Fundamenti

E shqyejnë platformën

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Bashkimi Europian ka hedhur poshtë tërthorazi platformën e Serbisë për Kosovën, duke i favorizuar konkluzionet e fundit të Këshillit të BE’së. Autoritetet kosovare, ndërkaq, reaguan ashpër ndaj planit serb, duke e quajtur atë anti-europian dhe ati-civilizues. Kryeministri Hashim Thaçi tha se ai dokument nuk do të realizohet kurrë.

Zyrtarët e Bashkimit Europian nuk kanë dhënë asnjë koment rreth Platformës së Serbisë për Kosovën , e cila parasheh autonomi për serbët, shuarjen e FSK’së si dhe krijimin e dy dhomave në Kuvendin e Kosovës.

Zëdhënësja e Baroneshës Ashton, Maja Kocijancic, ka thënë për Express se nuk ka ndonjë koment për platformën, ndërsa ka treguar se pozicioni i BE’së është i prezantuar në konkluzionet e Këshillit të Ministrave.

“Unë nuk kam asnjë koment rreth platformës”, ka thënë Kocijancic.

“Pozicioni i BE’së është i përcaktuar qartë në konkluzionet e Këshillit të 11 dhjetorit”, ka shtuar ajo.

Në konkluzionet e BE’së nuk përkrahet krijimi i institucioneve paralele me ato të Kosovës, ndërkohë që i kërkohet Prishtinës t’i trajtojë problemet e serbëve në Veri.

“Këshilli kërkon përparim të mëtejmë, përfshirë progresin e pakthyeshëm, duke krijuar struktura në Veri te Kosovës, të cilat i përmbushin kërkesat për siguri dhe drejtësi për popullatën në mënyrë transparente dhe kooperative në mënyrën që siguron funksionalitetin e një kornize unike institucionale dhe administrative brenda Kosovës dhe që respekton nevojat e veçanta të popullatës lokale”, thuhet në përfundimet e BE’së, të publikuara para dhjetë ditësh.

Veç kësaj, BE ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia t’i trajtojnë të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me përmirësimin e raporteve mes dy vendeve. Madje, është kërkuar edhe hartimi i një plani për Veriun nga ana e autoriteteve të Prishtinës.

Kosova ende nuk ka prezantuar ndonjë plan për atë pjesë të Kosovës, ndërsa Serbia veç ua ka prezantuar diplomatëve të BE’së platformën e saj.

Express ka publikuar të mërkurën Platformën e Serbisë, e cila parasheh që Serbia të ndërhyjë në rendin kushtetues të Kosovës nëpërmjet krijimit të institucioneve që nuk parashihen me Kushtetutën kosovare.

Ndaj këtij propozimi ka reaguar Qeveria përmes Kryeministrit Hashim Thaçi, gjatë mbledhjes së Qeverisë.

Ai ka thënë se ky dokument është vetëm pjesë e dëshirave të Beogradit, ndërsa ka thënë të ketë marrë edhe konfirmimin e ndërkombëtarëve se edhe ata e kanë refuzuar platformën serbe.

KKVITI

“Sa i përket këtij plani anti-europian, anti-civilizues dhe kundër paqes në Kosovë dhe rajon, kam biseduar me të gjitha autoritetet ndërkombëtare dhe mund të them se ai projekt do të mbetet në sirtarët e dëshirave të Beogradit, siç kanë qenë të gjitha projektet nga Garashanini deri te Presidenti aktual Nikolic”, ka deklaruar Thaçi.

Për njeriun me të cilin po takohet dhe po merret vesh, Thaçi ka thënë se është mbeturinë e Milosevicit dhe rrugës së tij gjenocidiale.

“Andaj edhe ky plan i ri sot në Beograd nuk është diçka e re, sepse Nikolici ka qenë pjesë e aparatit gjenocidal të Milosevicit”, ka deklaruar Kryeministri.

Të njëjtin qëndrim e ka shprehur edhe Zëvendësi i Thaçit, Hajredin Kuçi, pas mbledhjes së Qeverisë.

Duke luajtur rolin e Zëdhënësit të Qeverisë, Kuçi ka thënë se pret që edhe BE të kundërshtojë ofertën e Beogradit për Veriun dhe Kosovën.

Megjithëkëtë, Zëvendëskryeministri ka thënë se platforma më së shumti e ka sfiduar BE’në dhe Baroneshën Ashton.

“Besoj që zonja Ashton është më e sfiduara me këtë platformë. Se platforma kundër asaj që e ka prezantuar edhe para takimeve të përbashkëta edhe para opinionit publik. Ajo ka dëmtuar më së shumti procesin e dialogut edhe më së shumti ata që tentojnë të ndërmjetësojnë këtë proces”, ka shtuar ai.

Ky zyrtar i Qeverisë ka thënë se plani i Serbisë për Veriun i ngjan sikurse Prishtina të hartonte një dokument për tri komunat në Kosovën Lindore.

“Prezantimi i një platforme të Serbisë për çështjen që ka të bëjë me brendësin e Kosovës është njëjtë sikurse ne të paraqesim një platformë për Preshevë, Bujanoc e Medvegjë”, ka shtuar ai.

“As BE’ja dhe askush në botë nuk mund të flet diçka që i takon Kosovës dhe unë besoj që BE’ja nuk do të bëjë një veprim të tillë, përkundrazi platforma e Serbisë është sfidë për negociuesit e BE’së,

Ndryshe, Veriu i Kosovës prej përfundimit të luftës mbetet jashtë kontrollit të institucioneve kosovare. Aty funksionojnë shumica e institucioneve të Serbisë, me përjashtim të ushtrisë dhe policisë së uniformuar.

Verën e vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës kishte dërguar për një ditë Njësinë Speciale të Policisë, por prej asaj kohe rrugët mbesin të bllokuara nga barrikadat e banorëve lokalë. Doganierët në dy pikat kufitare dërgohen me helikopter.(express)