua në formën më të mirë.
Sa është serioz ky kërcënim, kur dihet se i dyshuari është kapur me veturë me targa të Beogradit?

Hidromorava

Florian Qehaja: Në këtë fazë vetëm mund të supozohen qëllimet e të dyshuarit apo të dyshuarve, sepse kërkohet një punë intensive dhe gjithëpërfshirëse. Kur them gjithëpërfshirëse atëherë mendoj në një angazhim të përbashkët të Policisë dhe AKI-së në njërën anë, dhe asistencës së organeve ndërkombëtare e rajonale, në anën tjetër. Megjithatë, është indikative që automjeti ishte me targa të Beogradit dhe personi ishte shtetas i Serbisë. Qarqet anti-Kosovë e posaçërisht një pjesë e establishmentit të sigurisë në Serbi punojnë në drejtim të dëmtimit të proceseve shtetformuese në Kosovë. Si rrjedhojë, hipotetikisht, në rast të konkretizimit të njërës nga objektivat e supozuara, Kosova do të paraqitej si një shtet i dështuar dhe do të sfidoheshin përpjekjet e shtetit për integrim në organizata ndërkombëtare e rajonale të sigurisë. Këtu mendoj në fillimin e marrëdhënieve kontraktuale me NATO-n si dhe konkretizimin e MSA-së me BE-në dhe, sidomos, finalizimin e procesit të liberalizimit të vizave. Po ashtu, mos të harrojmë që është në interesin e qarqeve anti-Kosovë që të vazhdohet prezenca e organeve ndërkombëtare në Kosovë në formën ekzistuese – siç është rasti me justifikimin e prezencës në formë aktuale të EULEX-it – për arsyeje se do të mbizotëronin argumentet se shteti është i paaftë që të marr përgjegjësi finale pas vitit 2016.

Çka duhet të bëjnë institucionet e sigurisë që gjëra të tilla të parandalohen edhe më herët?

Florian Qehaja: Lypset një koordinim shumë i theksuar në mes të Policisë dhe AKI-së. Ky bashkëpunim duhet të i tejkalojë ndasitë e tanishme që ekzistojnë në mes këtyre institucioneve. Tutje, kërkohet fuqizimi i kontrolleve të kufirit dhe shtimi i kapaciteteve të policisë kufitare dhe doganave. Duke kontrolluar kufijtë në mënyrë më rigoroze (por në përputhje me standardet e IBM), shteti do të shmangte edhe më shumë rrezikshmërinë. Sigurisht se kjo nuk mund të bëhet vetëm në mënyrë të njëanshme sepse sfidat e sigurisë vështirë se menaxhohen vetëm nga një shtet. Kërkohet ngritja e bashkëpunimit në nivel bilateral me shtetet fqinje. Mospjesëmarrja e Kosovës në iniciativat rajonale të sigurisë, sidomos SELEC Bukuresht ngërthen hendikep të madh momental.

Sa është i kërcënuar Shteti i Kosovës nga elementë të tillë destabilizues të Serbisë dhe a është ky rast i orkestruar nga Beogradi dhe UDB-ja?

Florian Qehaja: Kjo mbetet të shihet. Megjithatë është më se e qartë që Serbia vazhdon të jetë një ndër sfiduesit më të mëdhenj politik të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës. Krahas vlerësimeve profesionale, edhe qytetarët e Kosovës vazhdojnë të shohin Serbinë si një ndër kërcënimet më të mëdha për sigurinë nacionale të Kosovës. Më konkretisht, mbi 72% e qytetarëve mendojnë që Serbia përbën kërcënim të madh për vendin – gjetje këto që dolën gjatë matjes së opinionit publik nëpërmjet Barometrit Kosovar të Sigurisë në tetor të këtij viti. Sigurisht se obstruksionet politike e diplomatike mund të kombinohen me elemente destruktive për vet faktin që Serbia në të kaluarën ka pasur një qasje të tillë. Sa më shumë që do të forcohet subjektiviteti i Kosovës, aq ma shumë do të redukohet potenciali destruktiv i Serbisë.