Ekonomistët për Fondin Sovran: Jashtë konceptit kohor të zhvillimit ekonomik, strehë e punësimeve partiake

/ 4 minuta lexim

Njohësit e çështjeve ekonomike janë shprehur pesimistë që me themelimin e Fondi Sovran “do stabilizohet ekonomia në Kosovë”, siç parashikoi kryeministri Albin Kurti të dielën gjatë një konference për media, teksa njoftoi se institucionet kosovare janë një hap më afër themelimit të Fondit Sovran.

Madje për ish-ministrin e Financave, Haki Shatrin, Fondi Sovran “është jashtë konceptit kohor të zhvillimit ekonomik”, meqë sipas tij, janë ministritë që merren me zhvillim ekonomik.“Unë jam pesimist që mund të ketë sukses ky fond. Më shumë Qeveria ka tendencë që t’i kontrollojë asetet e shtetit. Fondi Sovran do jetë një institucion për t’i centralizuar burimet dhe për t’i sistemuar bashkëpartiakët e tyre nga Lëvizja Vetëvendosje”, tha Shatri për Albanian Post.

Profesori i Ekonomisë mendon se për ta zhvilluar vendin, Qeveria duhet të bëjë politika aktive makro-ekonomike.“Duhen politika fiskale për t’i ulur taksat për bizneset dhe të rriten investimet qeveritare duke marr kredi të mira. Në këtë mënyrë aktivizohet i gjithë potenciali”, shton ai.

“Kjo qeveri i ka rritur tatimet dhe i ka bllokuar mjetet e buxhetit, kjo është forma ma pasive që mundet ta ketë një vend në botë. Mjetet e ndara në buxhet për investime kapitale nuk i kanë futur në punë. I kanë humbur dy vjet”.

Në anën tjetër, ekonomisti Shyqeri Bytyqi, mendon se në përgjithësi krijimi i fondeve të tilla ka synim pozitive në ekonomin e një vendi, por sqaron se “fondet e sovranitetit krijohen nga vendet që kanë pasuri të mëdha natyrore apo teprica të fondeve të ndryshme përfshi edhe tepricat fiskale apo të eksportit”.

UBT

Por, ai vuri në pah se në këto koncepte “Kosova nuk është shumë e shquar” me përjashtim të mungesës së mirë menaxhimit të buxhetit të shtetit që në shumicën e rasteve mbetet suficit.“Fondet sovrane luajnë një role të rëndësishëm në nxitjen e rritjes ekonomike, promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm të një vendi. Megjithatë, rreziqet për një performancë pozitive të këtij fondi mbesin ato politike dhe menaxhues. Kosova ka përjetuar vazhdimisht jo stabilitet politik, gjë që mund të ndikojë në mos-arritjen e objektivave të fondit”, potencoi ai për AP.

Prandaj, për Bytyqin, “ka rrezik” që fondi ta humb rolin e vet themelues dhe të mbetet vetëm si financues i ndërmarrjeve publike jo rentabile, “apo edhe që fondi të bëhet strehë e lehtë e punësimeve partiake”.“Është tejet e rëndësishme që fondi të menaxhohet në mënyrë të përgjegjshëm dhe të qëndrueshëm në të kundërtën jo që do të ndikon pozitivisht në përkrahje të zhvillimit ekonomike, por do të bëhet një pengesë e zhvillimit të tregut të lirë. Në fakt, praktika nga Agjencioni Kosovar i Privatizimit na rezulton që menaxhimi ka lenë për të dëshiruar”.Çka është Fondi Sovran?

Fondit Sovran pritet t’i bartet pasuria më e rëndësishme publike e Kosovës.Ky është mekanizmi përmes së cilit Qeveria e Kosovës mbledhë shumën e mjeteve monetare – surpluset e rezervave, shitja e resurseve natyrore, privatizimet – për qëllime të investimeve strategjike.Në këtë pasuri, me të cilën do të menaxhojë Fondi Sovran, hyjnë ndërmarrjet publike të shtetit, ndërmarrjet shoqërore dhe asetet strategjike, të cilat aktualisht menaxhohen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).Kjo ka nisur të rregullohet përmes një Projektligji për Fondin Sovran, i cili u publikua më 13 mars dhe deri më 2 prill do të jetë në konsultim publik. Pas konsultimeve procedohet për miratim në Qeveri dhe më pas në Kuvendin e Kosovës.Projektligji e definon Fondin Sovran si institucion investues dhe zhvillimor të Kosovës. Kapitali themeltar i Fondit Sovran, siç thuhet në projektligj, është 20 milionë euro dhe mbulohet nga Qeveria e Kosovës.

Krijimi i Fondit Sovran ka qenë premtim elektoral i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje. Ky premtim pas marrjes së pushtetit është futur edhe në programin qeverisës katërvjeçar.Kosova vazhdon të ketë probleme të mëdha ekonomike.

Opozita po e akuzon ekzekutivin për politika të gabuara ekonomike, derisa dhjetëra mijëra qytetarë, kryesisht të rinj të papunë e profesionistë të dëshpëruar, po largohen nga Kosova drejt Perëndimit.