RCCOLA

Edi Rama tallet me Kurtin e Mustafën: S’po dinë të bëjnë Qeveri

/ 12 minuta lexim
Mobi Casa

Dua të flas për Shengenin Rajonal, si një nga prioritetet tona dhe as nuk e fsheh dot që më kanë lënduar shumë miq kosovarë, ndjekës të kësaj faqeje, as nuk mundem dot të rri pa ju thënë si fillim, se unë, për asnjë çmim, në asnjë rast dhe për asgjë në këtë botë, nuk e tradhëtoj popullin tim, vendin tim, njerëzit e mi.

*Fjalët e mëposhtme janë të paredaktuara në tërësi nga video-adresimi i kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama për Mini-Shengenin.

Dua të flas për Shengenin Rajonal, si një nga prioritetet tona dhe as nuk e fsheh dot që më kanë lënduar shumë miq kosovarë, ndjekës të kësaj faqeje, as nuk mundem dot të rri pa ju thënë si fillim, se unë, për asnjë çmim, në asnjë rast dhe për asgjë në këtë botë, nuk e tradhëtoj popullin tim, vendin tim, njerëzit e mi.

Dhe kur unë them popullin tim, nuk kam parasysh vetëm popullin e Shqipërisë po edhe të Kosovës; kur them vendin tim, nuk kam parasysh vetëm Shqipërinë po edhe Kosovën; kur them njerëzit e mi, nuk kam parasysh vetëm shqiptarët në Shqipëri, po edhe shqiptarët në Kosovë.

Unë tradhtar o motra e vëllezër nga Kosova?

Po si, kur, pse dhe për cilën arsye tjetër në botë përveç arsyes së mosarsyes të atyre që nuk duan të dëgjojnë, nuk duan të lexojnë, nuk duan të kuptojnë të vërtetat e thjeshta të një procesi publik, transparent, politik e ndërkombëtar, të nisur këtu e pesë vjet më parë!

Me sa duket të tjerët kanë një zotësi që unë nuk e kam dhe dinë ta luajnë me sukses publik, rolin për mua të neveritshëm të mëmëdhetarit të flaktë, të patriotit të përvëluar, të shqiptarit që digjet për flamur e vret për atdhe, thjesht sapo flitet për shkjaun.

E di që momenti është gjithnjë me ta, kur luhet me emocione e me rrena patriotike dhe kur plagët e paharrueshme të së shkuarës, preken djallëzisht për të ndezur zjarrin verbues në sytë e njerëzve të prekur nga e shkuara tragjike. Koha është me të drejtën dhe me të vërtetat që mund të mbulohen apo të deformohen përkohësisht, po kurrsesi nuk mund të treten e të zhbëhen.

Shengeni Rajonal nuk është një Jugosllavi e re, siç thonë ata që nuk bëjnë dot as një qeveri me dy parti, në Kosovën që e duan aq shumë. Sepse (mesa duket kur vjen puna tek bashkimi i forcave për ta qeverisur Kosovën, ndarja e karrigeve ka më shumë rëndësi se Kosova e mbetur në udhëkryq, pa strategji e pa qeveri). Po shyqyr janë të bashkuar bukur mirë, pa dallim partie e madje edhe me do ustallarë në Tiranë, për ta hedhur Kosovën kundër “vëllaut të Vuqiqit” në Shqipëri, duke i’a prishur gjakun dhe errur sytë njerëzve në Kosovë, me dokrra patetike e me rrena patriotike.

Shengeni Rajonal nuk është as një plan serb për të pushtuar ekonomikisht rajonin, siç thonë disa që Kosovën e kanë fushë për lojën e tyre politike, teksa Kosovës po i’a marrin fytyrën e po i’a tresin respektin në sytë e miqve të paçmueshëm amerikanë dhe europianë), pa të cilët shteti i Kosovës nuk do të kishte lindur dot kurrë. Çfarë mund të jetë më e dhimbshme, se sa t’i dëgjosh ata miq pazëvendësueshëm, të thonë se sot politikanët në Kosovë, dinë çka duan për vete, po nuk dinë çfarë duan për Kosovën!

Shengeni Rajonal nuk është jo e jo, mos e dhëntë kurrë Zoti i shqiptarëve, as ndonjë program a marrëveshje për të aministuar krimet e regjimit gjakatar të Milosheviçit). Për të harruar Reçakun. Për të pafajësuar agresorin e djeshëm, e për të ndaluar betejën politike me Serbinë për pranimin e realitetit dhe njohjen e Kosovës shtet sovran.

Kush i thotë këto e shumë poshtërsi të tjera të këtij rendi), ku hyn edhe poshtërsia e madhe që unë paskam dashur të ndaj Kosovën, (ose është krejt i paaftë për ta çuar përpara me sukses betejën politike me Serbinë ose është krejt i nginjur me çka ka përfituar prej Kosovës dhe s’do më hiç, asnjë dhimbje koke për të ardhmen e popullit, se të vetën e ka siguruar ndoshta për shtatë breza. Ose edhe të dyja bashkë në të shumtën e rasteve. Ndërsa kush u beson atyre që e mbushin ajrin mes nesh, me këtë soj helmi patriotik, thjesht gabon.

Shengeni Rajonal është një domosdoshmëri historike sot, kur beteja jonë është zgjerimi i hapësirës së lirisë së lëvizjes për njerëzit, mallrat, shërbimet e kapitalet.

Veç ata që s’duan ta shohin a s’dinë të lexojnë, nuk e kuptojnë se Shengeni Rajonal është rruga e vetme për Shqipërinë e për Kosovën, që të thyejmë barrierën kufitare mesveti dhe të garantojmë liri të plotë lëvizjeje mes të dyja të shteteve, për njerëzit, për mallrat, shërbimet e kapitalet.

Shengeni Rajonal nuk sjell asgjë të re në aspektin e marrëdhenieve politike mes Serbisë e Kosovës dhe as në aspektin e marrëdhënieve politike mes Shqipërisë e Serbisë, në raport me Kosovën. Qëndrimi ynë në këtë drejtim as ka lëvizur, as nuk lëviz. Ne jemi një dhe kemi të njëjtin qëndrim. Pikë.

Unë besoj fort se Shengeni Rajonal, jo vetëm nuk e dëmton Kosovën në betejën politike me Serbinë, po përkundrazi, e ndihmon.

Kush ndër zotërinjtë që i fryjnë këtij zjarri kundërshtie është kundër Shengenit Rajonal, sepse parasheh pasoja ekonomike negative për Shqipërinë e për Kosovën, thjesht nuk di çfarë flet.

Ndërsa kush është kundër Shengenit Rajonal, për shkak të së shkuarës duhet pyetur se si e ndihmoka Kosovën, vetëpërjashtimi nga një nisëm që ka të paktën pesë vjet, që diskutohet dhe dakordësohet përgjatë procesit të Berlinit, ku Kosova ka qenë gjithnjë e pranishme e gjithnjë dakord në tryezë?

Ne, Shqipëria, kemi arritur ta bindim Serbinë, po po, unë kam arritur ta bind Presidentin e Serbisë, që as të mos e kushtëzojë tryezën me asgjë që na ndan ne me Serbinë për Kosovën dhe që e ndan Kosovën me Serbinë, as të mos pretendojë që Shqipëria dhe Kosova, të mos e bëjnë marrëveshjen e lëvizjes së lirë të njerëzve e të mallrave në kufi, në rast se Kosova nuk pranon të bëjë të njëjtën gjë me Serbinë. Ditën që Serbia nuk do t’i qëndronte kësaj pike themelore, s’do kishte më tryezë ku Shqipëria të merrte pjesë për këtë proces.

Mobi Casa

Kjo do të thotë që Shengeni Rajonal na jep ne, Shqipërisë dhe Kosovës mundësinë të bëjmë atë që nuk e kemi bërë dot për vite të tëra), sepse jo vetëm Serbia, po as Uashingtoni e Brukseli nuk na e kanë lejuar kurrësesi, madje na janë hedhur në fyt sa herë e kemi përmendur: (Hapjen e kufirit mes nesh dhe krijimin e një zone të vetme ekonomike.

Tani ndjesë po nëse flasim me argumenta e jo me emocione, unë ende nuk e kam dëgjuar një argument racional kundër këtij projekti rajonal të mbështetur pa rezervë edhe nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian. Ashtu sikundër ende nuk e kam gjetur në historinë e post-konflikteve të përgjakshme, ndonjë rast kur arritja e paqes ka ardhur me retorikën e luftës e me të sjellurit si në luftë, vite të tëra pasi lufta ka mbaruar e armët i’a kanë lënë vendin politikës dhe diplomacisë.

Bashkimi Europian vitin e ardhshëm do të vendosë 1.2 miliardë euro në mbështetje të bashkëpunimit rajonal. Po edhe pa këtë, rritja e bashkëpunimit rajonal dhe pjesëmarrja e të dyja shteteve shqiptare në këtë dimension të ri bashkëpunimi, është një premisë më shumë që të rritet jo vetëm ekonomia e vendeve tona, po që të përmirësohet edhe klima e përgjithshme e të krijohen kushte më të favorshme për vetë dialogun mes Kosovës e Serbisë. Madje unë as nuk e dyshoj fare, se sa më shumë ne të përfshihemi, së bashku, Shqipëri e Kosovë, në dimensionin rajonal, aq më shumë fuqizojmë dimensionin e realitetit tonë ndërkombëtarisht edhe në sytë e Serbisë dhe aq më shumë ndihmojmë veten, në rrugën drejt njohjes së plotë e përfundimtare të Kosovës nga të gjithë.

Siç e thashë në fillim, ne nuk kemi kohë për të humbur në asnjë drejtim. Tërmeti ishte një shtysë e fortë për të gjithë ne, që (të prodhojmë më shumë energji pozitive e të shpenzojmë më pak energji negative. Mundësitë janë të gjitha për t’u shfrytëzuar, jo për t’u humbur dhe asnjë mundësi për të zgjeruar rrugën e të ardhmes, nuk mund të humbet në emër të së shkuarës.

Të dashur miq,

teksa lemë pas vitin 2019 dhe me të drejtë duam shumë më tepër jo vetëm se sa çfarë na dha ky vit i vështirë, po në përgjithësi për vendin, familjen e fëmijët tanë, (mendoni sidoqoftë ku ishim dhjetë vjet më parë).

E di e di, e di që shumëkush nga ju do të më hidhej në fyt tani e do të më thoshte, yhy, kushedi se sa shumë gjëra për botën që fluturon e për Shqipërinë që mezi ecën, po në fakt nuk është kështu. Nuk është aspak kështu dhe jam gati të debatoj, me ditë e me netë me ju për këtë.

Por ky s’është rasti për t’ju bezdisur me shifra e me fakte, po është rasti për t’ju thënë, se ndërkohë që një vit i ri po vjen me një dekadë të re përpara nesh, mendojeni edhe ju bashkë me mua, se sa dhe si mund të bëjmë, ne shqiptarët për Shqipërinë, katër a pesë herë më shumë se sa në dekadën që po lemë pas. Eshtë jo vetëm e mundur, po është ajo që duhet të bëjmë.

Zoti çon dritë e çon tërmete, po nuk çon dhurata mbi këtë tokë. E kemi ne për detyrë ta bëjmë më të mirë, më të sigurtë e më të begatë për fëmijët tanë.

Eshtë detyra jonë të mos i trembemi të përpjetave sfiduese të së ardhmes dhe të mos biem në tatëpjetat e përbaltura të së shkuarës.

Eshtë sfida jonë të mos dorëzohemi përpara vështirësive në arritjen e rezultateve dhe të mos gënjejmë veten me rezultatet sa hap e mbyll sytë në kafene.

Eshtë e jona dhe vetëm e jona, e njerëzve përtej kufirit të adoleshencës, që (të mos e humbasim durimin në përballjen me realitetin dhe të mos e lëshojmë gojën e veten në mexhelisin e komunikimit të ulët), sharjeve e shpifjeve, që rrezikojnë të infektojnë si një sëmundje kronike edhe fëmijët tanë.

Ky vend i ka të gjitha që ne t’ia dalim në krye të përpjetës ku po ngjitemi me vështirësi, për ta bërë Shqipërinë një shtet normal, funksional, social. Po ne duhet të kemi vullnetin, vendosmërinë, përkushtimin dhe mbi të gjitha vetëdijen, se kjo kërkon kohë, durim, punë e bashkim.

Ky vend i ka të gjitha që ne t’ia dalim në krye të përpjetës ku po ngjitemi me vështirësi, për ta bërë Shqipërinë një shtet normal, funksional, social. Po ne duhet të kemi vullnetin, vendosmërinë, përkushtimin dhe mbi të gjitha vetëdijen, se kjo kërkon kohë, durim, punë e bashkim.

Bashkim në qëllime, jo në bindje politike. Bashkim fuqish pozitive, jo forcash politike. Bashkim për të jetuar në një vend ku askush nuk duhet të jetë kurrë vetëm.

Unë ju falenderoj nga zemra të gjithëve, juve që më keni besuar, mbështetur, inkurajuar, po edhe juve që nuk më keni besuar a më keni gjykuar keq, po sidoqoftë më keni ndjekur në punën time.

Në fund të ditës koha ikën, vitet ikin, kryeministrat vijnë e shkojnë, të gjithë jemi kalimtarë në këtë tokë, çka mbetet është Shqipëria dhe kombi ynë. Le të vazhdojmë të bëjmë së bashku më të mirën për Shqipërinë e për kombin shqiptar dhe më e mira u bëftë për ju e gjithkënd që ju do zemra.

Zoti e bekoftë Shqipërinë!