Reagimi i vonuar i Alban Hysenit për sulmin ndaj gazetarëve ngjall valë kritikash: “Prite lejen e partisë?”
Gjilan – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka reaguar me vonesë ndaj incidentit të ndodhur një ditë më parë, ku ekipi i TV Dukagjinit u pengua dhe u shty fizikisht gjatë kryerjes së detyrës profesionale, një reagim që ka nxitur kritika të shumta në opinionin publik dhe në rrjetet sociale.
Në deklaratën e tij, Hyseni tha se Komuna e Gjilanit distancohet plotësisht dhe e dënon ashpër incidentin ndaj ekipit të televizionit.
“Komuna e Gjilanit distancohet plotësisht dhe dënon ashpër incidentin e sotëm, ku u pengua dhe u shty fizikisht ekipi i TV Dukagjini, gjatë kryerjes së detyrës së tyre zyrtare.
Puna e mediave dhe liria e shprehjes janë shtylla të patundshme të një shoqërie demokratike. Sqarojmë se personi i përfshirë në këtë incident nuk është zyrtar komunal.
Ne distancohemi plotësisht nga tendencat e ulëta të uzurpatorëve të pronës publike, konkretisht LDK dhe PDK për ta politizuar këtë ngjarje. Sulmet e tyre propaganduese shpërfaqin vetëm dëshpërimin e tyre politik.
Ekipit të TV Dukagjini dhe të gjithë komunitetit të gazetarëve u shprehim mbështetjen tonë të plotë në realizimin e detyrave të tyre profesionale”, thuhet në reagimin e kryetarit të komunës.
Megjithatë, reagimi i tij është pritur me kritika të shumta nga komentuesit, të cilët kanë vënë në pikëpyetje kohën e reagimit dhe përmbajtjen e deklaratës, duke e akuzuar Hysenin se u vonua të dënojë sulmin ndaj gazetarëve dhe se e shfrytëzoi rastin për të përfshirë në debat partitë opozitare.
Një qytetar gjilanas, me emrin Toska, ka komentuar: “Pa e marrë miratimin nga partia s’guxove as me dal me komunikatë tanë ditën. Vetëm kur t’u lejua me thanë diçka dole. Me një status, edhe atë prapë i përfshive partitë tjera, s’e di se kjo sëmundje me thanë gjithmonë diçka edhe për të tjerët, edhe pa qenë pjesë e kësaj çka ka ndodh me gazetarët.”
Edhe Sedat Dati Hoxha ironizoi reagimin e kryetarit duke shkruar: “Kush ta ka shkru tekstin, Dejona Mihaili a?”
Ndërsa Haki Halimi shkroi: “Mos me qenë këtu para LDK e PDK, çfarë kishe pasë me thanë o kryetar? Sa për vonesë, vonë je mjaftueshëm me krejt premtimet që i ke dhënë.”
Komentet e shumta në rrjetet sociale tregojnë se reagimi i vonuar i kryetarit ka hapur një debat të ri publik, ku qytetarët jo vetëm kanë kërkuar dënim të qartë të sulmit ndaj gazetarëve, por edhe një qëndrim institucional të menjëhershëm dhe pa ngjyrime politike sa herë që cenohen liria e medias dhe siguria e gazetarëve në krye të detyrës./rajonipress/


