Edhe gratë aktiviste angazhohen në këshillat lokale në Kamenicë

Gjilan – Në organizim të OSBE-së dhe bashkëpunim të grupit të grave të komunës së Kamenicës, është mbajtur takim me anëtaret e këshillave lokale dhe gratë e tri fshatrave Koretin, Rogoçicë dhe Hogosht.
Camile Marquett dhe Besnik Jakupi zyrtar të OSBE-së, kanë thënë se si ekip komunal i tyre përkrah përfaqësimin e grave. “Jemi të kënaqur që në komunën e Kamenicës, janë zgjedhur përfaqësuese femra nëpër këshillat lokale. Ne kemi ardhur këtu që tu tregojmë anëtareve të këshillave lokale që mund ta ngrisin zërin në nivelin lokal dhe atë qendror dhe të kenë pozita të ndryshme” ka thënë Jakupi.
Ndërsa, Besa Hoxha Krasniqi, Kryetare e Grupit të Grave të komunës së Kamenicës, ka thënë se grupi i grave ka buxhetin e saj, ne kemi ardhur që të dëgjojmë hallet e juaja dhe propozimet e juaja për fshatin tuaj.“Përkrahja e Kryetarit Surdulli, nuk ka munguar asnjëherë deri më tani, secilin projekt që kemi dërguar tek kryetari është aprovuar, andaj ne do ti marrim të gjitha propozimet e juaja për fshatin tuaj, dhe ne do të mundohemi që ti realizojmë ato brenda mundësive buxhetore “ ka thënë Hoxha-Krasniqi.
Nga takimi i sotëm në fshatin Rogaçicë, gratë prezentë dolën me këto propozime: të ndërtohet një çerdhe për fëmijë në këtë fshat, një kurs për rrobaqepëse, punime të ndryshme të dorës dhe panair i ushqimeve tradicionale.
Ndërsa, në fshatin Hogosht, kërkesa ishte që të zgjatet orari i punës në QMF, të shikohet mundësia e një pjese të pabanuar private që të pastrohen mbeturinat dhe të bëhet park, kurs për rrobaqepëse, vendosja horizontale dhe vertikale e disa shenjave në komunikacion, një park tek shkolla, ndërsa nga gratë e fshatit Koretin mbetën që propozimet të sillen në mbledhjen për buxhetim gjinor që do të mbahet të premten me gratë në shtëpinë e kulturës.
Këto propozime do të merren parasysh nga grupi i grave të komunës së Kamenicës, si dhe do të procesohen për në kuvend. Për fund përfaqësueset e grupit të grave si dhe pjesëmarrëset tjera falënderuan OSBE-së për përkrahjen e pa-ndërprerë që ofron./rajonipress/