Dosja e Llashticës, Zhegrës, Llovcës dhe Lladovës nuk u hetuan kurrë nga prokuror e hetues shqiptarë

Gjilan – Dosjet e luftës në rajonin e Gjilanit që janë dorëzuar me kohë nëpër institucionet e hetuesisë dhe të drejtësisë janë neglizhuar dhe nuk janë marrë seriozisht tash e 20 vite. Ishte UNMIK-u njëherë e tash edhe EULEX-i që bllokuan hetimin e Dosjeve të luftës. Edhe pas kaq vitesh heshtje e neglizhencë Dosjet e kompletuara vazhdojnë të pushojnë në sirtarët e prokurorisë. Ky është turpi më i madh kombëtar dhe fyerja më e madhe që i është bërë këtyre ngjarjeve dhe masakrave të ndodhura në rajonin e Gjilanit.
Njëri nga dëshmitarët kryesor të masakrës së Llashticës, Deli Hyseni tek në vitin 2018 është marrë në pyetje nga policia. Kjo nuk do asnjë koment sepse tregon jo seriozitetin dhe papërgjegjësinë totale të organeve të hetuesisë.
Edhe pse Prokuroria e Gjilanit ka pranuar të gjitha Dosjet e shkruara dhe të kompletuara, sërish ka vazhduar avazi i vjetër, duke i neglizhuar ato dhe duke mos treguar aspak interesim.
Masakra e Llashticës edhe pse është quajtur Reçaku i Anamoravës ajo asnjëherë nuk është hetuar seriozisht.
Vendi ku është kryer krimi në Llashticë është vizituar nga mjekët kanadezë menjëherë pas luftës, por raporti i tyre kurrë nuk është bërë publik Llashtica është vizituar edhe nga Luis Arbur, por as raporti i saj kurrë s`është publikuar.
Deli Hyseni është njëri nga dëshmitarët kryesor që e ka parë dhe përjetuar pothuajse tërë masakrën e Llashticës. Në rrëfimin e tij që e ka dhënë ekskluzivisht për rajonipress, Deli Hyseni ka treguar detaje interesante, dhe ka shpalosur tërë atë masakër që bënë serbët në këtë fshat.
Deliu i ka parë familjarët e tij teksa vriteshin para syve të tij, ka parë se si digjeshin për së gjalli në prani të tij dhe në fund teksa mbuloheshin me eskavator për të humbur gjurmët. Deli Hyseni çuditërisht asnjëherë nuk është intervistuar dhe as që i është marrë deklaratë nga policia apo prokuroria kosovare, madje është marrë ditën e fundit të udhëtimit të tij për Francë.
“Më kujtohet si sot, më kujtohet ajo ditë, ajo orë e aj sekondë i trishtuar. Pash e çka nuk pash, përjetova tmerrin më të rëndë për një familjar. Trupat e familjarëve të mi binin njëri pas tjetrit, pushkatoheshin dhe digjeshin për së gjalli. A ka më rëndë, më vështirë se të jesh dëshmitar për së gjalli. E kam lutur disa herë zotin të vdes e mos t`i shoh ashtu, por njeriu po jetojka edhe kështu”, shprehej Deliu.
Kjo është njëra pjesë e rrëfimit të Deli Hysenit nga Llashtica e Gjilanit i cili për herë të parë ka folur për një medium shqiptar. Jo pse nuk ka dashur të flas, jo pse nuk ka çfarë të flas, por siç thotë Deliu, mediat e huaja dhe KFOR-i pas luftës ishin më shumë të interesuar, edhe pse e pranon se asnjë hetim nuk ndodhi për masakrën e Llashticës.
Në masakrën e Llashticës Deliu ka humbur babain Hysen Hyseni, nëna Ajshe Hyseni, vellau Fazli Hyseni, gruaja Arife Hyseni, djali i Fazliut, Driton Hyseni si dhe është i vrarë nipi ( djali i motrës) nga Velekinca, Blerim Halili.
Realisht të gjithë dëshmitarët më të rëndësishëm të masakrës së Llashticës, pa dëshirën e tyre ndodhen jashtë Kosovës. E dhimbshme është historia e Deli Hysenit dëshmitarit kryesor i cili në mungesë të përkujdesjes nga ana e institucioneve shtetërore detyrohet të shkojë ilegalisht në Francë për tu shëruar nga plagët dhe traumat e luftës.
Deli Hyseni tani është bërë 50 vjeçar dhe jeton diku në Francë që nga viti 2006. “U zhgënjeva pas luftës sepse edhe pse isha i plagosur dhe kisha humbur gjysmën e familjes, babain, nënën, djalin, vëllain unë sërish duhej të punoja. Duhej ta mbaja pjesën tjetër të familjes. Ika në Francë ku tani jam rehatuar dhe ndodhem me familje” thotë Deliu.
I gëzohet çdo zhvillimi që ndodhë në Kosovë edhe pse thotë se nuk ka mundësi ta shoh sepse në vitin 2007 kishte humbur të pamurin. “Si mos t`i humb këta sy kur panë gjithçka, panë e përjetuan skena të llahtarshme. Më kujtohet si sot dhe çdo orë e sekondë e përjetoj emocionalisht masakrën e Llashticës. Nuk e harrojë asnjë detaj dhe më kujtohet mirë skena e krimit që ndërtuan ushtria dhe paramilitarët serb, që dirigjoheshin edhe nga policia e rregullt”.
Deliu thotë se ankthi nuk e lenë rehat tërë natën kur i kujtohen skenat e rënda. “Si të pushojë e flejë rehat kur para syve të mi më dalin prindërit, djali, gruaja e familjarët e tjerë teksa vriteshin aq mizorisht. Unë kisha vetëm gjysmë vetëdije sepse isha i plagosur në fyt. 30 prilli i vitit 1999 ndryshoj gjithçka në jetën time dhe në kujtesën time të trishtë. Më ka humbur forca e guximi që të flas për atë tragjedi. Është një emocion i madh që kur flas mezi përmbahem. E kam parë vdekjen me sy, kam parë se si vdiqët për së gjalli, kam parë sesi njeriu është më i fortë se guri. Por ende jam i aftë të dëshmojë, të rrëfejë, të tregojë edhe për serbët e dyshuar. Jam i zhgënjyer sepse askush nga policia e as nga prokuroria, nuk më kanë marrë asnjë deklaratë. E kam humbur besimin dhe jam i zhgënjyer”.
Dhe këto fjalë e këto rrëfime loti të Deli Hysenit tregojnë për vrasjen e 13 shqiptarëve në shtëpinë e Rifat Shabanit. Deliut i kujtohet ora kur paramilitari rom e qëllon të parin babanë e tij. “Romi e qëlloi në syrin e djathtë babën dhe vazhdon t`i vras të gjithë me radhë i ndihmuar edhe nga një serb”.
Deliun e godet plumbi në fyt dhe i humbet vetëdija. Sërish e përballon këtë skenë dhe arrin të dalë nga tymi e flaka. “E kam parë me sy sesi digjej nënë Ajshe. Ajo dha shpirt në duart e mija. E kam parë me sytë e mi Fisnik Shabanin teksa po jepte shpirt për së gjalli. Është karbonizuar në krahët e nënës së tij Zijaverës”.
Deliu thotë se paramilitari që ishte rom pas vrasjes së babait e ka ekzekutuar vëllain Fazliun, kushëririn Rifatin, pastaj Xhavitin. “Unë isha goditur me plumb në qafë dhe jam alivanosur. Pas gjysmë ore kam parë se i kanë ekzekutuar të gjithë me nga një plumb, kurse djalit të vëllaut Ymerit i thanë se ty nuk po të vrasim, ty po të lamë me vuajt për tërë jetën” shprehet Deliu.
Kjo është dëshmia e Deli Hysenit, njeriut që pa gjithçka dhe madje edhe buldozerin që erdhi nga Pasjani për të rrafshuar tërë vendin e krimit. “Nuk dua të vdes pa dëshmuar aty ku duhet dhe nuk dua të vdes pa e takuar serbin dhe romin. Anipse nuk shoh, mund t`i njoh nëse përballem me ata drejtpërdrejtë. Këta hetuesit e tanë le të presin derisa të vdesin dëshmitarët. Vërtet është një turp i madh që askush nuk është marrë me neve. Unë do të jetojë me rrëfimin tim që e kam përjetuar në lëkurën time, por me vdekjen time vdes edhe rrëfimi. Edhe në Francë kam dhënë deklaratë, por më thanë se t`i nuk sheh dhe e ke të vështirë të dëshmosh, por unë do të dëshmojë një ditë” shton Deliu.
Porosia e Deliut është e qartë dhe e dhimbshme. “Mos e harroni masakrën e Llashticës, mos e harroni atë tragjedi e katrahur që na bëri Serbia, mos shkelni mbi trupin e fëmijëve e prindërve tanë që u dogjën për së gjalli. Nëse asgjë nuk bëni, të paktën sillni para drejtësisë, arrestoni kriminelët dhe mos i falni sepse historia nuk do ua fal”.
Dëshmitarët, por edhe ata që e dinë ecurinë e luftës dhe masakrës në Llashticë me kohë u dëshpëruan dhe u zhgënjyen edhe në Tribunalin e Hagës, por edhe në institucionet e Kosovës që nuk kanë bërë sa duhet që dëshmitë e Llashticës t`i afrohen gjyqit të Hagës. “Mjekët kanadezë e kishin ekzaminuar në hollësi vendin e ngjarjes dhe ne kemi pritur shumë më shumë nga ajo ekspertizë, por nuk e kemi të qartë pse asnjë dëshmi e atij ekipi nuk u paraqit në Hagë” përkujton Ibish Ibish nga Llashtica.
Ibishi i cili e ka të vrarë prindin në kohën e luftës (Sylejman Ibishi) thotë se edhe pse kanë deponuar materiale, prova, fotografi qoftë në UNMIK, tek KFOR-i francez, OSBE-ja dhe tek të gjitha organizatat tjera ndërkombëtare, asnjë veprim nuk është ndërmarrë. “Është turp për EULEX dhe për Prokurorin vendore në Gjilan që asnjëherë nuk e kanë vizituar vendin e ngjarjes. Ne e dimë që Llashtica u la në harresë nga frika e ndonjë lufte ndëretnike. Por ne nuk e kemi ndërmend të hakmerremi sepse këtë kemi mundur ta bëjmë disa herë deri tashti” shprehet i revoltuar Ibishi.”
Ibishi thotë se ai dhe dëshmitarët e tjerë të kësaj masakre kërkojnë dënimin e merituar për të gjithë ata kriminel që vranë më të dashurit e tyre. Ibishi thotë se edhe patologët kanadez që kishin parë kufomat e Llashticës asnjëherë nuk e kanë dorëzuar raportin zyrtar në organet hetuese. “Është vërtet e habitshme sesi EULEX –i po flenë mbi dosjen e kriminelëve të identifikuar të Llashticës, derisa prokurorët shqiptarë vetëm po bëjnë sehir në këtë punë”.
Sipas, Ibishit hetuesit e EULEX-it kanë fakte trishtuese dhe dosje të gatshme për Llashticën.”Përgjegjës për masakrën e Llashticës është ushtria e rregullt serbe e cila ndihmohej edhe nga policia dhe paramilitarët e çmendur”.
Ibishi thotë se konvojin e ushtrisë serbe e cila ishte vendosur në Llashticë e përcillte rregullisht automjeti zyrtar i policisë.
Në rajonin e Anamoravës sipas shënimeve që janë grumbulluar dhe mbledhur pas luftës janë vrarë 116 persona të të gjitha moshave, gjinive dhe profesioneve. Të gjitha këto vrasje që në mënyrë të organizuar janë kryer nga ushtria, policia dhe forcat paramilitare ushtarake serbe shënojnë datat dhe periudhat e ndryshme, duke filluar nga 24 marsi i vitit 1999 e deri më 20 qershor 1999, raporton rajonipress.
Realisht si masakra më e rëndë llogaritet ajo në Llashticë, Zhegër, Llovcë, Zhegovc dhe Lladovë.
Tashmë dihet saktësisht se vrasjet, pushkatimet, dhunimet, plagosjet, plaçkitjet, dhe zhdukja e gjurmëve është bërë nën dijeninë dhe përcjelljen e aparatit shtetëror serb, i cili ndihmohej nga forcat ushtarake që vinin nga Vranja, Leskoci dhe Nishi.
Edhe pas hyrjes së forcave të NATO-së në Gjilan në mënyra të ndryshme janë vrarë 15 persona. Nga statistikat zyrtare që posedon arkiva e Gjilanit shihet se në Gjilan dhe rrethinë janë vrarë gjatë periudhës së luftës dhe pas saj 147 persona, prej tyre 25 janë femra.
Gjithashtu sipas këtij raporti janë plagosur 75 persona, katër persona llogariten të zhdukur. Sipas raportit mbi pasojat e luftës në Gjilan të hartuar nga Këshilli Komunal i Qeverisë së Përkohshme në Gjilan forcat serbe kanë djegur tërësisht 950 shtëpi, pjesërisht 452. Rreth 7321 shtëpi janë plaçkitur. Në Zhegër janë djegur 393 shtëpi kurse në Përlepnicë 123 shtëpi. Pasojat e luftës të shkaktuara në dëmet e ekonomisë familjare kapin shifrën e 177 milion e 201 mijë marka gjermane. Janë konsideruar si shtëpi të djegura tërësisht gjatë luftës mbi 1406 shtëpi.
Shikuar strukturën dhe përgatitjen shkollore del se ushtria serbe e ndihmuar nga paramilitarët serb dhe policia kanë vrarë në mënyrë të organizuar fëmijë, nxënës, studentë, bujq, imamë, shurdhmemecë, rojtarë, zjarrfikës, profesorë, drejtor shkolle, minatorë, taksistë, amvise, juristë të diplomuar, inxhinierë, kamerierë etj.
Nga të gjitha dëshmitë e drejtpërdrejta nga tereni duke intervistuar dëshmitarë, familjar të viktimave, persona aktiv gjatë asaj kohe del se vrasjet janë kryer me paramendim dhe me një program kohor të organizuar nga forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe.
Sipas shënimeve të nxjerrura nga komisionet përkatëse që janë marrë me lokalitetet e të vrarëve shihet se të gjithë të vrarët në tërë territorin e Komunës së Gjilanit kanë jetuar në 31 lokalitete.
Të pushkatuarit e datës 30 prill 1999 në Llashticë janë : Hysen Deli Hyseni i lindur më 10.05.1933, Ajshe Hysen Hyseni e lindur më 11.12.1937, Fazli Hysen Hyseni i lindur më 06.01.1963, Arife Fazli Hyseni e lindur më 21.08.1963, Driton Fazli Hyseni i lindur më 13.02.1982, Mirije Deli Hyseni e lindur më 19.05.1970, Blerim Ramadan Halili i lindur më 22.12.1983, Rifat Xhemajl Shabani i lindur më 14.09.1919, Selami Rifat Shabani i lindur më 02.12.1954, Zijavere Ejup Shabani e lindur më 15.06.1962, Fisnik Selami Shabani i lindur më 20.12.1996, Sylejman Ymer Ibishi i lindur më 18.06.1932,
Xhavit Banush Berisha i lindur më 10.12.1935.
Në këtë pushkatim kanë mbetur gjallë dhe janë plagosur: Deli Hysen Hyseni (1968), Dritë Fazli Hyseni (1984), Blerinë Fazli Hyseni ( 1994), Leonorë Deli Hyseni (1993), Vlorë Selami Shabani (1986).
Për torturat që i janë shkaktuar Azem Canit ka dëshmuar Milaim Musliu(1947) nga Llashtica. Sipas Milaimit, Azem Cani është rrahur e torturuar keq nga 33 ushtar e paramilitar serb. “Forcat serbe na kanë rrethuar tek vendi i quajtur “Rruga e Hyrës”. Aty na kanë detyruar të flasim serbisht dhe gjatë gjithë kohës na kanë rrahur, duke na thënë ku është UÇK-ja.”rrëfen Milaimi.
“Ndërkohë vet paramilitarët serb e kanë sjellur para banorëve Azem Canin ku e kanë rrahur në prezencën tonë. Ne e kemi njohur njëfarë Dragan Dimiqi i cili ishte përgjegjës i këtij grupi. Ky grup i paramilitarëve e ka rrahur për vdekje Azem Canin kurse neve të tjerëve na kanë goditur në të gjitha pjesët e trupit dhe na kanë marrë të gjitha të hollat dhe arin që kishim”.
Realisht të gjithë dëshmitarët më të rëndësishëm të masakrës së Llashticës, pa dëshirën e tyre ndodhen jashtë Kosovës. /rajonipress/