Mobi Casa

E guximshmja Arbana Xharra

/ 9 minuta lexim
Fundamenti

Lajmi i marrjes së çmimit prestigjioz ndërkombëtar për Gra të Guximshme, bëri xhiron e botës. Arbana Xharra është triumfi i një gazetareje që zgjedh rrugën e hulumtimit, jo për t’i mbijetuar gazetarisë, por për ta përmirësuar atë përmes talentit dhe guximit të saj. Ajo komunikon pa paragjykime, shkëmben ide, jep më të mirën e kulturës së saj dhe të vlerave, është e sigurt në vetvete dhe nuk ka dyshim për atë që përçon tek te tjerët.

Intervistoi: Gazmend Kajtazi

Ajo përpiqet ta ruajë ekuilibrin e duhur midis jetës personale dhe asaj profesionale, një objektiv që bëhet gjithmonë e më vështirë për t’u arritur. Frymën e saj, idetë që përcjell çdo ditë në gazetën “Zëri”, por edhe shumë të tjera, Arbana Xharra – gruaja e përkushtuar që rrezaton një urtësi të paçmuar – i rrëfen në këtë intervistë për Telegrafin.

1
Zonja Arbana, kohë parë, nga Shtëpia e Bardhë jeni shpallur gazetare e guximshme. Çka quani guxim në gazetari?

Në një ambient të pasigurt, me shoqëri të varfër, ku individë dhe grupe të caktuara të përfshira në krim dhe korrupsion kanë shtrirë pushtetin në sektorët kyç të vendit, padyshim se duhet guxim që të bësh gazetari të pavarur.

Ky, mbase do të shërbejë si motiv shtesë, që mos të ndaleni kurrë duke ‘kritikuar’ e shfaqur mospajtime të thella për shumë fenomene devijonte në shoqëri?
Të nderohesh nga Departamenti amerikan i Shtetit, me këtë çmim prestigjioz; të radhitesh në mesin e 10 grave nga mbarë bota për guxim, është një privilegj i madh. Të të njihet puna dhe mundi dhe njëkohësisht të falënderohesh për atë që ke bërë deri me tani nga SHBA-të, pa dyshim që është motiv shtesë, por edhe përgjegjësi.

2
Ku fshihet lapsi magjik i juaji dhe a duhet që gazetari përherë të jetë i guximshëm duke marrë mbi supe edhe njëfarë rreziku eventual?

Kam nis të merrem me gazetari shumë herët, qysh në moshën 19-vjeçare.Tash e 14 vite jam rritur me këtë profesion. Gjatë kësaj periudhe, kur ndodhën edhe shumë ngjarje në tranzicionin e stërzgjatur të Kosovës, jam sfiduar gjithherë nga temat e mëdha – ato që kërkojnë hulumtim duke “ndjekur paranë”. E, sidomos në llojin e gazetarisë ku preken interesa financiare, atëherë predispozitat për kërcënime e shantazhe janë të mëdha. Nuk ka gazetari hulumtuese pa e marrë guximin e ballafaqimit me të papriturat.

Sa ka fuqi fjala në gazetari që një shoqëri ta bëjë normale dhe stabile, mos të themi ideale?
Varësisht se për çfarë shoqërie bëhet fjalë, normalisht se një hulumtim me fakte ka shumë më shumë ndikim në shoqëritë e emancipuara dhe demokratike, sesa në ato siç është kjo e jona. Por, ndikimi i mediave të pavarur në rritjen e vetëdijes qytetare në Kosovë është duke ndodhur. Kjo matet lehtësisht me reagimin e opinionit pas publikimit të skandaleve. Nëse krahasojmë me periudhën e para disa viteve, sot janë thyer disa tabu dhe, kontribut të madh kanë dhënë mediat. Nëse nuk është guxuar të flitet apo kritikohen shumë figura publike, sot shohim shumë e më shumë guxim qytetarë që të sfidojnë kapadainjtë. Kjo është meritë e mediave.

3
A, ka në Kosovë liri të shprehjes?

Rangimet e raporteve ndërkombëtarë më së miri tregojnë se në çfarë derexhe është liria e shprehjes në Kosovë. Presioni ndaj medias është i shtrirë në forma të ndryshme – pos kërcënimeve klasike, padi e po ashtu edhe presioni ekonomik. Shumë mirë e dimë se mediat janë të varura nga marketingu dhe bizneset më të fuqishme kryesisht janë të lidhura me njerëz në politikë. Kështu që ambienti për gazetari hulumtuese është në kërcënim të vazhdueshëm.
A mund të krijojë sot (në Kosovë) gazetari opinionin e vet, apo e nesërmja i mbulon me vellon e harresës?
Misioni i gazetarit është të ofrojë argumente e fakte për të nxjerr në dritë të vërteta. Varësisht nga kredibiliteti i gazetarit dhe medias, është edhe ndikimi në krijimin e opinionit publik. Por, mund të them se po, në Kosovë disa media dhe gazetarë kanë arritur që të kenë ndikim në orientimin e audiencës drejtë rritjes së vetëdijes qytetare.

4
A e konsideroni gazetarinë si profesion “të rastësishëm” apo si një profesion të shpirtit tuaj gazetaresk?
E bëjë me vullnet dhe përkushtim të madh, tash e 14 vjet. Sikur sërish të kthehem në 2001-tën, do të pranoja të kaloja nëpër gjithë ato sfida, kërcënime, e presione që kam pasur gjatë karrierës sime… dhe, nuk do të heqja dorë nga gazetaria.

Ju po udhëhiqni me një medium të fuqishëm -“Zëri”. Sa po dëgjohet zëri i gazetarëve dhe sa po arrin ai zë?
E thash edhe më parë, disa media dhe gazetarë në Kosovë kanë arritur që me punën e tyre të pavarur të krijojnë besueshmëri dhe kredibilitet. Kjo natyrshëm rrit edhe ndikimin e tyre.

A mendoni se vlerat intelektuale dhe talentet gjatë rrugëtimit të tyre po hasin në shumë vështirësi afirmimi dhe publikimi?

Në një shoqëri me probleme të mëdha, që janë reflektim i prapambeturisë, izolimit, i hapet rrugë antivlerave… e, rrugëtimi për talent dhe vlerat intelektuale, vetëm sa vjen dhe vështirësohet. Fatkeqësisht, në Kosovë komuniteti i njerëzve të emancipuar vazhdon të mbesë i vogël dhe si rezultat dominon degradimi.

5
A ndjeheni keq kur hasni në shkrime tendencioze, të njëanshme dhe me ngjyrime politike?

Me vjen keq për ata gazetarë që janë në shërbim të politikës e të cilët bëjnë gazetari të porositura me mision të mashtrojnë opinionin publik… Ata janë për keqardhje!

KKGJILAN

Ju ka ndodhur t’u “tërhiqet veshi”…?
Tendenca ka pasur, por nuk i lë të me afrohen “tek veshi”. Nuk lejoj të ma prek kush integritetin profesional.

‘Gazetaria është si pema: rrënjat i ka të hidhura, por frytine ka të ëmbël’. E keni shijuar ju ëmbëlsinë e kësaj peme?
Sa herë që sheh rezultatet e punës tënde, ajo ndjesi të jep frymëzim dhe vullnet që të mos ndalesh…

6
Kosova është e mbërthyer nga shumë kriza. A e ka përfshirë kjo edhe profesionin e gazetarit?

Në Kosovë shpërdoruesit e fjalës së lirë për interesa të grupeve të caktuara janë po ashtu kontribuues që Kosova sot është në këtë derexhe. Grupe interesi dhe individë me ndikime në politike, të cilët kanë blerë media dhe gazetarë për të çuar përpara agjendat e tyre politike, shihen qartë.

Kur një gazetë apo një televizion i ofron publikut diçka të re, pyetja e parë që shtrojnë njerëzit është: nga e di ti këtë? Sa i rëndësishëm është ballafaqimi i palëve, apo të themi ndryshe verifikimi i të dhënave?
Po, është e vështirë të mbledhësh fakte, sepse qasja në dokumente është me plot pengesa. Në Kosovë nuk ka databaza sikurse në vendet demokratike. Duhet gjetur mënyrat përmes burimeve brenda institucioneve që të sigurosh të dhëna dhe informacione. Pastaj, publikimi i raporteve pa fakte dhe argumente të humb edhe besueshmërinë. Kjo pra është njëra nga sfidat kryesore të gazetarisë hulumtuese.

7
Secila media në botë lufton për lexueshmëri më të madhe, shikueshmëri dhe klikime. A shihni ju ndonjë problem në këtë fushëbeteje të pamëshirshme?

Në secilin vend luftohet për lexueshmëri, por kjo fushëbetejë, siç e quani ju, në vendet ku ka rend dhe ligj është e rregulluar ndryshe, sepse nuk mund të vidhet lajmi e të mos citohet ashtu siç ndodh në Kosovë. Po ashtu, për lajme të rrejshme e të paargumentuara nuk jep përgjegjësi askush. Por, edhe pse kemi një tendencë të egër të shtrirjes së medieve, sidomos atyre online, besoj se me kalimin e kohës – ashtu siç ka ndodhë edhe me gazetat dhe televizionet – do të reduktohet numri në po aq sa janë kredibile. Lexuesi nuk duhet nënvlerësuar: ai di të zgjedh se kujt t’i besojë dhe se cilat janë mediat e pavarura.

Si është të jesh sot gazetare në Kosovë në një mjedis të ashpër mediatik dhe politik?

Kur arrin të dëshmosh profesionalizëm, të shpëtosh nga joshjet e politikës dhe parasë, atëherë je komod…

A, keni idhull në gazetari?
Christiane Amanpour dhe OrianaFallaci.

8
Po, cila është Arbana, jashtë profesionit?
Nënë e dy djemve, Andit 10-vjeç dhe Artit-5 vjeç; merrem me punët e shtëpisë – laj, fshijë si të gjitha nënat tjera. Bashkëshorti im është po ashtu gazetar, por i sportit, AndinLokaj. Fatmirësisht ai e njeh dinamikën që ta imponon gazetaria, kështu që në koordinim merremi edhe me angazhimet familjare.

Si i përjetojnë të afërmit dhe familja juaj momentet tuaja të vështira? Ju kanë këshilluar ndonjëherë që të hiqni dorë nga ky profesion?
Asnjëherë nuk më kanë kërkuar që të heq dorë, vetëm që të kem kujdes për shkak të fëmijëve të mi. Mundohem që të mos i shqetësojë, sidomos kur marr kërcënime. Andaj, shpeshherë nuk ua bëjë këto me dije.

A ju mbetet kohë e mjaftueshme për familjen, aq më parë kur jeni edhe nënë?

Nuk është aspak e lehtë të mbahet balanca profesion-familje, e sidomos në gazetari, sepse nuk mund të shkëputesh nga ajo edhe kur je në shtëpi. Por, atmosfera në të cilën jetojmë në familjen time, gazetat gjithandej, libra, shkrime…janë përditshmëri e zakonshme edhe për fëmijët dhe për familjen time. Por, kur merrem me ta mundohem që t’ju përkushtohem vetëm atyre, edhe pse padyshim ky përkushtim asnjëherë nuk është mjaftueshëm.

9
Cila është porosia juaj që një femër të bëhet e suksesshme dhe t’i ruajë raportet e shëndosha me lexuesit dhe familjen?

Forcë për t’u ballafaquar me sfidat dhe pengesat, vullnet dhe këmbëngulje për të mos hequr dorë! /Telegrafi/