RCCOLA

Edhe shteti shkel punëtorët

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Nga Enis Veliu – Është bërë gati një vit kur rreth 10 ish-punëtorë të Fabrikës së Tubave të Ferizajt janë vendosur në një tendë pak metra larg objektit të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.

Të lodhur nga mosha dhe kushtet shumë të rënda në tendë, ish-punëtorët e kësaj fabrike janë të vendosur se do të qëndrojnë aty deri në realizimin e kërkesave të tyre, zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese që në emër të dëmshpërblimit obligon Qeverinë e Kosovës t’u paguajë këtyre rreth 26 milionë euro.

Megjithëse, ishte premtuar nga ish-kryeministri Kosovës, Hashim Thaçi, se ata do t’i marrin paratë e premtuara, mirëpo fatkeqësisht një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

Premtimi ishte dhënë gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve të fundit në vend, mirëpo u harrua krejtësisht pas kompletimit të Qeverisë së Kosovës.

Rasti i ish-punëtorëve të kësaj fabrike ilustron më së miri shkeljen që edhe institucionet e vendit ua bëjnë punëtorëve në vend, ku haptazi nuk respektojnë vendimet e Gjykatës për kompensimin e tyre.

Edhe 15 vjet pas mbarimit të luftës, kushtet e punëtorëve në punë, sidomos të atyre që punojnë në sektorin privat janë shumë të rënda, ku një pjesë e madhe e tyre punojnë pa kontrata pune, marrin pagën në dorë, nuk kanë sigurim shëndetësor dhe punojnë deri në 12 orë në ditë.

Si për çudi për të gjitha këto probleme është në dijeni edhe Inspektorati i Punës, i cili vepron në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, por thuajse gjithmonë ka mbyllur sytë karshi abuzimeve të shumta që punëtorëve po u bëhen në vend.

Uji Dea

Së fundmi, me apo pa dashje karshi institucioneve kanë dalë edhe sindikatat e vendit.

Në çdo shtet të rajonit, apo edhe më larg 1 Maji zakonisht shënohet me protesta, qoftë simbolike, si shenjë pakënaqësie për kushte të rënda në punë.

Mirëpo, çuditërisht në vendin tonë edhe më tutje festa e 1 Majit shënohet duke kremtuar e festuar, edhe pse pjesa dërmuese e punëtorëve në vendin tonë, sidomos ata që janë të punësuar në sektorin privat punojnë në kushte të rënda të punës.

Edhe më tutje punëtorët në Kosovë gjenden në një gjendje tejet të rëndë, në një anë mashtrohen nga Qeveria, siç është rasti i fundit i lojës së Ministrisë së Arsimit me rritjen e pagave për mësimdhënësit, e çuditërisht në anën tjetër injorohen nga Sindikata.

Së paku deri më tash është dëshmuar se drejtuesit e këtyre të fundit janë të gatshëm për të protestuar vetëm atëherë kur u cenohen të hyrat dhe benefitet e tyre, por jo edhe atëherë kur kanë kërkesa nga punëtorë që punojnë nga 12 orë në ditë, siç është rasti i punëtorëve të sigurimit, dhe në fund marrin pagë më të vogël se 200 euro, ndonëse ruajnë institucionet kryesore të vendit.

Përfundimisht Kosovës i duhet një organizim i ri sindikal i mirëfilltë sidomos në sektorin privat, sepse në të shumtën e rasteve kryetarët e degëve të sindikatave që veprojnë në kuadër të BSPK-së de facto nuk përfaqësojnë askënd, pasi që punëtorët e ish-ndërmarrjeve shoqërore që kanë përfaqësuar ata, disa kanë vdekur qysh prej kohësh, e disa të tjerë janë të papunë prej më shumë se një dekade.

Është momenti i fundit që kjo strukturë sindikale të zëvendësohet më njerëz që dinë dhe mundin, e jo të vazhdojë të drejtohet me njerëz që ekzekutojnë, apo interpretojnë urdhra nga lart, si kusht i vetëm për ta ruajtur kolltukun.