FIDANISHTJA

Disa pyetje për Ministrin e Drejtësisë

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Berat Buzhala – A mendoni ju z. Ministër se?….Si është e mundur që për akuzat për krime të luftës, Tribunali i Hagës, t’ua mundësonte që të mbroheshin në liri pothuajse të gjithë të dyshuarve për të cilët ekzistonte bindja se nuk do të arratiseshin, kurse për akuza të natyrës së njëjtë, po për krime lufte, gjyqtarë dhe prokurorë ndërkombëtarë me punë të përkohshme në Kosovë, të akuzuarit i gozhdojnë me muaj e më vite nëpër burgje, në pritje të fillimit të procesit gjyqësor?

Pra, pse ishte e mundur që Ramush Haradinaj – dhe për këtë jam i lumtur – të mund të mbrohej në liri, kurse Sylejman Selimi, Sami Lushtaku e të tjerët të mos mundën? A nuk ishte Tribunali i Hagës autoriteti suprem moral dhe ligjor kur bëhet fjalë për zbardhjen e krimeve të luftës? Nëse po, a nuk do të duhej atëherë që praktikat e mira gjyqësore të vendosura në këtë Tribunal të merreshin si mostra për gjykatat vendore që po i trajtojnë të njëjtat lloje të krimeve, të të njëjtës luftë?

Po e marr si shembull Haradinajn sepse e kemi më afër dhe e njohim më mirë procesin kundër tij, sepse ngjashëm ka ndodhur edhe më të gjithë ata të dyshimtë për krime të luftës në ish-Jugosllavi që vullnetarisht ishin dorëzuar para Tribunalit.

Sa për digresion, sepse mund të lindin dyshime, dëshiroj të theksoj se arsyeja kryesore pse Fatmir Limaj ishte mbajtur gjatë gjithë kohës në paraburgim nga Haga kishte të bënte me një deklaratë të tij për mediat pak para dorëzimit. Një konfuzion për vendndodhjen e tij, ndonëse më pas Limaj ishte dorëzuar vullnetarisht, e kishte shtyrë Tribunalin e Hagës të dyshonte nëse Limaj ishte dorëzuar vullnetarisht apo jo. Ndaj edhe ishte mbajtur në paraburgim.

Por t’i kthehemi rasteve dhe praktikave të ngjashme. Edhe në rastet kur Tribunali i Hagës vendoste që t’u mundësonte të akuzuarve që të mbroheshin në liri ka pasur dëshmitarë që prisnin ta thoshin fjalën e tyre në dëm të të akuzuarve. Por vetëm ky fakt nuk e ka penguar Tribunalin e Hagës që të akuzuarve t’u mundësonte që të qëndronin pranë familjeve të tyre deri në momentin kur ata konsideroheshin të fajshëm legalisht. E dihet shumë mirë se kur dikush konsiderohet i tillë.

Edhe në atë kohë, madje shumë më shumë se sa tash, politikanët flisnin për procesin gjyqësor. Nuk kishte politikan shqiptar të Kosovës që nuk i kishte dal në mbrojtje me fjalë Haradinajt e Limajt. Shpesh herë edhe pa nevojë. I shpallnin edhe heronj, çdo të dytën ditë. Sigurisht sot nuk i kanë të njëjtat mendime.

Se si mbroheshin dëshmitarët e prokurorisë më mirë të mos flas fare. Dihet botërisht fati i tyre. Por nëse ata zhdukeshin, vriteshin në zënka, apo vetëvriteshin, nuk ishte apriori përgjegjësi e të akuzuarve. Ata tash nuk mund të ngarkoheshin me përgjegjësi që të kujdeseshin edhe për jetën dhe shëndetin e njerëzve që i akuzonin. Kjo barrë do të ishte paksa e tepërt. Së paku kjo gjë do të duhej të ishte përgjegjësi e dikujt tjetër, sepse boll punë të tjera kishin ata që po akuzoheshin për krime të luftës. Pra, paneli i gjyqtarëve të Tribunalit të Hagës vazhdimisht ketë përgjegjësi ia ka atribuuar Prokurorisë. Ka qenë detyrë e kësaj të fundit që të kujdesej për “njerëzit e saj”.

KKVITI

E pse në Kosovë duhet të jetë ndryshe? Pse këtu mbi të dyshuarit rëndon secili dyshim? Pse ata duhet që të kujdesen edhe për përgjegjësitë që në fakt janë të Prokurorisë? Pse pra Syla e Samiu dhe të tjerët duhet të mbahen prapa grilave vetëm pse Prokurori mendon se ata ndoshta mund t’ua rrezikojnë jetën dëshmitarëve? Nëse është kështu, pse një argument i tillë nuk është marrë parasysh asnjëherë prej Tribunalit të Hagës?

E sa i përket arratisjes potenciale të tyre në rast se lëshoheshin të mbroheshin në liri, po mendoj se as që ia vlen të humbët kohë për ta argumentuar të kundërtën.

Nëse qenka kështu, atëherë një Pse shumë më serioze shkon për Qeverinë e Kosovës: Pse Qeveria e Kosovës, e sidomos ministria e Drejtësisë është strukur dhe ka zgjedhur rrugën e heshtjes totale përball një padrejtësie totale? Askush nuk është duke kërkuar këtu dhe as në kampin e të arrestuarve që të pengohet drejtësia. Përkundrazi, duke u mundësuar që të mbrohen në liri vetëm sa ndihmohet drejtësia. Sipas ligjeve aktuale në fuqi, Prokuroria dhe Pala mbrojtëse – këtu përfshihet edhe i akuzuari – janë të barabartë përpara Trupit Gjykues. A mendon ministri i Drejtësisë se aktualisht Syla e Samia e kanë tretmanin e barabartë me Mauricion?

Jo që nuk e kanë të barabartë, por nëse vazhdon kështu nuk do të çuditsha aspak nëse prej tyre do të kërkohej ta dëshmonin pafajësinë e tyre. Dhe prapë ne do të heshtnim.

Të dashur lexues dhe ju politikanë që ndoshta mund të jeni duke e lexuar ketë shkarravinë timen, përgjegjësia për të dëshmuar fajësinë i takon Prokurorit. Vetëm në mesjetë i akuzuari, i pandehuri, e ka pasur për detyrë që ta dëshmojë pafajësinë. Kjo është periudha kur njerëzit piqeshin nëpër turra drush, siç sot veprojmë me kafshët. Sigurisht se edhe në atë kohë ndonjë prej të dënuarve vërtet ka qenë i fajshëm. Por parimi i barabarësisë së palëve – prokurorisë dhe palës mbrojtëse – duhet të vlejë njëlloj, sikur kur pala mbrojtëse është fajtore sikur kur ajo është e pafajshme. Nuk do të duhej dhe nuk do të guxohej të paragjykohej rasti.

Apo jo profesor i nderuar, Ministër i Drejtësisë? A e ndani edhe ju të njëjtin mendim me mua dhe ne të dy bashkë me Kodin Penal dhe atë të Procedurës Penale dhe frymën që e përfaqësojnë këto dy kode, se pala mbrojtëse dhe pala akuzuese duhet të janë të barabarta sikur që janë të barabarta dy duart (equality of arms). Dhe nëse po, a mendoni ju z. Ministër me tërë kapacitetin e juaj intelektual dhe profesional se Mauricio Salustro është i barabartë në këtë proces me Sami Lushtakun e Sylejman Selimin?

Autori është: Deputet i PDK’së në Kuvendin e Kosovës. Qëndrimet e shprehura në këtë kolumne janë personale.