Dy rrafshet e komunikimit të poezisë “Thellë diku rrënjëve të shpirtit”

(Nga thesaret e harruara të shpirtit)
Kur të lexohet kjo poezi, lexuesi e ndjen një trandje! Trandja vjen nga intensiteti emocional dhe nga rrafshet e komunikimit artistik që ngërthen kjo poezi. Poezia bën një gërshetim të mitologjisë, historisë dhe dhimbjes personale… dhimbjes personale e kolektive! Një përsiatje mbi humbjet që i ka përjetuar dhe i përjeton secili prej nesh.
1.
Shpirti ka rrënjët e tij, e, aty, tek ato rrënjë, edhe thesaret e shpërndara nëpër përjetime e kohë: dashuritë e humbura, motet që nuk rikthehen më, harresat e shenjta: “Ajo më harroi thellë diku rrënjëve të shpirtit”.
E, pra, dikush ka ikur dhe ka lënë boshllëk në shpirtin e folësit lirik. Harresa dhemb. E dhimbja i përshkon thellësitë e shpirtit “si një therë e tharë mes mishit e thoit”. Lidhjet e dikurshme që kishin aq shumë kuptim, tashmë shkërmoqen. Përpara e kemi qenien aq të dashuruar nga protagonisti lirik, e, ngadalë, kjo dashuri merr përmasa të personifikimit tej-hiperbolik, tejkohor: a thua, kaq e madhe paska qenë humbja e një dashurie:
Ikën stinë e vite
ajo s’u duk më
Fatit të nëpërkëmbur
fytyra e saj
një det me vaj’
Pazotësia ime më bëri përrallë
Ngadalë, kujtimi shndërrohet në një figurë mitik-biblike-historike. te e fundit, poezia e mirë t’i krijon mundësitë për lexime të ndryshme, për asociacionet e pasura semantike-figurative që t’i ofron.
2.
Ky kujtim zgjon një epokë të dikurshme: “Varkën e Noit/ e kish zhbi Epoka e paraKrishtit/ Liburnës ilire iu kishin thyer brinjtë”. Gjithçka gjendet në humbje të thellë. Noe dhe varka janë shpëtimtarë, por në këtë poezi varka është zhdukur dhe folësit lirik (arki-historik a arki-biblik) i është mohuar mundësia e shpëtimit!
Poezia e shumëzon folësin e saj lirik: nga ky arki-folës në të sotmin: ky i sotmi ka njohuri të thella për të djeshmen, por, ç’e do: kjo njohuri nuk ofron asnjë shpëtim!
Ndonëse e ka këtë trashëgimi të pasur historike dhe mitologjike, ajo nuk mund të ofrojë shpëtim në ballafaqim me dhimbjen dhe humbjen e tij personale a kolektive: krejt njësoj! Mohimi i mundësisë për shpëtim përbën esencën e tonit tragjik të poezisë.
Varka e Noit shndërrohet në të kundërtën e saj. nga metafora e shpëtimit në figurë të inversionit lirik: diçka që është e pamundur të realizohet. Nuk ka rëndësi a është autori, apo ata folësit lirik të multiplifikuar kaq mjeshtërisht: ata nuk e kanë në dorë këtë shpëtim të thesarit të rrënjëve (personale-dashurore, etnike, historike, biblike-krejt njësoj)!!! Ç’po na ringjallet ky mit i humbjeve! I braktisjeve: FOLËSI LIRIK GJENDET përpara një boshllëku tragjik! Noe u gjend përpara atij boshllëku dhe e shpëtoi racën njerëzore e planetare. Por këtu referencat e vargjeve na drejtojnë kah mitet tona, historia jonë ilire-liburne. Është një ballafaqim i sotëm tragjik me realitetin. Shpresat për një ringjallje apo rikthim janë të dënuara. Na duket sikur lexojmë ato zemërimet e dëshpërimet noliane “anës lumenjve”, historikë. Poetit (eh, poetit, por aty jemi ne), i mbetet vetëm ballafaqimi me të kaluarën dhe me vuajtjen që ka sjellë kjo e kaluar. E, ç’të bëjë poeti me këto të kaluara në dorë, në shpirt?! Ç’të bëjë, kur dhimbka është e pafund për shkatërrimet që kanë ndodhur? Shkatërrimet në brendinë e shpirtit nëpër kohë! Eh, këto epoka që na ndodhën! Ato paskan bërë betejat e tyre që të na vjedhin gjithçka, të na humbin dalë nga dalë qenien tonë.
3.
Për cilën kohë flet poeti? A thua, vetëm për dy kohë personale:
“Mes meje e saj
malet e zemrës po zverdhen”
Zemra paraqitet si një mal që po zverdhet, një imazh që tregon karakterin kalimtar të kohës, lodhjen dhe shuarjen e asaj lidhjeje që dikur ishte e fortë dhe e gjallë.
Poezia ka një shumësi kuptimore që mund të interpretohet si lidhje mes dy motiveve të mëdha: dashurisë dhe personifikimeve historike. Ndërsa përmban elemente të të dyjave, ajo shprehet më së shumti si poezi që lidh përjetimet personale dhe emocionale me një kontekst historik dhe mitologjik, duke krijuar një gërshetim të fortë: të brendshëm e të jashtëm.
Në rrafshin e parë, kjo është një lirikë dashurie, madje, do të thoshim, në kuptimin e zakonshëm, të dashurisë romantike. Kjo është një lidhje e humbur që ka lënë pas një boshllëk të pashlyeshëm brenda shpirtit të poetit:
“Ajo më harroi thellë diku rrënjëve të shpirtit”
(…)
“As guxoja t’i çelja sytë, as të lëshoja zë”
Një dashuri që ka ndodhur në thellësitë e shpirtit dhe tani është thjeshtë ndjesi e humbur dhe e shuar. Përbërësit poetikë të dashurisë së humbur vijnë nga epitetizimet në vargje: “buzëve të shkrumuara” dhe “therë e tharë mes mishit e thoit”, – është pamja simbolike e thyerjes së lidhjeve dhe e vuajtjes që vjen nga ndarja.
4.
Në rrafshin e dytë, poezia ka përmasë historike dhe mitologjike, ku personifikimi i historisë dhe mitit i jep një tjetër kuptim poezisë: ky krijim poetik merr një tjetër shtresim (Varkën e Noit, “Epoka e paraKrishtit dhe Liburna ilire) që janë simbole që i japin poezisë përjetime të së kaluarës së thellë historike.
Liburnët ilirë, si popull antik ilir, janë një tjetër referencë që thekson kalimin e kohës dhe humbjen e mbrojtjes dhe të shpëtimit. Ata shënjojnë heronjtë që kanë humbur dhe janë shuar nga historia.
Ky gërshetim i mitit biblik dhe historisë, e thellon kuptimin e poezisë dhe i jep asaj përmasën e motiveve universale të tragjedisë, të fatit dhe të humbjes, që e tejkalon individin dhe e bën atë të prekë edhe rrafshe më të thella të shpirtit njerëzor.
Si ta shpëtojë poeti dashurinë?
Dashuria, a nuk është thënë se dashuria është shpëtimtare e botës?
Në shumë tekste filozofike dhe poetike, dashuria është parë si forcë shpëtimtare, si fuqi që shëron, riparon dhe që mbijeton përballë çdo tragjedie dhe peripecie. Dashuria shpëtimtare është ajo që na ndihmon ta kapërcejmë tragjedinë dhe të mbijetojmë përmes dhimbjes dhe humbjes. Në këtë poezi, dashuria ka qenë shpëtimtare, por nuk është më. Ky “shpëtim” është shuar, dhe kjo është e qartë në vargje si: “Ajo më harroi thellë diku rrënjëve të shpirtit”. Dashuria ka qenë shpëtimtarja e shpirtit, por tani është larguar, ka ikur dhe nuk mund të rikthehet. Vargu “Fatit të nëpërkëmbur/ fytyra e saj/ një det me vaj’”, na e thotë se ç’pamje kanë trishtimi e vuajtja, ku dashuria, që dikur ishte shpëtimtare, është shndërruar në një det vuajtjeje dhe humbjeje. Deti i vajit është simbol i dhimbjes universale, që nuk ka më një fund të mundshëm.
5.
Gjithçka në zverdhje… vjen natyrshëm ky përfundim! Kur poeti thotë “mes meje e saj / malet e zemrës po zverdhen”, përpara kemi zverdhjen e maleve në vjeshtë. Por këto janë malet e zemrës. A nuk janë malet simbol i qëndresës së palëkundur? Tani ato janë në shkërmoqje, në zverdhje! Në kalbje! Na duket sikur po na vijnë jehonat e poezisë fishtiane “Nji lule vjeshtet”.
Zverdhja është ngjyrë që përdoret për të shënjuar degjenerim, humbje shprese dhe trishtim të thellë. Kur malet e zemrës zverdhen, atëherë kjo është metaforë e humbjes totale të forcës dhe vitalitetit të shpirtit.
Ashtu si natyra e jashtme (malet), edhe brendia e poetit ka filluar të shkërmoqet dhe të dobësohet nga humbja e dashurisë. Malet, që ishin simbol i shpirtit të fuqishëm dhe të pamposhtur, tani janë zverdhur, janë shenjë e dobësimit dhe e përkeqësimit të ndjenjave, janë bërë pasqyrë e përkeqësimit të shpirtit të lodhur dhe të thyer. Ata të dy, poeti dhe e dashura, dikur ishin një qenie trup e shpirt, një tërësi, si dy elementë të lidhur që janë, tani të shndërruar në të kundërtat e tyre.
Në rrafshin tjetër: Ilirik e mitik, kohësh biblike të lashtësisë sonë, ishin thesar unik, e tani gjithçka në humbje… “Pazotësia ime më bëri përrallë”, ligjëron poeti dhe sikur dëshiron të na thotë se ky pranim është vetëdija më e thellë për vetveten në ballafaqim me dështimin personal.
Megjithatë, përballë dëshpërimit, ky pranimi i pafuqisë është një hap drejt shërimit. Nëse na shfaqet si humbje, është edhe akt i të pranuarit të vetëdijes për të kaluarën dhe për vetveten. Është ndër motivet e temat e mëdha të letërsisë botërore, ku figura e vetëdijes dhe e dështimit ndërlidhen ngushtë…
Te e fundit, poeti ka jetuar përmes këtij kuptimi e kësaj dashurie (në dy rrafshet: dashuri personale dhe dashuri e shpirtit etnik për thesaret shpirtërore kolektive).
Poeti ka jetuar dhe ka ekzistuar përmes një dashurie që ka qenë tërësisht transformuese dhe shkatërruese. Ai ka kaluar nëpër çdo fazë të asaj dashurie: ka përjetuar shpresën, gëzimin, humbjen dhe, më në fund, e përjeton tërësisht zverdhjen dhe ndarjen, dhe ky përjetim i ka dhënë formë dhe kuptim gjithë poezisë së tij. Kjo është dashuria që formon shpirtin, që na shpie përtej gjithçkaje, përmes secilës betejë jete e historie, por që gjithashtu lë një zbrazëti të pashërueshme pas saj. Merr frymë përmes kësaj humbjeje! Poezia ka lindur nga përvojat e thella personale e historike.
Poezia është një shprehje e ekzistencës. Është rrugë përmes dashurisë së shqiptuar përmes vargut poetik.
Përgëzime!
(27 qershor 2025)
Sabit RRUSTEMI
THELLË DIKU RRËNJËVE TË SHPIRTIT
Ajo më harroi thellë diku
rrënjëve të shpirtit
për një pikë ujë
e për një çikëz jetë
Buzët e shkrumuara
plasave të një ëndrre ngecën
si një therë e tharë mes mishit e thoit
As guxoja t’i çelja sytë
as të lëshoja zë
gërshërëve të pritjes m’u mpi gjuha
Ikën stinë e vite
ajo s’u duk më
Fatit të nëpërkëmbur
fytyra e saj
një det me vaj’
Pazotësia ime më bëri përrallë
Varkën e Noit
e kish zhbi Epoka e paraKrishtit
Liburnës ilire iu kishin thyer brinjtë
Me thonjë iu rreka asaj ëndrreje
që s’donte të bëhej zhgjëndërr
derisa u përgjaka duarsh
Dreqi ta hajë mbeta edhe pa të
Epokave të reja
më humbën valët
numrat
Etja për ta parë rritet e s’pritet
Mes meje e saj
malet e zemrës po zverdhen
(26 qershor 2022)
Fotografia: Një sellfi me Prendin, 24 qershor 2017