Dobitë dhe mangësitë nga fjetja në krah, shpinë e bark

Edhe pse gjatë natës zakonisht ndryshojmë një numër të madh të pozicioneve, njëra është më dominuese, gjegjësisht, në të kalohet numri më i madh i orëve.
“Është interesante se shumica e njerëzve flenë në krah, që është pozicion më i përhapur edhe te kafshët, kurse kjo mënyrë e të fjeturit është konsideruar të jetë më e shëndetshmja pasi me sukses pastron trurin nga radikalet e dëmshme që grumbullohen gjatë ditës”, shpjegon hulumtuesi kryesor, profesori i neurologjisë, Maiken Nedergaard. Kimikatet që grumbullohen në tru gjatë ditës mund të ndikojnë seriozisht në shëndet nëse grumbullohen në sasi të mëdha, shkruan sot gazeta “Zëri”.
– Fjetja në krah është e mirë për frymëmarrje, por e keqe për fytyrë:Pozicioni i fetusit ose fjetja në krah parandalon shfaqjen e dhimbjeve në shpinë për shkak se ajo mënyrë ndjek lakimin natyral të shpinës. Gjëja më e rëndësishme është që koka është në të njëjtin nivel si trupi, respektivisht në jastëk, sepse përndryshe mund të shtrembërohet qafa. Gjithashtu, ky pozicion lehtëson frymëmarrjen dhe lodhjen e barkut, si dhe largon urthin. Është zgjedhja më e mirë për ata që gërhasin, por e metë e saj është se shkakton rrudha. Lëkura është vazhdimisht e mbështetur mbi jastëk, gjë që shkakton rrudha dhe plasaritje në lëkurë.
– Fjetja në shpinë është e mirë për kurrizin dhe e keqe për rrugët e frymëmarrjes: Fjetja në shpinë mbron nga dhimbjet në shpinë dhe qafë. Është zgjedhja më e mirë për shëndetin e organeve të brendshme, dhe ndihmon me humbje peshe. Në mënyrë që kurrizi të jetë në pozicionin e duhur, është mirë për të vënë një jastëk nën gjunjë për mbështetje. Megjithatë, ky pozicion nuk është i rekomanduar për njerëzit që gërhasin, sepse e përkeqëson edhe më shumë gjendjen e tyre. Gjuha bie në pjesën e poshtme të fytit dhe mbyll rrugët e frymëmarrjes, duke bërë gërhitjen edhe më intensive.
– Fjetja në bark është e mirë për dhimbjet në pjesën e poshtme të shpinës, por e keqe për qafë: Herë pas here, fjetja në stomak lehtëson dhimbjet në pjesën e poshtme të shtyllës kurrizore, sepse redukton presionin mbi disqe kurrizore. Por ekspertët theksojnë se ky pozicion është më i rrezikshmi për shpinën. Fjetja në stomak bënë që koka të jetë gjithë kohën në të njëjtën pozitë e cila ndikon negativisht në boshtin kurrizor. Për këtë shkak krijohet presion mbi nerva, e cila është arsyeja pse, pas zgjimit është e mundshme të kemi ndjesi shpimi gjilpërash dhe humbje të ndjenjës në duart dhe këmbë.