KKGJILAN

Domosdoshmëria për arsim më cilësor

/ 9 minuta lexim

Nga Shefik Sadiku – Për ngritjen e cilësisë në arsim shumë flitet dhe shkruhet, por shumë pak, për të mos thënë aspak, punohet për të. Për domosdoshmërinë e ngritjes së cilësisë në arsim as që duhet të ketë më të voglin dyshim. Tani është koha, ndonëse ka pasur shumë vonesa, të veprohet konkretisht. Improvizimet dhe debatet vetëm sa për të improvizuar dhe vetëm sa për të debatuar, duhet lënë pas, duhet lënë atyre që do të merren me studimin e kësaj kohe e për, rrjedhim edhe për cilësinë e arsimit.

Praktika dhe përvoja e deritanishme, sidomos pas çlirimit të Kosovës, dëshmoi se ngarendja e pakoordinuar dhe e pastudiuar për organizimin e trajnimeve dhe seminareve të shumta, për fat të keq nuk dha rezultatet e dëshiruara dhe të pritshme. Prandaj është koha që të ndryshojë ç`asja për trajnimet edhe pse ato janë të nevojshme dhe të domosdoshme në vazhdimësi. Kaluan jo pak vite nga çlirimi kur mësimdhënësit kosovarë kaluan nëpër shumë trajnime, por shenjat e arsimit cilësor në Kosovë, nuk po shihen as në fund të tunelit. Kur të gjithë akterët e përfshirë drejtpërdrejt në arsim: Ministria, DKA-të, shkollat, inspektoriati arsimor, mësimdhënësit, komuniteti i prindërve, shoqëria civile etj. pajtohen se mungon cilësia e synuar, atëherë, rrjedhimisht, shoqëria duhet të veprojë për ta ndryshuar këtë gjendje aspak të mirë.

Procesi arsimor nuk është një mekanizëm aq i thjeshtë, siç mendojnë disa, i cili mund të ndryshohet më ligjërata, me moralizime, me thirrje përgjëruese për ndryshim të gjendjes, me trajnime ad hok të kujt do qoftë etj. Arsimi është alfa dhe omega e një shoqërie, vendi dhe shteti, prandaj duke qenë i tillë kërkon angazhim serioz të të gjithë atyre që kanë përgjegjësi kushtetuese dhe ligjore kur udhëheqin. Gjendja nuk ndryshon duke bërë llafe. Duke mos pretenduar se duke bërtitur “Eureka”, e kam gjetur formulën për ndryshim, po sjellë vetëm disa rrugë apo forma që mendoj, se do të sjellin ndryshime në fushën më jetike për vendin, synim ky i yni, jo vetëm tani:

1. Vlerësimi permanent. Është një komponentë e domosdoshme pa të cilën të gjitha veprimet e tjera mund të jenë thuaja se të kota. Me vlerësim permanent kuptoj se organet përgjegjëse të arsimit si: Inspektoriati Arsimor, DKA-ja, drejtori i shkollës, komuna etj prioritet duhet t’i kushtojnë performancës së çdo mësimdhënësi në të gjitha nivelet e arsimit. Performanca e vlerësimit të mësimdhënësit duhet të jetë e përhershme: të vlerësohen të arriturat e mësimdhënësit, suksesi në mësimdhënie nga arsimtarët dhe mësimnxënie nga nxënësit, të vlerësohet realisht se sa suksesi është ekuivalent me mësimdhënien dhe aspak siç ndodh shpesh që një mësimdhënës dallohet për vlerësim me nota të larta, kurse tjetri me nota më të ulta. Ky vlerësim duhet të bëhet shumë rigoroz pa “ e dëmtuar” dhe pa “shpërblyer” askë. Bartës të vlerësimit real duhet të jenë: inspektorët e arsimit, DKA-të, drejtorët e shkollave etj Vlerësimi real dhe permanent ka mundësi të matet me instrumenta që hartojnë ekspertët e fushës arsimore siç janë Instituti pedagogjik dhe qendrat didaktike.

2. Inspektoriati i Arsimit. Ky institucion duhet ta ndryshojë plotësisht çasjen e deritanishme. Inspektoriatit Arsimor , Ministria duhet t’i jep kompetenca adekuate që përputhen me vetë emërtimin që bartë ky institucion. Inspektoriati, veç tjerash, duhet të ushtrojë tri funksione:
a. të këshillojë mësimdhënësit që kanë nevojë për këshilla;
b. të ndëshkojë me forma të ndryshme , deri në largim nga puna. Mësimdhënësit që nuk tregojnë rezultate gjatë procesit të vlerësimit dhe;
c. t’u prpozojë institucioneve përgjegjëse edhe masa stimuluese për ata që dalin vazhdimisht të suksesshëm në vlerësim.

3. Të instalohet fryma motivuese. Nga organet përgjegjëse të arsimit të aplikohen masa ndëshkuese, kushtimisht, për “të papërmirësuarit” në mësimdhënie dhe të jepen çmime për të gjithë mësimdhënësit që dalin me rezultate të mira në vlerësimin e vazhdueshëm. Kjo frymë të zbatohet për nxënës, mësimdhënës, shkolla, drejtorë shkollash.

Fidanishtja

4. Të instalohet institucioni i përgjegjësisë dhe llogaridhënies. Kjo nënkupton se çdo akter në procesin arsimor duhet t’i kryejë përgjegjësitë e veta ligjore dhe për të njëjtat të jep llogari para institucioneve përgjegjëse. Me këtë nënkuptojmë : mësimdhënësit, drejtori i shkollës, DKA-ja, Inspektoriati i Arsimit.

5. Depolitizimi i arsimit. Për nevojën e domosdoshme të depolitizimit të arsimit më së shumti është folur, por më së pakti është bërë. Depolitizimin e arsimit të gjithë, verbalisht, e kundërshtojnë, por të gjithë e zbatojnë. Ky fenomen është më së vështiri të luftohet , sepse në politizimin e arsimit kontribuojnë të gjitha institucionet përfshirë: shkollat, DKA-të, komunat, Inspektoriati i Arsimit, MASHT-i. megjithatë pa depolitizim rrënjësor, pa përjashtimin e politikës nga arsimi as që mund të flitet dhe aq më pak të ngritet cilësia në arsim. Si është politizuar dhe si politizohet arsimi në Kosovë? Janë shumë forma dhe mundësi që e kanë politizuar arsimin te ne. Disa nga këto në këtë mori formash dhe mënyrash janë:
a. Zgjedhja e drejtorëve të shkollave sipas përkatësisë partiake është forma më eklatante e politizimit të arsimit.

Këtu hyn edhe emërimi i drejtorëve të DKA-ve nga kryetarët e komunave. Drejtorët e shkollave dhe të DKA-ve bëhen servilë dhe të dëgjueshëm për kryetarët e komunave.
b. Rekrutimi i kuadrit arsimor. Partia politike që udhëheq më pushtetin në komunë , përmes kryetarit të komunës, drejtorit të arsimit dhe drejtorëve të shkollave, përparësi për mësimdhënës të shkollave u japin kuadrove që janë ose anëtarë, ose aktivistë të partisë që udhëheq.

Pra me këtë politikë udhëheqëse dëmtohet cilësia, sepse ndodh që kuadro joprofesionale angazhohen në procesin mësimor, sidomos mësimdhënës për orët e mësimit zgjedhor. Të rekrutuarit e tillë më pak ose fare pak e kanë ndjenjën e përgjegjësisë ligjore , sepse pas tyre qëndron forca.
c. Mënyra selektive e investimit në shkolla. Është për brengosje dhe e dhimbshme investimi selektiv në shkolla brenda komunës. Në shkolla të caktuara në lokalitetet nga partia në pushtet prêt vota, aty ndodhin investime më shumë. Ose në lokalitete ku më parë partia ka pasur më pak vota, bën përpjekje për t’i joshur ato lokalitete.
d. Përkrahja për drejtorë të caktuar. Jo të gjithë drejtorët e shkollave përkrahen njësoj nga organet komunale. Ata që janë më aktiv në organizimet partiake , stimulohen më shumë, për pasojë shkollat që ata udhëheqin privilegjohen me investime dhe mjete tjera. Kësisoj diskriminohen nxënësit e shkollave të udhëhequra nga drejtorët më pak të afërm me pushtetin.
e. Ndarja e bursave nxënësve apo studentëve.
Është një mundësi mjaft madhe për dallimin e atyre nxënësve dhe studentëve që vijnë nga lokalitet ku më shumë apo më pak udhëheqja komunale prêt votues.
f. Trajtimi jo i barabartë i stafit arsimor. Sipas orientimeve politike disa mësimdhënës stimulohen me ndërrim të vendit të punës, me dërgimin në trajnime, me pushim me dhe pa pagesë, me rregullimin e orarit mësimor të favorshëm, me zgjedhjen e ndërrimit para apo pas dite, me dhënien e lejeve për ngritje profesionale të tyre etj.

6. Bartësit privatë të arsimit. Në vendin tonë pas ndryshimeve shoqërore që ndodhën decenieve të fundit, disa individë kanë hapur institucione arsimore sipas ligjit në fuqi. Në institucionet e tilla, të arsimit privat, duke pasur para sysh mundësinë e përfitimit të tyre, kanë nxjerrë numër jo të vogël të kuadrove me diploma të arsimit të lartë, përfshirë edhe të drejtimit arsimor. Shumë nga të diplomuarit në këto institucione private, kanë gjetur një vend punë në institucionet e arsimit publik. Edhe kjo ndikon në cilësinë e arsimit sepse fitimi i një diplome në një institucion privat është më e lehtë se sa në atë publik, edhe pse shumica e mësimdhënësve në institucionet private të arsimit të lartë, punojnë edhe në institucione publike.

Të gjithë pajtohemi se, duke pasur parasysh, politika arsimore te ne po dëshmon se në institucionet privatë të arsimit të lartë, ndonëse kushtet e infrastrukturës janë dukshëm më të mira se te institucionet publike, prapë se prapë kriteri i vlerësimit ndryshon. Shteti për ta nivelizuar arritshmërinë në arsim mes institucioneve private dhe publike, mund ta rregullojë këtë çështje me ligj, duke i obliguar bartësit privatë që të mbajnë ligjëratat, kurse vlerësimin e dijes së studentëve ta bëjë një komision nga institucionet publike. Pa ndryshuar ç`asjen ndaj arsimit si shoqëri dhe si shtet, nuk mund të pretendojmë për ngritjen e cilësisë në arsim. Këto ishin vetëm disa nga mundësitë që do të duhej Ministria t’i ketë parasysh. Cilësia e dobët në arsim nuk është pasojë e mosdijes sonë, por e mosdashjes për arsim më cilësor./rajonipress/