RCCOLA

“Ditët e diasporës” bashkuan katër autorë nga mërgata

/ 5 minuta lexim
KKVITI

Në kuadër të manifestimit “Ditët e Diasporës në Kosovë 2012”, Ministria e Diasporës e Republikës së Kosovës, ka organizuar promovimin e librave të autorëve Fatmir Brajshori, Dashnim Hebibi, Salih Zogiani dhe Abdurrahim Ashiku.

Në këtë promovim, i cili u mbajt në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, autori Fatmir Brajshori erdhi me librin e tij “Toplica, një foshnjë mbi Berlin”, e cila flet për shpërnguljet e shqiptarëve nga ajo trevë. Ai ka thënë se libri i tij vjen edhe si një rebelim i tij ndaj klasës politike, e cila, sipas tij, pas luftës së fundit në Kosovë, nuk do të duhej të bisedonte për të.

“Megjithëse ky libër i imi ka qenë edhe një lloj rebelimi për politikën, të cilët nuk është dashur asnjëherë të bisedojnë për Kosovën menjëherë pas përfundimit të luftës, por politikanët tanë është dashur të përqendrohen edhe si temë diskutimi ta bëjnë kudo Toplicën”, ka thënë ai.

Kurse Avdulla Konushevci, botues i librit Toplica, një foshnjë mbi Berlin”, tha se ky libër është edhe dokumenti i parë letrar që tregon për shpërnguljen e shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit.

“Romani ‘Toplica, një foshnjë mbi Berlin’ është dokumenti i parë letrar për shpërnguljen e tmerrshme të shqiptarëve nga Toplica, Pusta Reka, Jabllanica; me një fjalë, nga Sanxhaku i Nishit, pas vendimeve që solli Kongresi i Berlinit më 1878. Ndonëse një vepër letrare, për shkak të kërkimeve të gjata të autorit, një pasardhës po ashtu i një familjeje muhaxhirësh, ky roman ka pak a shumë edhe karakter dokumentar, historik, politik etj.”, ka thënë ai.

Ndërsa Dashnim Hebibi, në këtë promovim u prezantua me librin e tij “Intervista në tranzicion”, e cila ngërthen në vete një sërë intervistash, të cilat autori i ka realizuar gjatë punës së tij si gazetar. Autori Hebibi tha me këtë rast se ndihet shumë i nderuar që merr pjesë në, siç e quajti ai, sofër të poetëve të tjerë.

“Unë ndjehem shumë i nderuar që sot po marrë pjesë në këtë promovim libri, në këtë tryezë me autorë nga diaspora, që edhe ne jemi munduar ta japim një kontribut në diasporën tonë, që të reflektojmë edhe ne nga diaspora, jo vetëm në aspektin humanitar, por edhe në aspektin kulturor, apo në aspektin publicistik në përgjithësi”, ka thënë ai.

E për të folur më shumë për librin u kujdes Naim Kelmendi, redaktor i librit, i cili tha se ky libër përmban intervista që autori i ka realizuar gjatë punës së tij si gazetar me shumë prej personaliteteve të fushave të ndryshme.

“Libri i Dashnim Hebibi, Intervista në tranzicion, përmban në vete një sërë intervistash, të cilat gazetari ynë i ka realizuar kohë më parë me një sërë personalitetesh të politikës, artit, muzikës, sportit e të veprimtarive kombëtare”, ka thënë ndër të tjera ai.

UBT

Më tej në këtë eveniment u prezantua edhe autori Sali Zogiani, me veprën e tij “Anekdota 5”, i cili është mbledhës i trashëgimisë shpirtërore.

Ai ka shtuar se puna e tij është mbledhja e trashëgimisë shpirtërore, duke thënë se meritën për këtë gjë e kanë ata që e kanë ruajtur atë.

Kurse redaktori i librit të tij, Sylejman Dermaku, tha me këtë rast se nuk ka më kënaqësi se sa të jesh i shkurtë në mendime, por i qartë për të gjithë, duke aluduar në anekdota, të cilat ai i quajti edhe si filozofi në vete.

“Nuk ka kënaqësi më të madhe se të jesh i shkurtër, i qartë dhe i kuptueshëm dhe i tillë është çdo njeri që është lakonik në të folur, porse elokuent në rrëfime. Pikërisht kjo magji është stolisur në anekdotën shqiptare. E tërë filozofia e saj përmblidhet në disa fjalë që përcillet me një mesazh nëntekstor. Zaten, këtu edhe qëndron madhështia e anekdotës”, ka thënë Sylejman Dermaku.

Ndërkaq, në fund të këtij promovimi, u paraqit autori Abdurrahim Ashiku nga Dibra, por që jeton prej kohësh në Athinë të Greqisë. Ai u paraqit me një sërë librash, të cilat në një mënyrë i kishte emëruar me titullin “Njerëzve që i dua”. Ai duke folur për praninë e tij në Kosovë, tha se për të është nderë shumë i madh që gjendet në mesin e Kosovës dhe kosovarëve, për të cilët tha se ka dëgjuan nga odat e Dibrës.

“Është kënaqësi dhe nder i madh për mua që të jem në Prishtinë me pesë librat për njerëzit që i dua, të jem në Kosovë midis kosovarëve, që në fëmijërinë time kanë hyrë e kanë bërë rrënjë si divat e përrallave, në një trevë të moçme shqiptare, ku siç tregonin pleqtë në odën dibrane, lisin nuk e çan kali, grurin nuk e pret dot drapri dhe bostanin nuk e mban dot kerri”, ka thënë Abdurrahim Ashiku.

Ai ka falënderuar Ministrinë e Diasporës, për ftesën që i kanë bërë, si dhe Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare, që siç tha ai, ia kanë krijuar hapësirën që të flasë, pak për vete, e më shumë për njerëzit që i do.

Ai vjen sot me disa libra, siç është “Rrëfimet e komshiut”, “Rilindësit e kohës sonë”, “Po Dibrës! Jo sakavicës!” (kosovapress)